Pjata kryesore 28 Prill 2022

Peshk pranveror me qepë e hudhra të njoma

Pjata kryesore

Kjo recetë u përgatit nga Si_shijon

Përbërësit për 5-6 persona: rreth 1 kg peshk levrek i ndarë në copa (dy ose tre peshq në varësi të madhësisë), 1 limon, gjysmë qepë e thatë e prerë imët, 6-7 qepë të njoma, 6-7 hudhra të njoma - nëse nuk mund të gjeni të njoma, zëvendësojini me 2-3 thelpinj hudhër të thatë dhe për volum shtoni dhe dy tre qepë të njoma më shumë, 12 - 15 domate të vogla, kripë, një lugë e vogël spec i kuq jo djegës, spec djegës sipas dëshirës dhe vaj ulliri.

Përgatitja : Copave të peshkut iu hedhim kripë dhe lëng limoni dhe i lemë mënjanë ndërkohë që përgatisim gjellën. Në një tigan të madh me kapak, skuqim qepën e thatë sa të zbutet, pastaj shtojmë qepët dhe hudhrat e njoma. Përziejmë pak minuta sa t'ju bjerë volumi. Shtojmë një gotë ujë dhe e lemë gjellën të ziejë sa të zbuten. Shtojmë domatet, kripë dhe specin djegës e jo djegës. Vendosim copat e peshkut ne tigan. Shtojmë dhe një tufë majdanoz të grirë. I ziejmë copat e peshkut për tre minuta nga njëra anë pastaj i kthejmë dhe i ziejmë dhe tre minuta nga ana tjetër. Nëse ka nevojë, shtojmë dhe pak ujë. Ideja është që gjella të dalë me ca lëng, por jo si supë. E shërbejmë me pak vaj ulliri sipër dhe ca bukë të mirë. Nëse rri nja dy orë pasi gatuhet, shijet kombinohen dhe me mirë. Ju bëftë mirë!

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor