Pjata kryesore
Përbërësit për 4 persona: 1 kg brinjë qengji, 800 g patate, 200 g pançetë e tymosur, vaj ulliri, ½ gotë verë të bardhë, 100 g bajame të pjekura, 1 gotë e vogël raki, kripë, piper dhe rozmarinë.
Përgatitja: Brinjët e qengjit i aromatizojmë me kripë e piper dhe i lyejmë me miell. Në një tigan hedhim 5 lugë gjelle vaj dhe pasi të nxehet skuqim brinjët nga të dy anët. Në lëngun e mbetur nga skuqja shtojmë verën, rakinë, pak rozmarinë të freskët dhe ½ gotë ujë. Të gjitha i lëmë të ziejnë ngadalë, derisa të përftohet një salcë, të cilën e kullojmë derisa të bëhet homogjene.
Brinjët e qengjit i mbështjellim një nga një me fetë pançete dhe i vendosim në një tavë ku i spërkasim me pak vaj dhe i pjekim në temperaturë 240 gradë derisa pançeta të marrë ngjyrë të artë. Presim patatet në feta rrumbullake me trashësi 1 cm, i spërkasim me kripë, piper, rozmarinë dhe vaj. I përziejmë mirë dhe i pjekim në furrë në temperaturë 220 gradë për 20-25 minuta. Vendsoim brinjët, të cilat i spërkasim me salcën e nxehtë. Në fund i zbukurojmë me bajamet e pjekura.