Turizmi / 15 Prill 2016, 08:41

Xhani Shqerra: Një shëtitje “par excellence”

xhaniliving
Sapo mbërrin në Barcelonë, pas akomodimit në hotel, shëtitja e parë që duhet bërë, në këmbë, është me siguri ajo në “Passeig de Gracia”. E jo më kot zgjodha Gracia-n, bulevardin plot hijeshi ku gjenden veprat më të bukura të arkitekturës e ku modernizmi merr jetë falë kreativitetit, bukurisë, funksionalitetit dhe revolucionit social. Ndalesa e parë, në Casa Batlló. Hyrja kushtonte 23 euro, pa përkthim. Shqipja fatkeqësisht nuk renditej në “zërat guidë”. Sipas zotërisë që na bënte guidën, ndërtesa origjinale ka qenë një hapësirë e ngushtë, me formë drejtkëndore të zgjatur, e cila ishte një sfidë për arkitektin katalanas, Gaudí, puna e të cilit përfundoi një vit më pas, me ndryshimin e pamjes së ndërtesës. Antoni revolucionarizoi fasadën kryesore, shtriu një oborr qendror dhe ngriti lartësinë e dy kateve ekzistuese. Kati i parë i ndërtesës, i ashtuquajturi kat kryesor ishte projektuar për të strehuar familjen Batlló, ndërsa në katër planet e tjera ishin studiuar tetë apartamente për t’u dhënë më pas me qira. Më duket avangardë si koncept, duke pasur parasysh së bëhej fjalë për vitin 1907. Pas fasadës së mahnitshme, me forma si një “hapje goje”, ndjesia e brendshme është si vetë klima e qytetit. E në fakt, si me magji bëhesh protagonist i një shtëpie përrallash. Ngjyrat tjegull, gradualisht ndryshojnë në bazë të intensitetit të dritës. Një përzierje mes një torte gjigante, një filxhani me bisht të madh, ku bishti është shkalla, ballkone në formën e eshtrave të njeriut, pllaka që duken si zambakë uji, apo kulmet e çatisë, të cilat i ngjajnë siluetave të dragoit. Ia vlejti çmimi i biletës; nxitja e imagjinatës dhe ndjesia që kjo të lë, nuk ka të paguar. Guida më mësoi se borgjezët e Barcelonës të 1900-ës, për t’u krenuar me pasurinë e tyre, i bënin zili njëri-tjetrit, duke garuar në investime arkitekturore. Në një kënd të bulevardit “Passeig de Gracia” më shfaqet një ndërtesë tjetër. Casa Milà, e njohur si La Pedrera (Gurrorja), për shkak të fasadës së punuar me gur. Hyrja, 20 euro. Që në pamje të parë duket se është një shembull përfaqësues i talentit të Gaudí-t. Eksterieri përsërit motivin e valëve, ballkonet e lakuara i imitojnë ato, hekuri i punuar po ashtu është i mrekullueshëm. Me të hyrë goditesh nga shumëllojshmëria e elementeve me ngjyra, si shkallët në të djathtë. Viziton kështu një apartament me një riprodhim të elementeve origjinale, që nga mobiliet e hyrjes e deri te salloni, në dhomën e ndenjes. Të gjitha orenditë janë të projektuara nga vetë arkitekti. Aty gjeta paksa veten, pasi në këto linja e frymëzim në kontakt me natyrën më pëlqen të shpreh krijimtarinë time në dizajn. Aty pashë muzën time, që deri para kësaj vizite mbetej imagjinare. Duke u treguar pak modest dhe i rrëmbyer nga tërë ai frymëzim, u ndjeva si në shtëpi, prandaj ndalova për ta kapur atë moment. Vizita bëhet më e gjatë, sepse në të ka shumë elementë, të cilat duhet t’i shohësh për t’i kuptuar në detaje. Nga kuzhina madhështore e moderne për kohën, menduar për çiftin e ri Segimon-Milà, të cilët do banonin në atë shtëpi e do ta trashëgonin lidhjen e tyre. Karrigia-tavolinë e fëmijës është një shembull dizajni e komforti për një bebe që edukohet me të ushqyerin. Dhoma e shërbëtores, më e vogël në përmasa, por me të gjitha kushtet higjieno-sanitare, tualetet e ndara, dhoma e hekurosjes, ajo e fëmijës me lojërat përkatëse dhe më e veçanta, dhoma e vendosjes së aksesorëve të hobeve të zotërisë, hipizmit. Pjesë e mahnitshme e vizitës është papafingoja, ose e thënë ndryshe, “golfes”, galeri që duken si brinjë të një balene. Aty mësojmë parimet arkitektonike të Gaudí-t, pasi në të gjenden modele dhe makete të veprave të tij. Duke dale në tarracë, në fund vlerëson aplikimin e këtyre parimeve, përdorimin e dritës dhe ventilimin natyror, së bashku me detaje të dedikuara jetës së përditshme, të pasuruara me shijen e autorit, si oxhaqe që kujtojnë luftëtarët mesjetarë. Akoma më interesant e bën dielli që duket sikur të përqafon për një rrugëtim mes emocioneve të artit dhe racionalitetit të mendimit. E si të më shpëtonte pa bërë një selfie?!”.

Shkëputur nga revista Living

{gallery}fotogaleri2016/xhani-barcelone{/gallery}

Horoskop