
A e dini pse qafa plaket më shpejt se fytyra? Ja faktorët që ndikojnë dhe si t'i ndalojmë rrudhat
Regjisorja dhe shkrimtarja amerikane Nora Ephron dikur shkroi: “Fytyrat tona janë gënjeshtra, qafat tona janë e vërteta”. Dhe...
Nga: Santana Çomora /Fotografia: Armand Habazaj
Rei Pelushi nuk është një emër i panjohur në fushën e sportit e sidomos në disiplinën që ai ushtron, tenisit. Te ne, ky sport nuk është se ka ndonjë traditë të veçantë, edhe pse vitet e fundit vihet re një interes më i madh.
Arritjet e Reit kanë nisur që në fëmijëri, atëherë kur shkolla e tij “Dora d’Istria”, u bë pjesë e një projekti të Federatës Europiane “Minitenis” e që nga ai çast nuk e ka ndarë raketën nga dora. Edhe pse ka qenë i vogël, ai nuk ka për ta harruar kurrë ndjesinë magjike që ka përjetuar kur e ka prekur raketën për herë të parë. Nisi ta adhuronte këtë sport pa e kuptuar, derisa sot shënon 15 vjet dashuri, sfida, përballje, dështime, humbje e fitore të merituara. Ai është një sportist energjik, që kërkon shumë nga vetja. Ka qenë vetëm 8 vjeç kur humbi ndeshjen e parë dhe u mërzit shumë.
E që atë çast, bëri një pakt me veten, duke vendosur të mos e përjetonte më kurrë atë eksperiencë. Kështu, nisën dalëngadalë fitoret e para. Prej katër vitesh jeton në Amerikë, ku nuk ndalet me fitoret e tij. Gjatë këtyre ditëve që ka ardhur në Tiranë, pranë nënës së tij, Ermirës, e cila ka qenë busulla e jetës për të, Rei na tregon se si me dashuri e përpjekje mund të arrish aty ku dëshiron.
Rezultatet e tij (Kolonë më vete)
Kampion Shqipërie për moshën 10-vjeçare.
Çmimi i dytë dhe i tretë në turnetë për moshat 14-16 vjeç.
Kampion i Shqipërisë në Single dhe Double për moshat 17-vjeçare.
Dy herë kampion kombëtar për moshat 18-vjeçare.
2012 - Gjysmëfinalist në Turneun Europian, duke kapur rekordin e parë dhe të fundit për një tenist shqiptar deri më tani.
2014 - Renditet në 3 më të mirët në Florida, SHBA “IDEA DOORWAY”
2017 - Lojtar i vitit, Konferenca e Federatës Amerikane (Men’s Tennis 2nd Team Single All-Conference)
2012-2015 - Përfaqësues i Shqipërisë në “Davis Cup”
Pas gjithë këtyre arritjeve qëndron një punë e jashtëzakonshme, me një disiplinë të hekurt në të gjitha drejtimet, duke nisur që nga përgatitja fizike, psikologjike, dietat, e deri te mohimi i disa kënaqësive të moshës. Për vite me radhë, kur një pjesë e moshatarëve të tij “eksperimentonin” gjëra të ndryshme, Rei shkonte i pari në fushat e tenisit dhe largohej i fundit. Përveç pasionit dhe stërvitjes së vazhdueshme, familja ka qenë mbështetësja kryesore, pa të cilën ai nuk do të ishte ky që është sot. Një pjesë të mirë të rezultateve të tij ia dedikon edhe gjyshes, nëna Lolës. Por, turneu “Davis Cup” në vitin 2012 do t’i jepte një hov tjetër karrierës së tij, si një tenist që premtonte për një të ardhme të artë. Asokohe ishte vetëm 14 vjeç, pjesëmarrësi më i vogël i asaj gare, por edhe më ëndërrimtari e më i guximshmi.
“Ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme dhe një nga ëndrrat e mia. Ishte një kënaqësi e madhe. Ndihesha shumë i emocionuar që ndodhesha midis lojtarëve profesionistë me një nivel sportiv shumë të lartë dhe të renditur me pikë në ATP. Në të njëjtën kohë, edhe pse i vogël, përgjegjësia ishte e madhe, pasi duhej të përfaqësoja denjësisht Shqipërinë në një sport elitar si tenisi, ku vendi im nuk kishte shumë traditë. Ekipi më i fortë atë vit ishte ai i Bullgarisë, që ishte edhe vendi organizator i aktivitetit. Trajneri i ekipit kombëtar ma besoi mua përballjen me këtë ekip. Emocionet ishin të papërshkrueshme, sepse ndeshja ndiqej drejtpërsëdrejti në televizor dhe stadiumi ishte i mbushur plot. Pavarësisht nivelit të kundërshtarit, moshës dhe rezultatit, përfaqësimi im rezultoi dinjitoz”.
Prej tri vjetësh Rei jeton në Misuri të Amerikës, ku studion në degën Menaxhim Biznes. Në vitin 2014 konkurroi në Florida, ku merrnin pjesë 30 lojtarë dhe ai u përzgjodh në treshen më të mirë. Kjo gjë i dha mundësi të përzgjidhte mes 24 bursave të studimit, nga 24 trajnerë të ndryshëm. “Pra, isha unë që kisha mundësi zgjedhjeje. Një kënaqësi tjetër e veçantë. Amerika është vendi i mundësive të mëdha dhe unë zgjodha kolegjin “Missouri Valley” në të cilin studioj aktualisht.
Si çdo fillim, edhe ky ishte i vështirë, pasi ishte hera e parë që largohej nga familja. Por duke menduar gjithë sakrificat e bëra për të realizuar ëndrrën, “dobësitë” e fillimit i ktheu në forcë. Studioi dhe arriti rezultate të shkëlqyera duke u bërë një nga studentët e dalluar, ndërkohë që stërvitej çdo ditë në orët e lira dhe në vitin 2017 doli lojtari i vitit për të gjitha Konferencat. Rei ka një regjim ushqimor shumë të fortë. Ai tregohet shumë i kujdesshëm, duke marrë receta ushqimore të paracaktuara nga specialistët e fushës e duke i alternuar ato me stërvitjen. Vazhdon të mbajë kontakte me terapeutin e tij këtu, Dorian Metën, i cili kujdeset për një efikasitet më të mirë gjatë fazave stërvitore dhe ndeshjeve. Ndikimi i trajnerit është shumë i rëndësishëm në mbarëvajtjen e karrierës së një sportisti dhe ai nuk harron të përmendë trajnerin e parë, Fatos Nallbanin, dhe Rayan Carney, i cili është trajneri i tij prej katër vitesh, pa të cilët nuk mund të arrinte këto rezultate.
“Unë zgjodha tenisin në një moshë shumë të vogël dhe përveç pasionit dhe vullnetit që vit pas viti rriteshin bashkë me mua, mendoj se edhe tenisi më kishte “zgjedhur” mua, ndaj dhe them se ky sport më përshtatet shumë. Do të inkurajoja këdo dhe veçanërisht të rinjtë që ta bëjnë sportin pjesë të jetës së tyre. Sporti është disiplinë, mirëqenie, shëndet, të forcon karakterin, të nxit shpirtin e garës dhe është pjesë shumë e rëndësishme e një shoqërie. Motoja ime është ‘Sporti është jetë, tenisi dashuri’. Një sportist i mirë duhet të jetë njëkohësisht edhe njeri i mirë. Tenisi është një sport individual dhe rrjedhimisht është i shtrenjtë. Kisha dëgjuar se kur je larg, ndjenja e atdhetarizmit forcohet më shumë. Të them të drejtën, është më se e vërtetë. Jam rritur dhe edukuar me këtë frymë, por kur je larg provon një emocion të veçantë, të bukur. Ndihesh krenar kur shikon që për herë të parë në historinë e kolegjit, valëvitet flamuri shqiptar”, - përfundon ai.
Regjisorja dhe shkrimtarja amerikane Nora Ephron dikur shkroi: “Fytyrat tona janë gënjeshtra, qafat tona janë e vërteta”. Dhe...
Brad Pitt shfaqet pa këmishë në trajlerin e filmit të tij të ri, të titulluar “F1 “. Aktori fitues i çmimit O...
Eleganca dhe magjia e baletit klasik të transformuar mbi akull është gati të mbërrijë në kryeqytet. Më 14 shkurt...