
Nga: Xhoia Dumi
Në ditët e sotme nuk ka nevojë të kesh me patjetër një dyqan për të shfaqur talentet apo idetë në fushën e modës, mjafton “një vitrinë publike” për të afruar personat që kanë shije të përbashkët.
Kështu thotë dhe Naxara, vajza e talentuar dhe me shije të sofistikuar që prej 3 vitesh është pjesë e rrjeteve sociale me krijimet e saj në “Ginger Concept”!
Me siguri që vetëm nga emri ju ka tërhequr vëmendjen mjaftueshëm por pasi të shihni krijimet e saj jam e bindur që nuk do shkëputeni më.
“Kam qenë përherë e apasionuar pas letërsisë, në shtëpi jam rritur me një bibliotekë shumë të pasur. Ana Kareninën, Çifuten e Toledos apo Ema Bovarinë i kam “takuar” që në moshë të hershme duke rrugëtuar me to nga luksi i salloneve mondane tek jeta e lirë bohemiane. E pikërisht letërsia, arti e kinemaja gjykoj të kenë patur ndikimin kryesor në formësimin e shijeve të mia.”
Edhe pse ajo është mami i një vajze të vogël me emrin Vivien, gjen kohën për të krijuar njësoj si gjyshërit e saj, nga të cilët ka trashëguar pasionin dhe talentin:
“Të dy gjyshërit nga ana e mamit kanë qenë rrobaqepës të njohur në Shkodër, (Sartë siç thoshte nana Inë:)! Prej tyre zanati u trashëgua tek ime më dhe më pas edhe tek unë. Fëmijë e kujtoj veten tek rrëmoja nëpër tepricat e copave të prera për të krijuar për orë të tëra mini koleksionet e mia. E vogël ankohesha pse gjithçka e imja duhej të ishte e qepur (këmishat me jaka të qëndisura, fustane vintage plot dantella e detaje klasike), por sot kuptoj dhe jam mirënjohëse që kam kujtime me veshje shumë te veçanta pikërisht në stilin me të cilin tashmë identifikohem.”
Dëshira dhe idetë e saj nuk mbetën vetëm të tilla pasi në 2018 u krijua dhe dyqani i saj virtual:
“Në 2018 kur vendosa të hap një faqe instagrami biznesi që e pagëzova si "Ginger Concept", vija nga një përvojë e mëparshme shitjesh online dhe kisha ndjekur për shkak të punës së atëhershme disa trajnime për branding dhe online marketing. Këto përvoja më dhanë shtysën të hidhja në një vitrinë publike krijimet e mia. Praktikisht gjithmonë kam modifikuar çdo veshje apo kam krijuar çanta me forma nga më të çuditshmet, por nuk është njëlloj me prezantimin e krijimeve të tua në një publik të gjerë e të panjohur, sfida është e madhe dhe kërkon kurajë”
Patjetër që dhe Naxara ka disa krijime që i mban në zemër dhe i bën me pak më shumë dashuri. Janë pikërisht ato punime të cilat nuk përsëritën 2 herë:
“Puna e dorës qenka si fëmijët që nuk i ndan dot. Secila prej punëve të mia mbart copëza të miat, të frymëzimit të momentit apo pjesë të një linje të mirë strukturuar. Kam në mënyrë të veçantë përzemër krijimet që vendos të mos i përsëris”
Ndër punimet më të kërkuara dhe që realizohen më shumë në “Ginger Concept” janë vathët, byzylykët, ose dhe kërkesa të ndryshme që kanë klientët si jaka, çanta, etj.
“Kur vihesh përpara kërkesave të klientëve nuk është gjithmonë e lehtë t’i qëndrosh besnike ideve të tua pa rënë në komercializëm. Ai zëri i ndërgjegjes që të kujton të mos kalosh atë cakun delikat mes origjinalitetit dhe komercializmit është gjithmonë aty për të të zgjuar.”
Së shpejti do të mund të shihni dhe pse jo të bëni tuajën ndonjë nga krijimet më të reja të Naxarës:
“Kam projektet për verën, me aksesorë me gurë natyralë dhe polymer clay. Një mini koleksion me çanta clutch dhe rripa është po ashtu në punim e sipër e do të publikohet këto ditë. Duke u treguar shumë optimiste do të thoja se dhe një capsule collection me veshje minimaliste lino verore është në planet e mia. Ndonjëherë ke nevojë që dita të ketë më shumë orë sepse je plot me ide por me pak orë në dispozicion për t’i realizuar.”