Marredhenia ne çift 28 Qershor 2022

Misteret e fuqisë së jashtëzakonshme të kontaktit sy më sy

Marredhenia ne çift

Kur jeni bashkë me njeriun tuaj të zemrës, provoni një eksperiment të vështirë: Heshtni për një moment, dhe shikojeni njëri-tjetrin në sy. Sipas disa studimeve, sapo të kenë kaluar 4 sekonda, situata do të nisë të bëhet e  sikletshme.  Arsyeja e saktë pse ndodh kjo është e vështirë për t'u zbuluar.

“Në atë pamje ka diçka që ka një domethënie të qëndrueshme. Edhe pse mekanizmi nuk është kuptuar asnjëherë.”- thotë Joy Hirsch, neuroshkencëtar në Shkollën e Mjekësisë në Yale dhe themelues i Laboratorit të Funksionit të Trurit.

Në fakt, mbeten pa përgjigje shumë pyetje mbi atë se si kontakti sy më sy,  mund të ndikojë te ndërveprimet sociale. Hirsch dhe neuroshkencëtarët e tjerë, kanë nisur vetëm kohët e fundit të marrin të dhëna kuptimplota, që përshkruajnë në detaje ndërveprimin midis dy trurit dhe syve.

Një studim i tillë ka një potencial premtues sa i përket trajtimit të sëmundjes së autizmit, por edhe te terapitë somatike dhe kërkime e tjera të psikologjisë së sjelljes. Shpesh të etiketuara si “dritaret e shpirtit”, sytë i kanë mahnitur filozofët, artistët dhe romantikët anembanë globit për shekuj me radhë.

Në një eksperiment artistik modern, artistja konceptuale serbe Marina Abramović u ul për orë të tëra për një kontakt të zgjatur sy më sy me të huajt në ambientet e Muzeut të Artit Modern në New York. Ekspozita e vitit 2010 “Artisti është i pranishëm”, zgjati 3 muaj, dhe shumë njerëz prisnin orë të tëra në radhë për të pasur shansin e një vështrimi intim sy më sy me  Abramović.

Megjithatë për shumicën prej nesh në jetën e përditshme, një vështrim i zgjatur në kohë sy më sy mund të jetë i sikletshëm, tepër intim ose i papërshtatshëm. Studimet tregojnë se ekziston një kohë maksimale, sesa njerëzit preferojnë ta zgjasin kontaktin sy më sy.

Një studim i vitit 2016 në ”The Royal Society Publishing” përdori softuerë për gjurmimin e syve tek gati 500 vullnetarë që po shihnin videon e një aktori që shihte në sytë e tyre. Vullnetarët shtypnin buton kur ndjenin se shikimi zgjaste për një kohë të pakëndshme (qoftë shumë e shkurtër apo shumë e gjatë) dhe zbuluan se kohëzgjatja e preferuar ose “normale” e shikimit është mesatarisht 3.3 sekonda, dhe kjo cila ndryshon nga personi në person.

Studiuesit e përshkruan kontaktin sy më sy si një “kanal jo–verbal për komunikimin e qëllimeve, rregullimin e ndërveprimeve dhe shprehjen e intimitetit”. Një variabël i dukshëm në studim ishte përdorimi i videos, pasi disa studime kanë treguar se ndërveprimi personal ka një ndikim të veçantë në zgjimin e trurit dhe trupit, të cilën nuk mund ta ketë komunikimi on–line.

Për shembull, një ekip kërkimor e cilësoi në vitin 2019, kontaktin sy më sy si një mënyrëunike dhe komplekse me dy drejtime të dërgimit dhe marrjes së sinjaleve të shikimit në të njëjtën kohë. Ata treguan se mbajtja e syzeve të diellit, mund të kufizojë ndjeshëm reagimet e sikletit gjatë kontaktit sy më sy midis dy njerëzve.

Kontakti sy më sy, ka padyshim ndikim mbi lidhjet tona sociale. Por edhe midis njerëzve dhe gjitarëve të tjerë (si qentë dhe macet tona). Vetëm në nivelin neurologjik, një grup i madh variablash e kanë kufizuar të kuptuarit tonë, se si kontakti e informon trurin kontakti sy më sy.

Por Laboratori i Funksionit të Trurit të Hirsh është angazhuar që t’i kapërcejë këto kufizime, duke hedhur 5 vitet e fundit hapa të mëdhenj përpara falë edhe teknologjisë së re. Teksa skanimi MRI është përdorur për të analizuar trurin e individëve për dekada me radhë, dizajni i komplikuar i këtyre makinerive, i kufizon analizat për një njeri në një kohë në një hapësirë ​​të kufizuar.

Disa vite më parë, ekipi i Hirsh zhvilloi një pajisje neuroimazhesh të quajtur SpektroskopiFunksionale me Rreze Infra të Kuqe, fNIRS, me qëllim analizimin e trurit të dy njerëzve në të njëjtën kohë gjatë ndërveprimeve të tyre të natyrshme. Me këto mjete, Hirsh po e zgjeron fushën e neuroshkencës sociale.

Eksperimentet me fNIRS kanë treguar se kontakti sy më sy, duket se është i lidhur me një pjesë të trurit të lidhur me gjuhës, si dhe me korteksin primar somatosensor, që është thelbësor për përpunimin e ndjesive si prekja fizike, dhimbja dhe temperatura.

“Pra thënë thjesht sytë kanë një qasje të privilegjuar në pjesë të mëdha të trurit”– thotë Hirsch.Eksperimentet e tij kanë zbuluar gjithashtu tendencën unike të trurit të dy njerëzve për t’u sinkronizuar gjatë kontaktit me sy dhe komunikimit verbal. “Ata shndërrohen në një lloj qarku të mbyllur”- shton ai./Bota.al

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor