Kuzhina / 5 Gusht 2017, 10:18

Makarona me speca dhe djathë

penedomat
Nga Linda Fishta, Fotografia Armand Habazaj

Domatet dhe specat e kuq janë dy nga produktet e bekuara të verës që duhet të përdorni sa të mundni sepse jetëgjatësia e tyre biologjike nuk zgjat pafund! Po ju sjellim një recetë të thjeshtë që do ta pëlqejnë të gjithë!

Koha e përgatitjes: 30 minuta

Përbërësit për 4 persona:
400 g makarona pene
4-5 speca të kuq e të verdhë
200 g djathë Scamorza ose kaçkavall, atë që keni ju
400 g domate te pjekura mire, pa lekure, ne kubike 
4 lugë vaj ulliri
1 thelb hudhër e qëruar
1/2 qepë e grirë imët
1 spec djegës
kripë sipas nevojës

Përgatitja:
1. Specat e larë, pasi u heqim bishtin dhe farat i presim në rripa sa më të hollë, pasi kështu duhet më pak kohë për t’i gatuar.
2. Në një tigan të madh skuqim hudhrën me vajin e ullirit bashkë me qepën dhe i lëmë në zjarr derisa qepa të marrë pak ngjyrë. Shtojmë specat dhe specin djegës të prerë në copa të vogla. I lëmë për pak minuta në zjarr dhe më pas shtojmë domatet, kripë dhe i lëmë në flakë të ulët për 15 minuta afërsisht ose derisa të shohim që salca është trashur dhe specat janë zbutur.
3. Ndërkohë, ziejmë makaronat në tenxhere me ujë të valuar me kripë, por i heqim 1 minutë para se të kenë zier plotësisht dhe I hedhim direkt në tiganin ku kemi salcën. Shtojmë djathin, të prerë në kubikë dhe i përziejmë me lugë druri derisa djathi të tretet nga nxehtësia. I shërbejmë menjëherë.

Horoskop