Kategoritë që përfitojnë rritje rroge nga 1 korriku, ja sa do të jetë shtesa
Punonjësit e administratës publike do të përfitojnë rritje të pagës, duke filluar nga 1 Korriku 2024. E ndërsa paga me...
Disa vende, duket sikur janë krijuar enkas për të na forcuar bindjen se Parajsa ekziston. I tillë është Patoku. Një lagunë e vogël, e cila mbështillet nga lumi Mat në Veri dhe lumi Ishëm në Jug. Qëndron pakëz fshehur nga autostrada Tiranë-Kurbin, por mjafton të zhvendosesh gjashtë kilometra, për të gjetur këtë mrekulli të pamasë të Rrethit të Matit. Përballë qytetit të Laçit, përtej autostradës, shtrihet Patoku si një krijim perfekt i natyrës. Sapo merr majtas rrugës nacionale, duke lënë pas shpine Laçin, asfalti i gjelbëruar nga të dyja anët, të udhëheq duke gjarpëruar drejt një prej pamjeve më të rralla të bukurive shqiptare. Relievi i sheshtë i gjithë zonës, të jep një perspective të qartë deri në kufijtë e horizontit, aty ku pastaj uji shkrihet në një me qiellin. Gjatë gjithë rripit të rrugës, të cilën uji e ka pushtuar deri në kufijtë e mbijetesës, sheh ngrehina rrjetash gjigante, të gjitha në aksion për të kapur speciet e veçanta që shkarkon lumi dhe deti njëkohësisht në lagunë. Niveli i ulët i ujit, që shtrihet përreth një sipërfaqeje prej 400 hektarësh, u ka krijuar mundësinë bimëve të ngrenë kryet mbi sipërfaqe. Aty ku uji s’ka mundur dot të mbulojë, janë krijuar zona të vogla ishullore, toka e të cilave ka harlisur të tjera shkurre e lule të egra, të cilat nën efektin e vjeshtës, i kanë krijuar lagunës një aureolë shumëngjyrëshe që lëviz midis tonaliteteve të së kuqërremtës. Sapo shkel këtu, ndjen menjëherë se, kjo pikë e vogël mrekullie, është një doze e fortë esence, e cila të pastron trupin dhe mendjen nga ndotja e jetës së përditshme.
Klikoni ne faqen e dyte
Para pak vitesh, për Lagunën e Patokut mund të dëgjoje të flitej rastësisht nga ndonjë amator i peshkimit. Të paktë kanë qenë ata që e vizitonin këtë vend për të kaluar një ditë ndryshe. Por, ata vizitorë që e kanë parë së paku një herë të vetme këtë minioazë, e cila në perëndim kthehet në një pamje të ngjashme me safarit e Afrikës, janë joshur të rikthehen sërish,për shumë arsye. Përgjatë vijës bregdetare 8-kilometërshe të Patokut, gjen qetësinë e pakrahasueshme, që shpohet hera herës nga zhurmat e motorëve të varkave, të cilat nisen për peshkim, dhe tufave të pulëbardhave, që më së shumti sillen rrotull qiellit, në këtë cep parajse të veçuar nga rrëmuja urbane. Zona, nuk është e plotësuar me shërbime, por disa restorante të ndërtuar vitet e fundit kryesisht mbi ujë, të ofrojnë peshkun më të mirë dhe gatimet tradicionale më të veçanta që mund të keni provuar ndonjëherë. Në patok, mund të gjesh peshk të disa llojeve, si: qefull, levrek, gjuhëz, çafra, ngjala etj. Në çdo stinë të vitit është e sigurt që do të sigurosh në pjatë peshkun e freskët, të cilin laguna “ia tërheq” lumit dhe detit.
E nëse të paktë janë ata që e kanë zbuluar këtë vend mrekullie, edhe më të paktë janë ata, të cilët dinë se në këtë lagunë fshihet një ishull. Ishulli, zemra e lagunës, ndodhet vetëm dy kilometra e gjysmë larg bregut. Sigurisht që për të shkuar deri aty duhet të shfrytëzosh një nga varkat me motor që përdorin peshkatarët e zonës. Ky udhëtim për të vizituar ishullin, është një nga gjërat më të veçanta që mund të shihni. Shtegu ujor që të çon aty, kalon perms një ngushtice të rrethuar nga kallamishtet. Gjithë rruga, e cila të drejton për në grykëderdhjen e lumit Mat, të krijon përshtypjen e endjes përmes një xhungle, ndërsa përreth, syri të rrok një mori livadhesh ujore të populluara me bimë mahnitëse. Pasi mbërrin në destinacion, në breg të ishullit mund të takosh peshkatarë të lokalizuar aty, të cilët ulin e ngrenë në intervale të caktuara kohore, rrjetat e tyre të peshkimit. Madje, ishulli është kthyer edhe në një vend strehimi për ta. Në kolibet e shumta të ndërtuara aty, peshkatarët kalojnë natën, për të ngritur gjatë orëve të territ, kurthet e tyre gjigande. Ajo çfarë të tërheq vëmendjen në mes të këtij ishulli, është shumëllojshmëria e bimësisë. E pasur kryesisht me shkurre, toka e rrethuar nga uji të jep përshtypjen e një parajse, që tani në vjeshtë i janë zhbërë
tonalitet e së gjelbrës. Edhe pse vetëm pesëdhjetë kilometra larg kryeqytetit, Laguna e Patokut është një mundësi e mirë arratisjeje për të kyçur veten, qoftë edhe vetëm për pak orë, mes qetësisë së pazëvendësueshme që gjen aty.
NGA Elona Jaçellari | FOTOGRAFIA: Mirela Tema Andoni
Punonjësit e administratës publike do të përfitojnë rritje të pagës, duke filluar nga 1 Korriku 2024. E ndërsa paga me...
Vin Diesel po i kërkon një gjyqtari të Los Anxhelosit që të hedhë poshtë padinë e ngacmimit se*sual të ngritur ku...
Çmimi i kakaos është rritur me shpejtësi gjatë muajve të fundit. Një ton kakao të martën arriti vlerën e m...