Kuzhina / 2 Tetor 2023, 16:38

Supë me thjerrëza të kuqe

Supë me thjerrëza të kuqe

Kjo është një nga supat më të përdorura në Turqi, një recetë e shijshme dhe e shëndetshme që përmban plot vitamina dhe proteina.

Përbërësit: 1 gotë thjerrëza të kuqe, 2 patate të mëdha, 1 karotë e madhe, 1 kungulleshkë, 1 qepë e vogël, 1 thelb hudhër, 2 lugë gjelle salcë domatesh, 1 lugë çaji spec i kuq pluhur i ëmbël, dhjozmë/nenexhik i njomë ose i thatë, majdanoz, kripë, piper, vaj ulliri, pak gjalpë dhe limon.

Përgatitja: Në një tenxhere skuqim me vaj ulliri qepën e prerë. Më pas shtojmë kungulleshkën, karotën dhe patatet. I lëmë të skuqen mirë me njëra-tjetrën. Pasi janë skuqur të gjitha, shtojmë hudhrën dhe i lëmë të skuqen edhe pak për të marr shijen e saj. Në fund shtojmë salcën e domates, i përziejmë dhe hedhim thjerrëzat. Përsëri i skuqim, duke shtuar piper të zi, specin e kuq të ëmbël, kripë, nenexhikun bashkë me majdanozin e prerë imët. I trazojmë mirë për 1 minutë dhe në fund shtojmë ujë dhe i lëmë për 20 minuta të ziejnë. Nëse shikoni që gjatë zierjes ka nevojë për ujë, shtojeni pasi thjerrëzat e thithin shumë ujin. Pas 20-25 minutash në vlim, largojmë tenxheren nga zjarri dhe e frulojmë supën duke e bërë kremoze. Nëse kremi del shumë i trashë e holloni me ujë dhe e ktheni përsëri në zjarr sa të marrë një valë. Mos harroni të kontrolloni kripën. Në një tigan të vogël skuqni pak gjalpë me spec të kuq të ëmbël pluhur dhe hidhjani pak supës kur e servirni. Supa këshillohet të shoqërohet me lëng limoni pasi i jep më shumë shije. Ju bëftë mirë!

Horoskop