Turizmi / 24 Korrik 2016, 08:46

Pushimet? Vetëm ikni! Ikniiiiii !!!!

Tropical Vacation

“Ku do pushosh këtë vit?”, më pyet komshija e katit të tretë, ajo që lë gjithmonë plehrat tek dera e jashtme dhe rri gjithmonë me disa gra të tjera tek hyrja e pallatit, për të folur për shkundjen e tapeteve dhe metodat bashkëkohore të gatimit të ‘imam bajalldisë”. I pëshpëris nëpër dhëmbë që do jem gjithë muajin këndej vërdallë, kur ajo ia jep me të madhe “Si??????? Nuk do ikësh me pushime?????”.
Iki nga sytë këmbët shkallëve me vrap, e trembur mos ngrihet gjithë pallati dhe më bëjnë gjyqin kolektiv mu aty tek shkallët, aty ku duhej të mblidheshim nja tre vjet më parë për të paguar lekët e një pompe uji dhe për të zgjedhur një administrator të ri pallati, por që s’u bëmë dot të gjithë bashkë dhe lamë një zonjë që ishte më në gjendje t’i paguante prej asaj dite të gjitha shërbimet... Iki e tmerruar se e di që janë gati të pyesin e të skandalizohen të gjithë se si unë, vajza beqare dhe trendy, në vend të them me krenari ndonjë destinacion të rëndësishëm, na paskam zgjedhur të mos iki e të rri këtu. Iki me vrap se ata aq duan, pas asaj fjalisë ‘nuk iki’ janë të gatshëm të bëjne hetime të detajuara: mos më është ulur rroga, mos jam ndarë nga i dashuri, mos ka mami në shtëpinë e vet ndonjë problem dhe unë po e ndihmoj, mos jam shtatzënë, mos po planifikoj të iki në ndonjë vend që s’duhet ta marrë vesh askush…
Deri tek makina nuk më del kush. Vetëm se në radion ku unë dëgjoj gjithë kohës këngë ‘të brezit tim’ të gjitha reklamat fillojnë më ‘përpara se të ikni me pushime mos harroni të kaloni nga ajo qendra tregtare”, për të mbaruar me filan e fistëk agjensi që të çojnë dhe në fund të botës me fare pak lekë… Asnjë reklamë për ata që duan të rrinë në qytet dhe asnjë mesazh sensibilizues për qytetarët që u çajnë dërrasat fqinjëve duke pyetur “ku do shkoni me pushime?”.
“Me pushime!” Kemi evoluar ca në fakt. Ja, përpara nja njëzetë vitesh, kur shkëmbeheshe me dikë në rrugë të pyeste “ca do bëni për pesmediç“. Që ishte shkurtimi i “pesëmbëdhjetëditësh”. Domethënë aq sa ishin ditët kur të zgjaste “leja e zakonshme” gjatë të cilës duhej të bëje gjithë punët e zakonshme e të jashtëzakoshme të vitit si lyerje shtëpie dhe shkepje e leshit të dyshekëve dhe jorganëve, dasmën e kunatit apo të zierjen e rakisë me rrushin e bahçes, e nëse gjeje ndonjë fletë kampi apo kabine mund të bëje dhe plazh të cilësisë së parë, duke ngrënë në mensë, apo të cilësisë së dytë duke udhëtuar me furnelën e vajgurit me vete e duke mbajtur radhën për të mbushur ujë te çezma e plazhit… Tani “pesmediçi” i shkretë është rrudhur ca, shkon nga një javë deri në dhjetë ditë, ama meriton të quhet me plot gojën “pushime”. Fiks siç ma përplas shitësja e minimarketit poshtë pallatit këtë fjalë sa herë shkoj. Ka dy muaj, qëkur vera zyrtarisht ka nisur që teksa merr frymë me zor mes frigoriferëve dhe arkave lajmëron çdo klient se sa të vijë gushti ajo dhe familja e saj do ikin një javë me pushime. “Do e mbyllim dhjetë ditë, epo shpirtin shejtanit nuk do ia japim de! Kemi nevojë për pushime”, thotë dhe herë pas here pyet këdo: “po ti ku do ikësh? kur?”
Pastaj është dhe këpucari, ku kam çuar sandalet që m’i zuri shiu dhe mu shqitën. Merr në celular dhe thotë që duhet të shkoj urgjent e t’i marr sandalet se në 1 gusht ai do ikë me pushime dhe do kthehet në 18 “do u ikë koha sandaleve goce, sa të kthehem unë”, thotë shpejt e shpejt ndërsa unë mendoj se atij duhet t’i ketë ecur më mirë biznesi sesa shitëses së lagjes.
Eshtë pastaj dhe ajo teta tjetër, që s’ja di emrin por që e shoh gjithmonë duke patrulluar tek rrugica e shtëpisë dhe që sheh me vëmendje çdo procedurë parkimi makine. Ajo pyet direkt “ku ishe për pushime” dhe nuk të lë mundësi t’i thuash “nuk do shkoj “ se të thotë: “dukesh që ke qenë në plazh se të qenkan bërë prapë njollat në fytyrë. Po pse s’blen një krem dielli?”. Nuk arrin dot të justifikohesh në kohë, që ke qenë vetëm për fundjava dhe se kremin e ke blerë nga ata të shtrenjtët fare, ndaj dhe njollat quhen cilësore, se ajo direkt ka pyetjen tjetër “jashtë shtetit ishe? Se ju që dilni në televizor vetëm jashtë shkoni”.
E kotë t’i sqaroj ndonjë , por buzëqesh duke ngritur supet “epo-ç‘të-bëjmë-ky-fat-na-qëlloi”. Përderisa nga njerëzit e ekranit priten të këtilla rrëfime, nuk do rrimë t’u lodhim kokën njerëzve e t’u tregojmë gjëra normale me plazhe shqiptare apo të diela pishinash. Sepse të gjithë janë në ethe. “Ku do pushosh?!” është si të thuash “sa e ke rrogën”. Ose sa mirë ke zgjedhur të jetosh. Dhe nëse thua “hiç” atëherë ti nuk vlen fareeeeeee.
Ndaj e keni, s’e keni terezinë, ju japin apo nuk ju japin leje nga puna, keni probleme me shëndetin apo keni ca plane të tjera për andej nga dimri, keni ca gjëra që ju mbajnë lidhur apo thjesht ju rrihet në shtëpi, keni vetëm një zgjidhje: të niseni. Nuk ka rëndësi se ku, ikni!
Dhe mos harroni, vini statuse në faceboook! Postoni orë e çast që ta marrin vesh të gjithë që keni ikur.

Ikni pa merak se qytetin e keni lënë në dorën time. Ikni se kur të bjerë nata i fik unë dritat!

Nga Iva Tiço

Horoskop