News / 26 Tetor 2020, 11:11

Kur intimiteti “flet hapur”; Eksperienca dhe rrëfime nga njerëz me aftësi ndryshe

Kur intimiteti “flet hapur”; Eksperienca dhe rrëfime nga

Nga: Zhaklin Lekatari 

Për shumicën e njerëzve, seksualiteti është një fushë shumë intime e jetës së tyre personale të cilën ata nuk dëshirojnë ta ndajnë me njerëz të tjerë, me përjashtim, ndoshta, të disa personave shumë të afërt. Nga ana tjetër, jeta seksuale e njerëzve të tjerë është me interes të madh për një pjesë të madhe të popullsisë dhe këtë e dëshmon lehtë tregu i pasur për filma, revista, reklama apo dhe mënyra të sjelljes seksuale. Shpesh ky interes kaq i madh për jetën seksuale të njerëzve të tjerë, ka të bëjë me problemet e thella personale rreth kësaj fushe, por dhe me paditurinë. Është e sigurt që në botën tone moderne, seksualiteti nxit interes madh, por një interes që është i veshur dhe mbështjellë ende me turp dhe parehati.

Seksualiteti është një formë komunikimi e shrehjes së personalitetit të një personi, te një person tjetër. Mënyra si e paraqes veten varet shumë nga mënyra si e shoh veten. Si mund të ndihem tërheqës, si mund të dua dikë, nëse nuk e dua veten time ? 

 Të gjitha këto që sapo permenda vlejnë për të gjithe ne, por marrin vlerë të shtuar nëse flasim për personat me aftësi ndryshe, të cilët duket sikur janë të përjashtuar nga kjo anë e qënësishme e të qënurit individ. Biseda për seksualitetin e personave me aftësi ndryshe ose nuk ekzsiton fare, ose reduktohen në aftësitë e tyre ejakuluese dhe riprodhuese ose në pozicione dhe ndihmë në teknikat seksuale.

Le ta pranojmë që, shoqëria nuk i sheh njerëzit me aftësi ndryshe si qënie seksuale, por si objekte që kanë nevojë për kujdesje, si persona të sëmurë, që nuk do kenë një jetë të rregullt dhe me përgjegjësi shoqërore siç është dhe puna. Në të gjitha rastet ky imazh joproduktiv nuk i ndihmon njerëzit më aftësi ndryshe të rrisin vetëbesimin, por as i jep mundësi atyre që të zhvillojnë një jetë aktive romantike dhe seksuale: Kush dëshiron të martohet me një person të sëmurë?


E gjithë kjo parathënie është e domosdoshme për të treguar më shumë rreth eksperiencave dhe rrëfimeve të vërteta nga njerëz me aftësi ndryshe, të cilët shpesh herë kanë vështirësi të shprehen dhe të tregojnë copëza nga jeta e tyre romantike, nga refuzimet, injorimet apo zhgënjimet që kanë perjetuar.


Takimin dhe bisedën e parë e kryeva me Suela Lala, e njohur tashmë si promotorja kryesore e të drejtave të personave me aftësi ndryshe në Shqipëri. Suelën e kam njohur personalisht në një event të organizuar nga një grup vajzash, ku secila nga të ftuarat duhet të tregonte rrëfimin e jetës dhe fuqinë për të ndërtuar dhe zhvilluar veten. Historia e saj është shumë inpiruese, sepse mbasi në moshën 14 vjeçare një plumb qorr i dëmtoi shpinën kurrizore duke e lënë tetraplegjike, ajo gjeti kurajon jo vetëm të shkollohej, të edukohej, të shkëlqente në nivel akademik dhe profesional, por dhe të punojë si këshilluese në shumë institucione ndërkombëtarë, pa harruar  dhe një listë të gjatë të angazhimesh dhe projektesh në shoqërinë civile. 

Suela, menjëherë konfirmon të gjitha dyshimet dhe bindjet e mia rreth temës së seksualitetit në grupin e personave me aftësi ndryshe.


“Ka shumë pak informacion mbi të drejtat e personave me aftësi ndryshe dhe kjo gjë reflektohet në izolimin me të cilin  ne vazhdojmë të përballemi në shoqërinë tonë, ku seksualiteti dhe marrëdhëniet janë ndoshta tabu-të më të mëdha. E megjithatë,  ndonëse shoqëria jonë është kaq e mbyllur, ku personat me aftësi të kufizuara shihen si aseksualë, unë vazhdoj të dëshmoj për marrëdhëniet që ndërtohen dhe gjithashtu për familjet dhe fëmijët ekzistues, sepse kjo është një nevojë njerëzore. Bashkësia e personave me aftësi ndryshe është shumë e larmishme dhe përfshin një gamë të gjerë të aftësive ndryshe për këtë arsye ka shumë realitete të ndryshme përsa i përket seksualitetit dhe marrëdhënieve me ta”  thotë Suela.


E thënë troç, për një person me aftësi të kufizuar është shumë e vështirë të kesh, ndërtosh apo zhvillosh një marrëdhënie, si fillim për shkak të stigmës të lidhur me personat me aftësi të kufizuara, por dhe për shkak të mungesës së përgjithshme të informacionit dhe në fund, por jo për nga rëndësia, për shkak të mungesës së  fuqizimit për ta parë vetën si një qënie seksuale pavarësisht aftësisë së kufizuar.  Duke e parë situatën nga larg, nuk besoja që dhe në këtë grupim do të kishim dallime gjinore dhe që jeta për burrat do të ishte më e thjeshtë, por fatkeqësisht zbuloj që një shoqëri patriarkale nuk do të ia dijë për vështirësitë e të qënurit grua, por as për vështirësitë e të qënurit gay apo të pasurti shije seksuale të ndryshme nga ato binare apo lehtë të pranueshme.


“Në këtë pamje komplekse dhe të vështirë të seksualitetit dhe aftësisë së kufizuar mund të them se për burrat me aftësi të kufizuara është më e lehtë sesa për gratë, pasi ne jemi një shoqëri patriarkale dhe kjo vlen për çdo nëngrup. Kam parë gjithashtu persona me aftësi të kufizuar, me orientim seksual të ndryshëm dhe nuk ndihem mirë  sepse jam e sigurt që është shumë e vështirë për ta. Nuk është një mjedis i lehtë edhe pse sipas OBSH,  15% është përhapja e aftësive të kufizuara në shoqëri dhe nuk duhet të harrojmë që po flasim për miqtë tanë, për kushërinjtë për ata që kemi afër. “


Prandaj për disa pjesëtarë të komunitetit është shumë e vështirë të përjetosh një marrëdhënie romantike, aq e vështirë sa disa prej tyre heqin dorë nga seksualiteti, sepse kanë rënë dakord me presion e shoqërisë për ta parë veten si aseksualë dhe jo si meritorë për t’u dashur nga njerëzit apo për të dashur njerëz.


“Fatkeqësisht nuk ka studime dhe statistika, por  vlerësoj se kjo është shumica. Nga ana tjetër ka persona me aftësi të kufizuar që kanë marrëdhënie afatgjata, ose janë të martuar dhe kanë fëmijë ose thjeshtë shijojnë veten e tyre ose zbulojnë unin e tyre seksual mbasi takojnë të tjerë, por e gjithë jo ndodh në kufijtë e një shoqërie shumë të mbyllur, të painformuar dhe paragjykuese” thotë Suela.


Ajo që është një pionere në promovimin e të drejtave për personat me aftësi të kufizuar në Shqipëri,  zbulon që nuk ka asnjë informacion në gjuhën shqipe në lidhje me seksualitetin dhe aftësitë e kufizuara. Me pak fjalë duhet të jesh i pajisur me një gjuhë të huaj për të marrë informacione  dhe përvoja jetësore nga personat me aftësi të kufizuar. Fatkeqësisht nuk është bërë shumë për të përhapur informacionin seksual për njerëzit me aftësi të kufizuar dhe nga vetë shoqatat e dedikuara të cilat duhet të kishin një rol më të madh në advokim dhe për ta sjellë në vëmendje të politikbërësve. Jo vetëm kaq,  por nuk ka shërbime mbështetëse për seksualitetin dhe shëndetin riprodhues për personat më aftësi të kufizuara.


“Në vëndet evropiane ka më shumë informacion dhe shërbime mbështetëse. Kam lexuar disa vjet më parë këtë libër të bukur nga Barabara Garlaschelli “ Nuk doja të vdisja e virgjër”, një shkrimtare italiane, e cila përshkroi udhëtimin e saj si një grua katriplegjike në gjetjen e unit të saj seksual. Libri ishte një bestseller në Itali sepse pavarësisht aftësive të kufizuara, udhëtimi në gjetjen e vetes është universal dhe të gjithë kalojmë në të njëjtat faza të kërkimit dhe pranimit. Këtu në Shqipëri kemi nevojë që njerëzit të flasin hapur ashtu si Barbara në vëndet tona fqinje. “


Duket sikur ekziston një rregull që dikton që seksualiteti dhe aftësia e kufizuar mos të përdoren në të njëjtën fjali.  Çështja mund të ndryshojë vetëm me të rinj më të informuar dhe me njerëz që kanë një qëndrim të hapur dhe kurioz ndaj jetës. Megjithatë,  është shumë e vështirë që individë të fragmentarizuar të sjellin një kontribut me vlerë, kur normat dhe rregullat e shoqërisë të kufizojnë dhe të bëjnë të mos kesh besim në vete edhe nëse nuk ke asnjë aftësi të kufizuar.


Suela aprovon duke thënë që në fakt për këtë fenomen ekziston dhe një term që quhet: ableizmi. Ableizmi është diskriminim dhe paragjykimi shoqëror ndaj personave me aftësi të kufizuara ose që perceptohet se kanë aftësi të kufizuara. Ableizmi i mohon njerëzit me aftësi të kufizuara duke i bërë të ndihen inferiorë dhe të përjashtuar. Sigurisht që ka disa aftësi të kufizuara  që ndikojnë në funskionin seksual dhe shëndetin riprodhues, por këto mund të kapërcehen me informacionin e duhur. Si fillim duke kuptuar që seksualiteti nuk është një akt specifik dhe së dyti duke kuptuar që një shoqëri moderne si e jona, ofron shumë dimensione të tjera seksuale. Prandaj të flasësh dhe të rrisësh vetëdijen dhe të përhapësh informacionin është thelbësore në këtë proçes.

(Vazhdon...)

 

Horoskop