
Shenjat e horoskopit që vuajtën në 2023 dhe ato që do të buzëqeshin në 2024
Ata kaluan shumë, u përballën me vështirësi dhe panë që jeta e tyre po ndryshonte rrënjësisht. Përgje...
Nga Brunilda Lahe
Ecja me kuaj është një mënyrë ekologjike e plot adrenalinë, për të vizituar bukuritë natyrore, për të parë ngjyrat e stinëve, monumentet e kulturës, fshatrat karakteristike dhe traditën. Dikur i vetmi mjet transporti, sot udhëtimet me kuaj apo horse trekking, siç njihet në gjuhën angleze e po përdoret gjithnjë e më shumë nga ata që e ofrojnë këtë shërbim edhe në vendin tonë, po kthehet në një atraksion turistik për një fundjavë të pazakontë në zbulim të Shqipërisë. Ashtu si Lord Bajroni apo Edit Durhami dikur kanë udhëtuar me kuaj nëpër qytetet e fshatrat e Shqipërisë, në gjurmët e tyre mrekullohen nga peizazhet edhe “eksploruesit” e ditëve të sotme.
Në jug zgjodhëm të shijonim natyrën, mikpritjen dhe gatimet e shkëlqyera rreth qytetit të Përmetit. Avenir Deliu na udhëheq në këtë aventurë piktoreske, e cila të kthen pas, te gjërat e thjeshta, tek origjina e të bën të udhëtosh në kohë. Aveniri është një djalë i qytetit që pesë vite më parë u rikthye në Përmet pas studimeve në Angli për menaxhim biznesi, me qëllimin për të kaluar pak kohë me familjarët dhe miqtë e tij. “Kthimi im në Shqipëri fillimisht ishte i përkohshëm, për një vit. Gjatë kësaj kohe, shikoja që kishte një interes sidomos nga të huajt, për të vizituar Përmetin, por në të njëjtën kohë kishte mungesë hotelesh apo shtëpish pritëse. Kështu, së bashku me prindërit vendosëm të blinim dy apartamente, të cilët i transformuam tërësisht dhe pas një pune njëvjeçare krijuam “Funky Guest House”. Një ambient plot ngjyra, me një stil modern, i ndërthurur me atë tradicional, të gëzueshëm dhe plot jetë. Aveniri jeton në Përmet, me familjen e tij të madhe e të vogël. Bashkëshortja e tij, Barjona, la Tiranën për të jetuar në këtë qytet të vogël.
Me një pozicion gjeografik shumë të favorshëm për aktivitete në natyrë, rrethuar nga male, kodra, lumenj, lugina, kanione dhe pyje të mrekullueshme, Përmeti ofronte shumë, por që kjo të bëhej e aksesueshme nga vizitorët e pushuesit, nevojitej një mjet. Kështu, lindi ideja për ecje me kuaj! “Olsi është një kushëriri im që vazhdon të jetojë në fshat. Atje ishin rreth 16 kuaj të egër, pra, të lindur dhe të rritur në natyrë. Nuk ishin kapur asnjëherë dhe jetonin në gjendje të lirë. I propozova Olsit idenë time për t'i mbledhur ata kuaj të egër, që t'i vinim në shërbim të kësaj iniciative dhe, pasi ai pranoi, vendosëm të krijonim këtë aktivitet. Ka kaluar rreth një vit prej atëherë, por turnetë i kemi nisur vetëm në mars të këtij viti. Pra, na u desh kohë të përgatiteshim, të gjenim pajisjet (shalat, frerët, kokoret) dhe të trajnonim kuajt. Olsi është ekspert, sepse i njeh shumë mirë ata. Më pas, zgjodhëm shtigjet që do të përshkonim. Disa prej tyre na u desh t'i hapnim vetë, sepse kishte kohë që nuk përdoreshin dhe ishin mbyllur plotësisht nga natyra.”
Ecjet me kuaj ndjekin shtigje në atë pjesë të parkut kombëtar, që ndodhet pranë kanionit të Lengaricës dhe ujërave termale, një nga atraksionet më të vizituara në zonën e Përmetit. Kjo zonë është e njohur për gatimet tradicionale, mikpritjen, fshatrat karakteristike si Bënja, Ogdunani, Delvina, Gostivishti me shtëpitë e gurta, kalldrëmet, çezmat dhe kishat e vjetra të rrethuara nga qiparisat.
“Pikënisja është në qytetin e Përmetit, ku udhëtojmë për 30 minuta me xhip 4x4 drejt Vinjaut (vendit ku janë kuajt). Pra, gjatë kësaj aventure përjeton edhe një eksperiencë off-roading. Pasi mbërrijmë aty, takohemi me Olsin, që na prezanton me kuajt. Si fillim, i ushqejmë me mollë ose bukë, për t'u afruar pak me ta. Më pas, u bëjmë miqve një trajnim të vogël, duke i udhëzuar se ku dhe pse duhet të kenë kujdes gjatë udhëtimit. Në bazë të eksperiencës, zgjedhim shtegun që do të përshkojmë, por më i preferuari është ai përgjatë kanionit të Lengaricës, një shteg i vjetër që shumë vite më parë lidhte disa fshatra të zonës. Në këtë shteg kalojmë urat e gurta të Mixhait dhe të Babos, që datojnë që nga koha e Perandorisë Osmane. Por ne përshkojmë edhe fshatra karakteristike përmetare. Vlera e shtuar e këtyre udhëtimeve janë njerëzit që takojmë, të cilët të presin me buzëqeshje dhe përcjellin vetëm mirësi. Shtëpitë e tyre janë me oborre të qëndisura me vija të bardha dhe të mbushura me lule. Nuk i kursejnë asnjëherë gatesat e shijshme me produkte organike për vizitorët e as qerasjet me gliko e një gotë raki të shtëpisë. Në udhëtimet dyditore e kalojmë natën në një bujtinë ose bëjmë kamping në natyrë.”
Të parët që e vlerësuan dhe nuk ngurruan të zbulonin shtigjet e Shqipërisë me kuaj, ishin turistët e huaj, si çift, ashtu edhe të organizuar në grupe deri në dhjetë persona. Familjarë, miq, por edhe grupe të përziera. “Është shumë bukur të shohësh grupe të tilla, sepse pavarësisht nga kultura, tradita dhe gjuhët e ndryshme, ndajmë të njëjtin pasionin për këtë sport dhe kënaqësinë që na jep natyra”, përfundon Aveniri.
Në veri, na udhëheqin Edmira dhe Demush Selimaj. Prej dy vitesh bashkëshortët e kanë kthyer shtëpinë e tyre në Valbonë në një bujtinë. Kalin e vetëm, që e kishin për të pluguar tokën, për të transportuar drutë për zjarr, barin për bagëtitë dhe për shërbime të tjera të domosdoshme për një shtëpi në një zonë të thellë malore, turistët e kërkonin gjithmonë e më shumë, për të parë me të bukuritë e zonës. Kështu, ata vendosën të merrnin edhe një kalë të dytë për të kompletuar këtë shërbim. Ndërkohë që Edmira kujdeset për të gjitha shërbimet në bujtinë, Demushi shoqëron turistët çdo ditë nga Valbona në Theth dhe anasjelltas. Rrugëtimi i preferuar i eksploruesve të kësaj zone është Valbonë-Cetrem-Dobërdol-Zalli i Rupës dhe për më guximtarët përfundon në majën e Jezercës. Pamja nga aty lart justifikon çdo sfidë me të cilën të përball udhëtimi.
Në dimër, shtigjet zihen, kështu që në pranverë, sapo shkrin bora, burrat e zonës nisin të pastrojnë e të hapin rrugën, për ta bërë gati për udhëtimin me kuaj. Në vjeshtë, kur ngjyrat prarohen e përskuqen, zbulimi i natyrës përmes këtij sporti është zgjedhja më e mirë për një fundjavë, që të bëhesh njësh me natyrën e të marrësh frymë lirisht.
Ata kaluan shumë, u përballën me vështirësi dhe panë që jeta e tyre po ndryshonte rrënjësisht. Përgje...
Përveç pensionistëve shpërblimi i fundvitit pritet të jepet edhe për kategori të tjera. Ka qenë ministri i Financave...
Eksperti i energjetikës, Azmer Duleviç tha në “Good Mornig Albanians” se ngrohëset e vogla elektrike, konsumojnë më...