I shkurtër dhe i bukur, Sara dhe Bardhi zbulojnë emrin e vajzës së tyre
Ish banorja e Big Brother Vip, Sara dhe partneri i saj Bardhi kanë zbuluar emrin e vajzës që presin të vijë në jetë së s...
Përgatiti Ani Jaupaj
Pavarësisht të gjitha shoqatave, organizatave, projekteve, mbledhjeve e përmbledhjeve, në fund, duket se vetëm arti është në gjendje të ndikojë në ndërgjegjësimin e shoqërisë për të denoncuar dukuritë që e kanë shqetësuar gjithnjë. Regjisorja Driada Dervishi, në çdo kohë përpiqet që përmes punëve, të ketë një lloj vëmendjeje të dobishme të publikut, për ta trajtuar si pjesë të një qëllimi. “Këpucët e kuqe” këtë ka bërë. Që pas thirrjes së parë në rrjetet sociale, drejtuar grave e burrave, për t’i bërë pjesë të protestës së shoqërisë ndaj dhunës, përgjigjet ishin të menjëhershme. Dhjetëra këpucë të kuqe u mblodhën në Teatrin “Aleksandër Moisiu”, secila palë për të përfaqësuar një histori dhune, një histori gjaku, që mund të parandalojë një tjetër që do të dëgjojmë nesër. Driada tregon për Living, gjithë ç’ka menduar e realizuar, bashkë me aktorët e teatrit të Durrësit, për të shfaqur në ditën e gruas, në 8 mars.
Ada, sa janë përfshirë njerëzit në nismën e këpucëve të kuqe?
Për teknologjinë ankohemi vazhdimisht se ka ndikuar negativisht në komunikimin mes njerëzve, megjithatë në shpejtësinë e ndryshimit të mjaft koncepteve, duhet të pranojmë se kjo shpejtësi ka ndikuar pozitivisht sepse mund ta shpërndarë lajmin sapo prodhohet. Kur Teatri “Aleksandër Moisiu” hodhi njoftimin në rrjetet sociale, brenda javës së parë arritëm të mbushnim skenën e teatrit me një numër të konsiderueshëm këpucësh, e ky numër vijon të rritet. Kjo shpejtësi do të na ndihmonte shumë kur bëhet fjalë për ndryshimin e mendësisë së një shoqërie patriarkale që vijon ta trajtojë gruan si pronë a plaçkë. Shpejtësia do na nevojitej vërtet shumë, përderisa në kaq shumë shekuj janë bërë kaq pak hapa drejt barazisë të të drejtave njerëzore. Ashtu siç lajmi për vrasjen e një gruaje mbush me shpejtësi faqet e portaleve dhe rrjeteve sociale, do ishte mirë që kjo shpejtësi të përdorej për të ndaluar dhunuesit e vrasësit. Këpucët e kuqe lindën pikërisht si një reagim ndaj kësaj dhune, lindën si një protestë ndaj humbjes së jetës së një gruaje.
Elina Chauvet, një artiste e arkitekte meksikane humb motrën e saj si pasojë e kësaj dhune. E pafuqishme për të shpëtuar motrën e saj nga bashkëshorti, në kujtim të saj, por edhe për të sensibilizuar e ngritur zërin për këtë fenomen, në vitin 2009 ajo ndërton një instalacion me 33 palë këpucë të kuqe. Këpuca, si prania e një qenieje njerëzore, mungesa e saj, dhe e kuqja si simbol i gjakut. Që prej atij viti “Këpucët e kuqe” të Elina Chauvet*, kanë shëtitur botën. Tashmë jo 33 palë, por me qindra, vendosen në sheshe të qyteteve të ndryshme në botë. Për herë të parë ''Këpucët e kuqe'' vijnë këtë vit në Durrës dhe jo pa një shkak. Sipas të dhënave nga INSTAT, vitet e fundit, Qarku i Durrësit ka normën më të lartë të grave të dhunuara.
Shpresojmë në instalacionin e Këpucëve të kuqe në Durrës, të jenë disa qindra këpucë, e unë besoj tek angazhimi qytetar i grave e vajzave, por jo vetëm. Nuk duhet absolutisht që kjo nismë të tingëllojë si një nismë feministe. Gratë në këtë rast ngrenë zërin, por burrat janë ata që duhet të dëgjojnë. Kështu në emër të të gjithë grave të shumta që janë bërë pjesë e mbledhjes së këpucëve, unë ftoj burrat të vijnë të vënë nga një degëz mimoze në këto këpucë, në shenjë kujtimi për gratë që janë vrarë nga dora e një burri. Gjatë gjithë ditës së 8 Marsit, Këpucët e kuqe ju presin në shkallët në krah të Galerisë " Nikolet Vasia".
A mendon që koha e vështirësitë që po kalojmë i kanë distancuar njerëzit nga teatri o nga qëllime të tilla të mira, si këto?
Fakti që gra të ndryshme kanë shkruar duke na ofruar ndihmën e tyre, fakti që një piktore, Asel Kryemadhi u ofrua vullnetarisht për të lyer një pjesë të madhe të këpucëve, apo Ana Nina një vajzë tejet energjike ndihmoi po vullnetarisht për grimin artistik të vajzave, apo doktoresha të ndryshme që me gjithë ngarkesën e kësaj periudhe kanë ardhur vetë në teatër për të sjellë këpucë, shpërndarja e lajmit nga vetë gratë e qytetit të profesioneve të ndryshme, apo edhe zonja të politikës të kaheve të ndryshëm, besoj tregon se për kauza të dobishme të gjitha/të gjithë bëhen bashkë. Pa harruar edhe ndihmën e vyer të kryetares së baskisë së Durrësit, zonja Emiriana Sako, për realizimin e fotografive që do të vijnë në formë ekspozite në krah të instalalacionit të Këpucëve Më duhet të nënvizoj se pothuaj 80% e këpucëve janë sjellë nga gra që e ndjekin teatrin rregullisht. Takimin me datë 8 mars, (duke respektuar të gjithë rregullat) një skenë e hapur ku njerëzit mund të reflektojnë mbi një problem të rëndësishëm, unë e lexoj edhe si një dëshirë të publikut që i mungon teatri.
Ti vetë, si regjisore çfarë ke bërë, nga pikëpamja profesionale, gjithë këtë vit? Kam parë përpjekje pak më këmbëngulëse se kolegët, për të mos e lënë artin në zbrazetinë që e zhyti virusi.
Thuhet se Marlon Brando nuk kishte fare komunikim të mirë me doktorët dhe sa here sëmurej besonte se fuqia e mendjes mund të shëronte çdo lloj dhimbjeje. E vetmja mënyrë për ta mundur këtë virus ishte të mos zhyteshe në vorbullën e tij, kësisoj besoj se një nga arsyet pse njerëzit iu drejtuan librave, filmave, muzikës, ishte që në çdo rast të mbanin shëndoshe fuqinë e mendjes. Në mënyrë intuitive them se në këtë rast të punuarit e të krjuarit në këtë kohë, ishte një lloj mekanizmi mbrojtës ndaj apatisë. Prandaj jam përpjekur të gjej mënyrën për të qenë e pranishme, aq dhe ashtu siç ishte e mundur. Në prillin e vitit që shkoi, kur sapo ishim përballur me të keqen, realizuam 14 auto-tregime të shkurtra të Çehovit. Gjatë muajve të verës bëmë filmëzimet me 36 letra të personazheve të ndryshme, të huaj dhe shqiptarë. Vijuam më pas me një homazh për viktimat e tërmetit, me ciklin e intervistave aktorët për aktorët, dhe aktiviteti i ditës së gruas që përkon edhe me fillimin e pandemisë, që do të jetë pas pak ditësh por që na ka angazhuar prej kohësh.
Kthehemi te Këpucët, cili është qëllimi konkret?
Denoncimi i dhunës në përgjithësi në shoqërinë tonë është një problem që na përket të gjithëve. Rritja e numrit të vrasjeve të grave në Shqipëri, por edhe në botë, shtimi i rasteve te dhunës, aq sa krahasohet me një lloj aparteidi si ai racist, besoj nuk lë indiferent askënd me pak ndjeshmëri njerëzore. Duket absurde që sa më shumë zhvillohemi, aq më shumë duket sikur mbetemi pre e instikteve primitive të dhunës. Diskutimet për të drejtat njerëzore nuk mungojnë, por gjithnjë jemi të pakënaqur se asgjë nuk ndryshon. Sado klishe mund të tingëllojë, mendova çfarë po bëj unë diçka për të ndryshuar? Padrejtësitë shoqërore aq edhe politike, të cilat dëmtojnë shoqëritë e në rastin konkret figurën e gruas, mund të përcillen në forma të ndryshme artistike, duke ndikuar kështu si në ndryshimin e opinioneve aq edhe në mendësinë e publikut. Kështu idenë e Këpucëve të kuqe menduam ta zgjeronim duke përfshirë komunitetin në mbledhjen e tyre, për ta bërë pjesë të një problemi që na përket të gjithëve, por edhe më tej. Krahas këpucëve, nis dhe një fushatë fotografike kundër dhunës, ku aktore të njohura të skenës pozojnë me shenjat e shuplake në fytyrë, një shuplakë e kuqe që vjen si një nxitje për të mos heshtur.
A mund të na zbulosh diçka nga 8 historitë e grave që po regjistroni?
E gjitha trupa e aktoreve të teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, e përkrahu menjëherë idenë për t’u bërë zëri i shumë vajzave që nuk mund të flasin, zëri i shumë grave që kanë frikë të flasin, zëri vajzave dhe grave që nuk jetojnë më si pasojë e dhunës. Një pjesë e historive janë përpunuar e përzgjedhur nga libri “10 gra,10 rrëfime - histori që sfidojnë botën” nga Elga Mitre.
Ky libër është një botim i vitit 2020 dhe përmbledh histori të vërteta të grave të ndryshme të cilat janë abuzuar fizikisht, psikologjikisht a seksualisht. Aktoret Mimoza Marjanaku, Andia Xhunga, Adelina Muça, Alesia Xhemalaj dhe Suela Bako, (të cilën dua ta falënderoj dhe për ndihmën në redaktimin e disa pjesëve), do t’i përcjellin këto histori nëpërmjet videove të shkurtra. Videot si dhe fotografitë e kësaj fushate janë realizuar me mjaft profesionalizëm nga Daniel Dervishi.
Gazetarja Vali Qyrfyci, e cila prej vitesh ka denoncuar e raportuar histori që kanë në qendër dhunën në familje, iu bashkua menjëherë idesë dhe jo vetëm sjell vetë një histori gruaje, por edhe ka shkruar dy histori mjaft të forta bazuar në ngjarje të vërteta që kanë ndodhur në Durrës. Aktorja Monika Lubonja, gjithashtu u ofrua që të jepte kontributin në këtë fushatë do të sjellë për herë të parë, historinë e një vajze të treguar nga një oficere policie.
Pjesëmarrja e vecantë e shkrimtares dhe aktores së njohur, Anisa Markarian, plotëson këtë tetëshe grash e historish. Me një përkushtim të jazhtëzakonshëm. Anisa Markarian, jo vetëm ka shkruar enkas për këtë fushatë një histori rrëqethëse, që do të vijë e rrëfyer nga vetë ajo, por si pasojë e distancës gjeografike, na ndihmoi dhe me xhirimin e materialit filmik.
8 gra 8 histori të vërteta, të gjitha të xhiruara nën “shoqërinë e këpucëve të kuqe”, do të shfaqen në ora 19.00 livestream në faqen në Facebook të Teatrit “ Aleksandër Moisiu”.
Ish banorja e Big Brother Vip, Sara dhe partneri i saj Bardhi kanë zbuluar emrin e vajzës që presin të vijë në jetë së s...
Një pemë gjigante është rrëzuar pasditen e sotme në kryeqytet si pasojë e erës së fortë dhe shiut t&eu...
Gazetarja e njohur Anila Basha ka bërë një rrëfim ndryshe për jetën e saj në podkast me Mira Kazhanin. Nga nisja e karrier&eu...