Turizmi / 23 Prill 2016, 08:44

Malta, ishulli i filmave

mmaalt

Nga Santana Çomora

Të gjithë e njohin Maltën për plazhet përrallore, por redaktorja jonë e udhëtimeve dhe modës, Santana Çomora, në këtë artikull na njeh me një anë tjetër ekzotike të ishullit të vogël. Ajo ka vizituar personalisht fshatin më të famshëm të zonës, Popeye, i cili jo më kot mban emrin e filmit të famshëm vizatimor. Kompleksi me shtëpiza të vogla e shumëngjyrëshe prej druri është ndërtuar enkas për xhirimet e filmit me të njëjtin titull, që ka për protagonist aktorin hollivudian Robin Williams...


Nëse një ditë do të vendosni të vizitoni ishullin e vogël të Maltës me muret e kështjellës, ngjyra e së cilës thyhet bukur me detin në nuancat e smeraldit, do të keni shumë për të parë e për të shijuar. Kjo perlë e vogël gjendet në zemër të Mesdheut, shumë afër shtetit fqinj Italisë (95 km nga Siçilia) dhe po kaq edhe nga Tunizia. E ndodhur mes shumë shtetesh, Malta është një konglomerat kulturash. Një prej karakteristikave të saj është se nuk e kupton ku mbaron dhe ku fillon një qytet nga tjetri. Me ndërtesat me një stil krejt të veçantë të ngjashëm me dritaret e qytetit të Beratit, Malta, mbetet një vend për t’u zbuluar. Shpesh, mendon se vendet me sipërfaqe të vogël janë më të lehta për t’u eksploruar dhe “për të ngulur flamurin”. Por, Malta të ofron më shumë se kaq. Sapo mendon se ke zbuluar gjithçka, kupton se në fakt, nuk ke parë asgjë. Një vend i surprizave, i larmisë së kohërave, i kulturave (arabe, italiane dhe asaj angleze), por mbi të gjitha, I bukurisë natyrore. Një prej gjërave të para që duhet të bëni është të vizitoni atë që sot njihet me emrin “qyteti i qetësisë” Medina, qyteti i vjetër me rreth 300 banorë e që ndodhet 30 minuta larg nga La Valletta (kryeqyteti I Maltës). Është një prej vendeve më tërheqëse, sepse të bësh një shëtitje në të, të duket sikur je kthyer pas në kohë. Këtu do të shijoni dyqanet e qeramikës në të gjitha llojet e format e mundshme. Kur thashë në fillim se Malta mbetet vendi i surprizave kisha parasysh një fshat të vogël brenda një gjiri, që mban brenda vetes një histori filmi dhe një symbol fëmijësh, “heroi i spinaqit”. Eh, kush nga ne nuk e njeh filmin vizatimor “Popeye” dhe muskujt e tij të famshëm, personazhet si Olivian, Bluto dhe Polton? Por, shumë pak e dinë se filmi me aktorë të vërtetë, ku protagonist është Robin Williams, është realizuar në Maltë, në pjesën veriperëndimore të saj, në një fshat të vogël ndërtuar buzë detit, me disa shtëpiza të vogla ngjyra-ngjyra. Pamja nga lart të befason. Mendon se je në një shesh xhirimi, ku po xhirohen sekuenca të një epoke tjetër. Por, në fakt, fshati është ndërtuar me një qëllim të caktuar: këtu janë realizuar skenat e famshme të “Popeye” dhe dyluftimet e tij me piratët që zbarkonin në fshat nga deti. I ndërtuar nga dy kompanitë më të mëdha të filmit, “Walt Disney” dhe “Paramount Picture”, këtu nisi të marrë jetë edhe veprimtaria kinematografike e aktorit të Hollivudit, Robin Williams.


543ff013893f9 malta jhkobi lg
Tashmë, ky fshat i vogël nuk e ka humbur magjinë e tij, por është shndërruar në një destinacion turistik, ku janë akoma të pranishme veshjet e asaj kohe, muzeu i vogël me objektet e përdorura gjatë setit të filmit, baret dhe restorantet për vizitorët, dyqane suvenirësh, fusha të vogla golfi, etj. Nuk duhet lënë pa provuar as ndjesia dhe emocionet për t’u bërë dhe vetë protagonist i një “çak”-u kinematografik. Organizatorët e këtij fshati turistik do t’ju shndërrojnë në personazhe të filmit të famshëm. E gjithë kjo aventurë e këndshme zgjat rreth 45 minuta, por mbetet një kujtim I veçantë. Ndjehuni për një moment fëmijë, është bukur!
Seti kushton 30 euro, por pas 45 minutash do të keni në dorë një CD, ku aktorë protagonistë të “Popeye” do të jeni vetë ju, si dhe 2-3 foto në ambientet e fshatit (të përfshira në çmim). Gjatë qëndrimit për rreth dy orë në këtë fshat, në pjesën muzeale të tij, mësuam se janë dashur më shumë se shtatë muaj punë dhe 165 punëtorë, që janë marrë me punimin dhe ndërtimin e 19 shtëpizave të vogla. Në fakt, vetë Malta është një set kinematografik. Bukuritë e saj dhe kështjellat karakteristike janë përzgjedhur nga shumë regjisorë të njohur për të zhvilluar xhirimet e filmave më të famshëm me skena lufte si “Gladiatori”, “Konti I Monte Kristos” dhe “Troja”.

Sugjerime:
- Nëse pëlqeni jetën e natës dhe doni të argëtoheni e të mbani mend një natë ndryshe, mos lini pa provuar një prej zonave më të populluara të Maltës, Paceville (i ngjashëm me zonën tonë të Bllokut), ku rinia dhe adrenalina e saj do t’ju mbajnë zgjuar deri në orët e para të ditës.
- Mos merrni makinë me qira. Timoni në anën e kundërt (timon anglez), gjithmonë do t’ju çorientojë e nuk do t’ju lejojë të përqendroheni për të shijuar vendin. Në qoftë se nuk do të qëndroni për shumë ditë në ishull, më mirë përdorni linjat urbane që janë të shpeshta dhe të rehatshme.
- Mos lini pa provuar pjatën e preferuar malteze fenkata, një ushqim me bazë lepuri. E gjeni në çdo meny restoranti.
- Një ditë kushtojani ishullit të Gozos, për të mësuar më shumë rreth historisë dhe bukurisë së tij.
- Vizitoni Katedralen “San Giovani” në La Valletta për të parë pikturat e Karavaxhos.
Gjëra që duhet t’i dini për Maltën:
- Që nga viti 2008 monedha në qarkullim është euro.
- Nuk ekzistojnë prefikse telefonash në Maltë.
- Gjuhët zyrtare janë gjuha malteze dhe anglishtja.


Për të mbërritur deri në fshatin e heroit të krahëve të fuqishëm keni dy mundësi:
1.Të merrni autobusin 645 nga Melleiha Bay e më pas, linjën e autobusit 441, që brenda 10 minutave do t’ju çojë në destinacionin e duhur.
2.Të përdorni të njëjtën linjë urbani, por ta përshkoni
në këmbë një pjesë të rrugës, duke shijuar panoramën fantastike që ofron ishulli.

Horoskop