Kuzhina / 4 Prill 2023, 09:06

Shije greke në tryezën tuaj, ja si të përgatisni kallamarë të mbushur

Shije greke në tryezën tuaj, ja si të përgatisni

Kjo recetë u përgatit nga Delicious.al

PËRBËRËSIT PËR 5-6 PERSONA : 1 kg e gjysmë kallamarë të mëdhenj, 1 filxhan oriz, 2 qepë të grira, 10 lugë vaj ulliri, ½ gote verë e bardhë, 1 tufë majdanoz i grirë, kripë dhe piper.

PËRGATITJA: Pastroni kallamarët, hiquni kockën, sytë dhe pjesët e forta dhe lajini mirë. Prisni tentakulat e kallamarëve në pjesë të vogla dhe skuqini në tigan me 5 lugë vaj bashkë me qepët, derisa tentakulave t’u shterojë lëngu dhe qepët të zbuten dhe marrin ngjyrë disi të artë. Shtoni në tigan orizin dhe përziejeni për 1 minutë, më pas shtoni verën e bardhë, për ta zier paksa, pa avulluar të gjithë verën. Shtoni ¾ e majdanozit të grirë, kripë e piper sipas shijes tuaj dhe ziejini edhe për 2-3 minuta. Hiqini nga nxehtësia.  Mbushni kallamarët me këtë përzierje deri në ¾ e tyre, duke lënë vend kur orizi të fryhet. Mbyllni grykët e kallamarëve me një kunjë dhëmbësh. Shtrojini kallamarët me vajin e mbetur të ullirit në një tigan të gjerë dhe skuqini për pak nga secila anë, sa t’u jepni ngjyrë. Mbushni tiganin me ujë derisa t’i mbuloni kallamarët në ¾ e tyre, ulni nxehtësinë, vendosuni kapak dhe lërini të ziejnë. PS: Mund të zgjidhni t’i zieni edhe në salcë domatesh, por kjo është receta bazike për kallamarë të mbushur, për të qëndruar krejtësisht te shija e tyre. Shërbejini të plotë ose të prerë në rrathë të trashë, pasi t’u keni hedhur sipër pjesën e mbetur të majdanozit.

Horoskop