Probleme te perditshme 26 Qershor 2022

Si të mbroni lëkurën nga klori i pishinave, ja ç’rreziqe mund t’ju kanosen nëse nuk veproni në kohë

Probleme te perditshme

Shumë njerëz, si alternativë për t’iu larguar të nxehtit të verës, zgjedhin pishinat më të afërta për t’u freskuar sadopak. Por, uji i tyre në të vërtetë përbën një rrezik për lëkurën. Siç të gjithë e dimë, klori është dezinfektuesi kryesor i ujit të pishinave. Por, përveç veprimit të tij mbrojtës, kjo substancë mund të provokojë shqetësime të ndryshme në lëkurë.

Sytë dhe buzët janë zonat më të ndjeshme të fytyrës dhe për këtë duhet të mbrohen me kujdesin më të madh nga efektet e substancave që gjenden në ujin e pishinave. Irritimet në sy janë një shqetësim mjaft i shpeshtë i shkaktuar nga kontakti me klorin, ku simptomat kryesore janë djegia dhe skuqja. Fëmijët, si për ndjeshmërinë e madhe ashtu edhe për kohën e kaluar në ujë, janë më të rrezikuarit. Por edhe të rriturit, nëse qëndrojnë shumë gjatë në ujë, mund të pësojnë pezmatim të lëkurës, sidomos nëse kanë një lëkurë të thatë dhe veçanërisht delikate. Këshilla është që të përdorni produkte specifike, që gjenden në farmaci. Por, në rast se vini re shqetësime më të mëdha të lëkurës, atëherë drejtojuni mjekut specialist.

Larja në pishinë: si të mbroheni nga rreziqet për shëndetin
Para së gjithash, nga uji i pishinave mund të shkaktohen probleme me veshët dhe shqetësime të ndryshme dermatologjike, si pasojë e baktereve që gjenden në ambiente johigjienike. Por në pishina jetojnë edhe mikroorganizma të tjerë, veçanërisht nëse uji është i vakët. Një tjetër burim i përhapjes së këtyre mikroorganizmave janë edhe plagët. Ndaj ju nuk duhet të laheni asnjëherë në pishinë kur keni një plagë të hapur, sepse mund të infektoni ambientin, por edhe të përkeqësoni gjendjen tuaj.

Për të kapërcyer këto rreziqe, mjafton të ndiqni disa rregulla të thjeshta. Pikë së pari, kujdestarët e pishinave duhet të merren çdo ditë me pastrim e tyre, pa abuzuar me klorin, pasi siç e përmendëm më sipër ai është i dëmshëm për shëndetin. Pushuesit, nga ana e tyre, duhet të bëjnë gjithmonë dush përpara dhe pasi të futen në ujin e pishinave, sepse në vetvete, ky veprim heq 80% të florës bakteriale të përkohshme.

Klori nuk u bën dëm vetëm flokëve, por ai than edhe lëkurën e trupit. Prandaj, pasi të keni kaluar një ditë të tërë në pishinë, pas banjës që do të bëni në shtëpi, lyeni trupin tuaj me qumësht hidratues për lëkurë. Ndoshta nuk e dini, por klori është i rrezikshëm edhe për tonin tuaj të nxirë, sepse mund ta zbehë ngjyrën e errët, të cilën e keni fituar nga ekspozimi në plazh. Ilaçi i vetëm është që pas çdo larjeje në pishinë, menjëherë të hyni në dush dhe gjatë ditës të përdorni preparate ujë-rezistuese për ekspozim.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor