
Nga Zhaklin Lekatari
Living: Eva, si është të jesh e para dhe e vetmja vajzë në Shqipëri që ka drejtuar një emision sportiv për UEFA Champions League?
Eva: Eshtë vërtet një privilegj për mua të jem drejtuesja e një patente të rëndësishme si Champions League, edhe më tepër e nderuar të jem e para vajzë që e mban këtë detyrë. Të drejtosh emisionin më të rëndësishëm në botën sportive, që përgjithësisht trajtohet si bota e gjinisë tjetër, ka sfidat e veta e megjithatë jam e lumtur që kam dashamirësinë dhe mbështetjen e publikut sportiv cili është ekstremist, njeh vetëm dy emocione, dashurinë dhe urrejtjen, por fatmirësisht ma ka dhënë bekimin e tij që në fillimet e mia.
Living: Si ka qenë për ty rrugëtimi 5-vjeçar në platformën Tring në Studio e Uefa Champions League? Ka ndonjë moment që do të doje të veçoje?
Eva: Kam vetëm kujtime të bukura. Për mua Champions ka qenë një dashuri e papritur, por vërtet e madhe. Është një emision që kërkon angazhim, por përpos kësaj është dhe një emocion i madh. Në ditët e sotme ku dhe reality show bëhet me skenar, të prezantosh diçka si Champions ku çdo ditë është ndryshe nga tjetra, çdo ditë emocion i gjallë me plot të papritura është vërtetë diçka e bukur. Për shkak të këtyre arsyeve e kam të vështirë të zgjedh një moment të vetëm, por po zgjedh finalen e parë të Champions që kam prezantuar pasi e dija që vëmendja e të gjithëve do të ishte aty për shkak të rëndësisë së eventit dhe skuadrës time të zemrës, Juventus, e cila ishte në finale.
Living: Mediat shqiptare nuk ishin indiferente ndaj ftesës që more si e ftuar speciale në emisionin Tiki Taka ? Si ishte për ty?
Eva: Kush do ta kishte menduar që Eva e vogël që mësonte italisht nga filmat e animuar të Italia Uno do të rritej dhe një ditë do të dilte në një prej programeve të këtij gjiganti mediatik. Është si finalizimi i një ëndrre të bukur.
Living: Si e more ftesën në programin Tiki Taka ?
Eva: Unë u kontaktova nga produksioni, i cili kërkonte të bëja një hyrje më të hershme në program, por unë e kisha me merak të mbyllja fazën 1/16 të Champions League këtu në Shqipëri dhe më pas të vazhdoja me plane të tjera, për këtë arsye debutimi im në Mediaset u shty për pas shortit.
Living: Si ishte eksperienca në një nga programet e futbollit në Italinë fqinje, një vend ku futbolli është vlerë më vete?
Eva: Vërtetë fantastike. Italianët janë mjeshtër të televizionit duke e çuar atë në tjetër nivel prandaj ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme. Është e pabesueshme sa shumë mund të mësosh kur prek nga afër diçka të tillë. Mendoj që jam me fat sepse në Shqipëri kam punuar gjithnjë me të mirët në treg, me profesionistë që kanë lënë gjurmë, por kjo eksperiencë vërtetë do të mbetet e paharruar për mua.
Living: Eva, na trego diçka më shumë për prapaskenat dhe si u zhvillua udhëtimi dhe eksperienca jote?
Eva: Personi i parë që takova ishte Piero Chiambretti, prezantuesin historik të Mediaset që tashmë prezanton Tika-Taka, të cilin e kam ndjekur kur prezantonte Chiambretti Night. Më pas Massimo Mauro, ish futbollist që ka dalë kampion me Juventusin dhe Napolin e Maradonës, takova Francesco Graziani të cilin të gjithë e thërrasin Ciccio, kampion bote i Italisë, viti 1982, Nicola Berti legjenda e Interit dhe nën kampion bote, komentatorin Francesco Oppini dhe Pascal Vicedominin që e njoh në fakt nga në tjetër pasion që kam, kinematografinë duke parë që ai është ideatori i festivalit Capri- Hollywood. Të gjithë ishin shumë mikpritës në prapaskenë, sigurisht që u habitën kur kuptuan që isha pjesë e panelit të njëjtë dhe jo pjesë e velinave të programit. Jam e lumtur që kur biseda në studio filloi unë mora përgëzime dhe për njohuritë mbi botën e futbollit.