Femijet 25 Korrik 2022

Mjekët bëjnë apel: Kujdes fëmijët nga infeksionet e veshëve, sidomos në pishina e plazhe

Femijet

Ata që zgjedhin t'i kalojnë pushimet në plazhe dhe pishina janë më të rrezikuar të preken nga infeksioni i veshëve. Mjekët thonë se rastet janë shtuar gjatë verës ndërsa më shumë kujdes duhet të tregojnë fëmijët dhe të personat me sëmundje kronike.

Mjekja Klodi Zaharia thotë se më të rrezikuar nga infeksioni janë ata që frekuentojnë pishinat. “Gjatë praktikës sonë të përditshme shikojmë shumë shpesh pacientë që shfaqen me sindromën e veshit të notarit, dhe kjo ndodh nga ekspozimi i ujit të pishinës, që është një ujë me klor dhe me ngarkesë mikrobiale dhe janë pacientë që vijnë me infeksionet e kanalit e llapës së veshit”, - tregon mjekja.

Më shumë kujdes duhet të tregojnë fëmijët dhe personat që vuajnë nga sëmundje bashkëshoqëruese.

“Fëmijët janë ata që notojnë në pishina dhe pjesën e cekët, ku uji është më i ngrohtë dhe probabiliteti për t’u zhvilluar mikrobet është më i madh, pra më shpesh shikojmë fëmijë, mosha pediatrike që vijnë me veshë të infektuar dhe pastaj të gjithë individët që kanë një sëmundje bashkëshoqëruese kronike. Nëse një pacient një qytetar është me diabet kronik dhe i frekuenton këto pishina sigurisht që ai është më i predespozuar se sa një individ që nuk ka  këto sëmundje bashkëshoqëruese”.

Edhe pse në disa raste shqetësimet mund të trajtohen në shtëpi janë disa simptoma që nuk duhen neglizhuar. “Në rast se kemi fillim të simptomave, pra është instaluar infeksioni dhe kemi dhimbje, ndjenjën e bllokimit të veshit, ndjenjën sikur ka bllokuar uji, unë do thosha që mirë është të kërkojmë ndihmë te mjeku specialist”.

Përveç infeksioneve që vijnë nga frekuentimi i plazheve dhe pishinave, Covid është një tjetër faktor që ka shtuar numrin e personave që kanë probleme me organet ORL. Mjekët thonë se janë të shumta rastet kur pacientët kanë humbur dëgjimin ndërsa shumë të tjerëve nuk iu është rikthyer nuhatja.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor