Cfare te vizitosh ? 31 Maj 2022

Toka e diellit: Florida, Key West me Ernest Hemingway

Cfare te vizitosh ?

Nga : Anila Kadija

E bëra enkas që ditarin e këtij udhëtimi të mos e nis nga Miami Beach. Jo për faktin që ai është i stërpërshkruar, të gjithë kemi shije dhe prespektivë udhëtimesh të ndryshme, por për faktin që unë i përjetoj vendet ku shkel sipas mënyrës time dhe jo sipas shabllonit klasik. Pra, fleta e ditarit për sot është marrë nga një ditë e ngarkuar me ngjyra karaibike, kubano - amerikane, drejt tokës së diellit.

Shënime prej një ishulli që po ta hapni hartën e Floridës, në kepin më të dalë të saj, ai quhet edhe pika më jugore e Kontinentit Amerikan me distancë 90 milje nga Kuba, do t’ju duket si një trajektore  në oqean e shënuar me shkumës me nyjet e saj guackore, e cila përfundon me një thërrime toke sa një rruazë rëre.

Guackat, kështu më pëlqen t’i quaj ishujt më të vegjël të kësaj trajektoreje janë: Key Largo, Tavernier, Islamorada, Layton, Duck Key, Marathon dhe Big Pine Key.

Deri në tokën e diellit, ishullin Key West, të cilët lidhen në varg nga një breg në tjetrin prej 42 urash ku përkrah tyre janë edhe reliket e urave të vjetra.  Për të arritur pas tri orësh me makinë, nga Miami Beach në këtë oaz të vogël i quajtur Key West, duhet një mjet udhëtimi. Unë mora një autobus turistik se i kam ëndje tregimet turistike që paraqesin operatorët e këtyre mjeteve sidomos kur janë shumë orë udhëtim.

Pa dyshim nuk ka pershkrim  apo të treguar që ta paraqesë këtë vend të veçantë aq bukur sa ai është realisht. Unë këtu po ua përmbledh ashtu si e perceptova  nga sytë e mi i përzier me atë konkluzionin që nxjerr sa herë stepem përballë magjisë së bukurisë popullore dhe jo të sofistikuar. Asnjë pasuri nuk vlen nëse nuk investohet ne atë që shikohet me sy dhe preket me dorë. Ndaj edhe vendosa ta bëja këtë vizitë.

Të përshkruash 217 km rrugë ku shpesh e sheh mjetin me të cilin po udhëton të rrethuar nga të dyja anët me ujin smerald dhe të shikosh në sinjalin satelitor tek e përshkruan atë trajektore harte jo më në map Google por vërtetë, e sajdisur me tabakanë e Golfit të Meksikës  dhe nga ana tjetër me atë të Oqeanit Atlantik,  sinqerisht kurrë imagjinata nuk e arrin habinë e bukurisë dhe as fotot në web pa e provuar fizikisht këtë udhëtim.

Një vepër madhështore  urbanistiko-arkitektonike e inxhinierisë amerikane janë 42 urat lidhëse ishull pas ishulli. Koha që të merr udhëtimi është rreth 6 orë vajtie-ardhje, por fitimi mirëprurës i kohës së shpenzuar, në ishullin e surprizave, është pa çmim.

Për informim bileta e autobusit turistik me guidë kushton rreth 35£ për person. ( online) Por, nëse e prenotoni kur të jeni në Florida (direkt në agjenci) kushton edhe më pak. Ndoshta ia leverdis kjo e dyta. Ka shumë gjëra që i zbulon në vend, siç e kemi atë shprehjen tonë : “ Më bej të nusëroj edhe një herë pa di unë si të sillem”. Me pëlqen shumë kjo shprehja shqiptare dasmore.

Në Miami Downtown dhe Miami Beach ka mjete transporti. Njëri prej tyre është Trolley dhe është falas. Të jep mundësinë që të zhvendosesh kudo përgjatë bregdetit falas. Në Key West ai është me pagesë ndaj edhe për këtë është mirë abonim ditor 45 dollar për person duke e shfrytëzuar  edhe me guidë turistike përreth ishullit, i cili duket i vogël por nuk është aspak ashtu.

LIBRI I PARË - Ai që kam lexuar në gjuhën angleze, në vitet e universitetit, ka qënë “Plaku dhe deti” i Ernest Hemingway. Nuk di përse e zgjodha, ndoshta sepse ishte i thjeshtë, sepse kishte të bënte me detin, ndoshta sepse anglishtja ishte e bukur dhe tërheqëse. Hemingway e njoha prej atij libri.

Më ka shoqëruar ky kujtim gjithmonë dhe në një kërkim turistik që bëra për të vizituar diçka origjinale dhe me vlerë në ishull, të sugjeruar  nga një njohëse e mirë e zonës dhe shoqe e universitetit me banim në Florida, u ndesha me një surprizë fantastike. Të gjitha shtëpitë janë stil  “Borëbardha me shtatë xhuxhat” ose “ Far West” (Perëndimi i largët i kaubojve) me ngjyra që rastësisht isha kombinuar edhe unë me veshjen time.

Atje ka plot gjëra për të pare, por unë po ndalem tek shtëpia më e veçantë në Key West. Magjia e atij ambjenti plot energji dhe frymëzim ku Hemingway kaloi shumë vite të jetës së tij dhe nga ku u shkruan me tastierën e makinës së shkrimit, siç bëhej një herë e një kohë, veprat e njohura me famë botërore! Ndodh edhe kështu, të ndjekin disa energji të bukura në kohë dhe në vende të largëta që kurrë nuk ta pret mendja. Lidhën sintonitë telepatike, përplasen në dëshira, çlirohen në momente për t’u mos harruar asnjëherë. Shtëpia është e thjeshtë ku mbretëron natyra dhe fauna. E ndërtuar në dy kate. Artistët kanë një stil jete, e cila shkon përtej çdo stili tjetër. Kanë fatin të jenë dashnor sentimental të së bukurës dhe nuk e tradhëtojnë asnjëherë edhe profilin melankolik në jetën e tyre.

GRUAJA- Hemingway kishte një dashuri të pakufi për femrën. Katër martesa nuk ishin të rastësishme. Me gruan e dytë gëzoi këtë vend, shtëpinë në këtë ishull, ia dhuroi  xhaxhai i saj  me rastin e martesës. Ishte shumë e vjetër, por mjaftonte për një fillim të bukur. Ernest e rindërtoi dhe vendosi aty të parën pishinë me ujin e detit që askush nuk e kishte në atje në ato vite. Kjo i kushtoi shumë ndaj thuhet që ka ngjeshur diku një monedhë në betonin e saj si simbol i shpenzimit të madh, deri në monedhën e fundit, për atë pjesë të shtëpisë. Turistet mundohen që ta gjejnë duke e kërkuar. Nuk di nëse është thjeshtë një legjendë apo ekziston vërtetë. Ai kaloi vitë të jetuara i tërhequr nga magnetizmi i këtij vendi. I ardhur nga Parisi në Kuba ky stacion tjeter i jetës po i falte frymëzim ndaj shkruajti aq bukur.  Nuk ishte i famshëm kur u transferua. Ishulli i solli edhe suksesin. Keni plot materiale për të lexuar përreth jetës së tij në web. 

MAKINA E SHKRIMIT- Gjëja më e bukur që pashë ishin makinat e shkrimit. Ato tastiera metalike, me tingëllim karakteristik të rrahjes të cilin e imagjinova, dukeshin akoma në jetë nën dominimin e gishtërinjve të tij me kujtimin e atyre veprave letrare të cilat autori na ka dhuruar. Më erdhi tundimi të zgjasja dorën dhe të prekja mollëzat e gishtërinjve të tij mbi ato tastiera, por u mjaftova thjesht t’i shikoja. Dhoma e punës krejt e ndarë nga vila, në një tip piedestali natyre, dukej sikur të ishte nje pullaz frymëzim në lartesinë e palmave dhe pemëve të larta të kopshtit rrethues. Një ndërtesë më vete plot dritë krijmtarie e përbërë vetëm nga një dhomë fanar.

MACJA- Historia e maces së tij po ashtu e njohur dhe e pranishme në shumë foto. I shikoje kudo të shtrira, pasardhësit e Biankës ( kështu quhej ajo) ishin në një koloni që mbrohej dhe jetonin komod në kopsht. Ato janë ndryshe nga të tjerat dhe kanë një gisht më shumë se macet e zakonshme. Të buta dhe miqësore, më qëndroi njëra aq pranë sa nuk mund pa e fotografuar. Mund ta shikoni edhe vet putrën e saj të veçantë. Hemingway e donte shumë macen e tij, të cilën ia kishte dhuruar një kapiten flote. Ai kishte pasion të madh edhe peshkimin sidomos të tonit. Gjuetia ecte përkrah dashurisë për kafshët, një kontrast njerëzor ky që unë shpesh nuk e kuptoj.

RIKTHIM- Nuk e lashë pa e blerë librin “ Plaku dhe deti” nga dyqani i librave të tij në këtë shtëpi. Kënaqësi e madhe dhe kujtim i shtrenjtë. Aty gjeni çdo libër të autorit ku ndodhet nje biblotekë e madhe e vjetër në mur.

REPUBLIKA E GUACKËS ROZË- Quhet kështu ky ishull pasi simbol kanë guackën e bukur rozë. Vendasit tregojnë që kur policia amerikane kontrollonte çdo makinë, çdo ditë, nëse fshiheshin refugjatë kubanë, rreshti i tyre u zgjat aq shumë në pritje sa vet popullsia e ishullit në shenjë proteste ndaj policisë u ngrit në protestë për t’u vetshpallur Republika e Guackës Rosë. Që nga ajo ditë nuk u kontrolluan më asnjë makinë në rrugët e bukura të këtij ishulli. Këto janë anekdoda vendesh plot jetë.

KUZHINA- Pinkers një ndërtesë tejet e bukur me një kuzhinë fantastike vendase. Ndodhet në rrugën kryesore Duval. Ambienti nuk ka asnjë lidhje me lluksin, por me traditën. Nga orenditë, arkitektura e deri tek kuzhina. Njerëz të qetë dhe buzagaz të shërbejnë pa asnjë ngut apo tension. Duket mirë që si të gjithë banorët e ishujve edhe ata janë me rritëm të ngadaltë pa stres.

GJELI- Rrugëve të Evropës ndeshesh me qenin në Key West, gjen gjelin e bukur që këndon edhe në mesin e rrugës pa e prishur fare terezinë. Nganjëherë vetëm dhe nganjehere në tufa dy tri së bashku. Bëjnë të ndalojnë makinat me krenari taman gjeli! Kurioze dhe e veçantë kjo prezencë si shenjë e mirë për ecurinë e një bisnesi, i vizatuar nëpër targa restorantesh, zakon skaramantik Kuban.

SIMBOL- Shtëpitë janë fryma e çdo kujt prej nesh. Ato janë fryma e librave dhe e historive humane që lundrojnë si “ Plaku dhe deti” ndeshen me jetën për të qetësuar dallget. Duke treguar iu riktheva edhe unë përsëri atij vendi me diell.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor