
Dita Botërore e Turizmit, ja sa milionë turistë udhëtuan në 7 muajt e parë të 2023
Sot në mbarë botën festohet Dita Botërore e Turizmit . Fokusi i këtij viti është te “ investimet e gjelbra ”, q...
Ani Jaupaj
Kristina bën një nga punët që ka ëndërruar që fëmijë. Bashkë me të shoqin, prej 10 vitesh tashmë, kanë investuar gjithë ç'kishin, bashkë me dëshirën e pasionin, në fermën e kuajve Caravan. Kristina tregon për Living se si nisi kjo ëndërr që sot është kthyer në mënyrë jetese për ta, por edhe pikë e rëndësishme turistike për kalorës nga e gjithë bota.
Kristina, keni hapur një nga fermat me të bukura në vend. Prej sa kohesh funksionon Caravan? Ku ndodheni saktesisht dhe cila është rruga që duhet të ndjekin turistët për t'ju gjetur?
Faleminderit, në të vërtetë është shumë e bukur sepse është gjëja që duam të bëjmë, një ëndërr fëmijërie dhe një mënyrë të jetuari. Ne funksionojmë prej 10 vitesh, por kjo kohë na ka shërbyer pjesërisht për t'u rritur dhe për të vendosur standarde të kërkuara nga tregu ndërkombëtar. Vitet e fundit Caravan ka krijuar një rrjet prej 20 partnerësh ndërkombëtarë, kompani të specializuara në kalërimin e disiplinës “trail” në natyrë dhe pret kalorës nga e gjithë bota në katër udhëtime të ndryshme të aventurës.
Qendra është e vendosur mbi kodrat e fshatit “Asim Zeneli” përballë Gjirokastrës, 15 minuta larg qytetit me makinë dhe është shumë e lehtë për t'u arritur me çdo mjet. Pozicioni është zgjedhur i tillë që t'i lejojë kuajt të shijojnë një habitat natyror të patrazuar nga urbanizimi. Kështu që duke ardhur tek ne mos prisni kafene dhe restorante por vetëm mjedis të natyrshëm për kalorës dhe kuaj.
Na tregoni itinerarin e një dite në fermë, si e keni organizuar për të kënaqur e mbajtur në aktivitet klientet?
Qendra është e specializuar tek kalërimi në natyrë. Kuajt trajnohen sipas metodës Parelli kombinuar me përvojën dhe dijen lokale dhe një ditë e zakonshme e jona në sezon është gjithnjë në udhëtim. Nis në mëngjes me përgatitjen e kuajve, vlerësimin e gjendjes fizike, pajimet, logjistikën shoqëruese për kuajt dhe për kalorësit. Distancat që përshkohen janë mësatarisht 25-30km në ditë kryesisht në terren sfidues në varësi të itinerarit që përshkohet. Kalorësit tipikë janë ata që zgjedhin udhëtimet tona një javore të niveleve 3 dhe 4 të vështirësisë brenda një shkalle me 5 nivele. Kalorësit bëhen pjesë e jetës lokale pasi programi kombinon vizita në monumente, destinacione të natyrës, historisë dhe traditës lokale. Cdo program përshkohet nga një fabulë, psh një javë mund të jemi duke ndjekur dhe imituar turet historike të karvaneve mesjetare të tregëtarëve dhe një javë tjetër mund të jemi duke ndjekur gjurmët e Skerdilajdit që doli në det përmes maleve me 5000 kalorës. Ideja që përshkon turet është sipas klientëve tanë identiteti i tureve dhe e bën udhëtimin shumë interesant. Cdo mbremje pjesëmarrësit qëndrojnë me një familje të ndryshme dhe bëhen pjesë e aktiviteteve të mbrëmjes që nga mbledhja e bagëtive, puna në kopsht, përgatitja e darkës, dollitë me raki dhe vallet traditcionale. Mbrëmjet janë momente kur kalorësit ndajnë mes tyre eksperienca të kalërimit nga vende të ndryshme të botës, janë momente kur flitet për kuajt dhe kutë gjithë mësojnë gjëra të reja.
Ndërsa për klientët tanë një ditorë programi është pak më i ndryshëm. Turet një ditore filluam ti promovojmë gjatë pandemisë si një alternativë për të qenë aktivë në ditë të vështira. Kuptuam se këto programe këkonin më shumë vëmendje dhe dedikim sepse shumë shpesh ke të bësh me njerëz që takohen me kalin për herë të parë. Është dicka mes magjisë dhe frikës, një emocion që kontrollohet nga këto dy ekstreme. Ne mendojmë se tregu shqiptar duhet të edukohet me kuajt dhe kalërimin dhe kjo merr kohë. Ne jemi vetëm në fillim të kësaj rruge.
Turet tona një ditore ndërtohen në bazë të aftësive që kanë pjesëmarrësit, ka ture që shkojnë në disa orë dhe kontrollohen nga dy apo tri guida për të garantuar sigurinë dhe ka të tjera më të shkurtra që kombinohen me aktivitete në fshat, pjekjen e petankut traditcional, piknik në natyrë, muzikë, kopshtari, vizita në fermat përreth, akomodim në shtëpi fshati, zbulimi i monumenteve të natyrës dhe trashëgimisë kulturore.
Por në themel ajo që në duam të arrijmë është një kontakt shumë i mirë me kalin, dicka që krijon një marrëdhënie të re, një raport ndryshe nga mendimi që i sjell njerëzit për të kalëruar.
Cilat janë disa nga shtigjet ku mund të behen shëtitje me kuaj?
Përvec shtigjeve tona tradicionale që shkojnë drejt Zagorisë, drejt bregdetit, drejt Vjosës në Përmet dhe përgjatë luginës së Drinos këtë vit janë në funksion dhe të markuara në hartë 8 shtigje të tjera që zbulojnë liqenet e vogla artificialë përreth qendrës, kalanë e Shën Triadhës, parkun e Antignesë, manastirin e Spilesë, Dhoksatin me shtëpitë qindravjecare, cesmat, kalldrëmet dhe mbi 10 shije unike të gatimit, Nokovën, Karjanin e Qetoratin, Saraqinishtën, me kishat, shtëpitë dhe begatinë e tokës e bahceve.Ne shpesh kalërojmë “për miqësinë” përgjatë luginës së Drinos dhe në kodrat e fshatit “Asim Zeneli” dhe e mbyllim një ditë mes miqsh me petanik e raki fshati, me shkëmbim të përshtypjeve dhe ide për të ardhmen.
Ç'marredhenie keni me natyren, me kuajt, pra cila është arsyeja pse e drejtuat veten në nje aktivitet të tillë?
Unë nuk jam e vetme në këtë aktivitet. Im shoq Aureli dhe shoku ynë i përbashkët gjithashtu partner në biznes Iliri ndajnë me mua pasionin për natyrën dhe lirinë.
Gjithcka nisi për të përmbushur këtë pasion. Kontakti im i parë me kalin ishte në moshën 5 vjecare dhe që atëherë ishte një ëndërr që duhej plotësuar për veten. Por kur të pëlqen dicka, nëse e ndan me të tjerët është edhe më bukur. Ne kalërojmë për veten, për të qenë të lirë, për të dashur një kalë. Shumicën e gjërave që di për veten dhe për jetën i kam mësuar nga kuajt. Janë mësues të shkëlqyer, ndonjëherë udhëheqës të nxituar, ndonjëherë fëmijë kapricozë. Disa kuaj vijnë në jetë për të të mësuar, për të të ndryshuar jetën dhe për të jetuar me ty momentin. Kalorësit klasikë thonë se sikur përgjatë gjithë jetës të kesh takuar të paktën një kalë të tillë ke qenë me shumë fat. Unë kam takuar të paktën tre kuaj të tillë dhe uroj që dy prej tyre që ende i kemi në qendër të jetojnë me ne sa më gjatë me ne.
Sa kuaj keni sot ne fermë?
Sot kemi 43 kuaj, të gjithë të rracës shqiptare sepse ky ishte qëllimi i qendrës, gjetja e ekzemplarëve më të mirë të rracës, kryqëzimi i tyre dhe përmirësimi në vetvete i rracës së një kali autentik, nga të fundit nativë të Ballkanit. Kali shqiptar i njohur me këtë emër në katalogun ndërkombëtar të kuajve është një nga pasardhësit e tarpanit të Ballkanit. Ai ka këmbë të sigurta, mendje të kthjellët, rezistencë të lartë dhe është shumë i shpejtë në lugina, karakteristika të fituara prej kombinimit të tarpanit me kalin arab.
Si ka qene ky vit per ju, krahasuar me te tjeret dhe si është në përgjithësi turizmi dimëror?
Sezoni ka qenë shumë i vështirë me gati 90% të tureve të anulluara por ishte një përiudhë e mirë reflektimi për ide dhe produkte të reja. Gjatë 2020 ne krijuam konceptin e parë të shkollës së kalërimit si dhe hodhëm bazën e programeve të shkurtra. Sezoni ynë tipik është prej Marsit deri në fund të Nëntorit por këtë vit kuptuam se sezoni mund të shtirihet gjatë gjithë vitit nëse aktivizohen produktet e reja. Turizmi dimëror është shumë i vecantë, ka tjetër sharm, është më i ngadaltë, më i kujdesshëm, merret më shumë me detajet dhe klientët tanë provuan se mund të jetë edhe stinë e preferuar për pushime aktive.
Turi ynë klasik dimëror këtë vit u kombinua me artin dhe ishte një gjetje e mirë. Po mendojmë që cdo sezon dimëror të ketë një tematikë qëndrore. Ndoshta vitin tjetër do të kemi temë qëndrore, gastronominë.
Sot në mbarë botën festohet Dita Botërore e Turizmit . Fokusi i këtij viti është te “ investimet e gjelbra ”, q...
Djali i yllit të famshëm të muzikës botërore, Madonna-s, ka festuar ditëlindjen e 18, i cili tashmë konsiderohet si një...
Kemi dëgjuar vazhdimisht të flitet për ëndrrën amerikane, tokën e premtuar të mundësive të mëdha dhe s...