Familja / 11 Nëntor 2018, 10:43

Kush ua mësoi fëmijëve bullizimin, nis nga vetë ata apo nga nga të rriturit

byluere

Jemi prindër, motra, vëllezër; kemi fëmijë, nipër, mbesa; i çojmë në shkollë me dëshirën dhe qëllimin për t’i arsimuar, për t’u hapur “dyert” e jetës, për t’i orientuar drejt një të ardhmeje më të sigurt, me bindjen e plotë se shkolla do t’u japë atë që asgjë tjetër s’mund t’ua japë, me shpresën se do t’u ofrojë një ambient të sigurt. Mund të tolerojmë një notë të keqe, ndonjë gabim të justifikueshëm, por nuk mund të tolerojmë dhunën ndaj tyre, në ambientet e saj. E çfarëdo lloji qoftë! Për fat të mirë, kohët kur mësuesit i tërhiqnin nxënësit nga favoritet apo i qëllonin me vizore, “kanë perënduar me kohë e me vakt”. Por dhuna apo ngacmimet e nxënësve ndaj njëri – tjetrit nuk kanë rreshtur kurrë. Nga njëra anë, jeta kështu është, nuk mund t’i zgjedhim njerëzit që kemi pranë dhe jemi të ndërgjegjshëm se jo të gjithë janë si duhet të ishin. Shoqëria jonë “prej të rriturish” është e mbushur me të tillë. Prandaj gjasat më të shumta janë që dhe ajo shoqëri në miniaturë, shoqëria e fëmijëve tanë, të mos jetë shumë ndryshe. Po atëherë, si t’i mbrojmë fëmijët tanë? Si t’i këshillojmë në situata të tilla?
Sipas psikologes Silva Loka, drejtuese e Departamentit të Psikologjisë së Përgjithshme
në një nga universitetet private në Tiranë, ndryshimi duhet të fillojë nga ne, të rriturit, qofshim prindër, edukatorë, mësues apo psikologë…Për më shumë, lexoni intervistën.
Çfarë është Bullizmi dhe si duhet kuptuar ai në raport me sjelljet e tjera të dhunshme në shkollë?
Kërkimet më të shumta rreth bullizmit janë bërë në një kontekst shkollor, prandaj përkufizimi më i pranuar gjerësisht për bullizmin është dhënë nga studiuesi australian Ken Rigby (2002), sipas të cilit: “Bullizmi është një dëshirë për të dëmtuar tjetrin + një veprim që lëndon + një disbalancë në forcë midis personave + një përsëritje (në mënyrë tipike) + një përdorim i padrejtë i forcës + një kënaqësi e dukshme e agresorit si edhe një ndjenjë e përgjithshme e të qenit mbizotërues ndaj viktimës”. Bullizëm janë sjelljet e përsëritura, të dëmshme e agresive ndërmjet personave që ndryshojnë në nivelin e tyre të forcës dhe mund të jenë si fizike, ashtu edhe psikologjike. Ato përfshijnë goditjet, rrahjet, ngacmimet verbale, gjestet fyese, përjashtimin ose thjesht presionin për t’iu përshtaturatyre që dëshiron apo thotë bullisti. Këto karakteristika e bëjnë bullizmin jo vetëm një sjellje të dhunshme atipike dhe shumë specifike në raport me lloje të tjera të dhunës në shkollë, por gjithashtu edhe shumë të vështirë për t’u identifikuar si e tillë.
Me fjalë të tjera, sjellje të dhunshme që ndodhin midis nxënësve për shkaqe të tjera, të cilat nuk përfshihen në përkufizimin e dhënë më sipër, nuk konsiderohen si bullizëm. Të tilla sjellje mund të jenë reagimet e ashpra në raste të grindjeve të provokuara nga viktima.
Përse një fëmijë priret të bëhet bullist? Kjo është një pyetje e cila nuk mund të marrë një përgjigje të thjeshtë. Njerëz të ndryshëm dhunojnë për arsye të ndryshme dhe disa dhunojnë më shumë se të tjerët. Disa dhunojnësepse janë të pakënaqur me veten dhe mendojnë se duke i bërë edhe të tjerët të ndihen keq, kjo do t’u sjellë kënaqësi. Disa të tjerë dhunojnë sepse kanë një nevojë të vazhdueshme për t’u treguar të tjerëve se kush drejton. Të tjerë dhunojnë sepse e kanë perceptuar dhunën si të vetmen formë që siguron mbijetesën në mjedisin kaotik social ku jetojnë. Shpesh, për fatin tonë të keq, disa fëmijë dhunojnë sepse familjet ku jetojnë, janë tolerantendaj dhunës ose më keq akoma, i gëzohen të qenit zot të vetes (edhe pse e bëjnë në mënyra shpeshherë të stërholluara dhe duke u përpjekur që të mos bien në sy të vetë fëmijës).
Shkollat vlerësohen si mjedisi ideal për bullizmin. Ato janë institucione hierarkike, si përsa i përket statusit të stafit, ashtu edhe të nxënësve.
Shkollat funksionojnë në bazë të dinamikave dhe fuqive të ndryshme. Sipas Lines (2008), nxënësit i shquajnë lojërat e forcës që zhvillohen midis anëtarëve të stafit në shkollë dhe i brendësojnë ato në një masë të caktuar ose të paktën, i reflektojnë ato në sjelljet e tyre ndërpersonale

Lexoni gjithashtu: Një fëmijë bullist apo një viktimë e bullizimit ?!

Horoskop