Guide per shendetin 2 Gusht 2022

Infarkti në plazh, mjekja Manjola Liko tregon cilat janë shenjat e para dhe çfarë nuk duhet të neglizhoni

Guide per shendetin

Jo të pakta kanë qenë rastet këtë sezon veror ku janë raportuar humbje jetësh ne bregdetin shqiptar. Mes pushuesve që kanë humbur jetën për shkaqe shëndetësore janë edhe të rinj rreth të 20-ve. Gazeta Shëndeti zhvilloi një bisedë me mjeken kardiologe, Dr. Manjola Liko e cila na informon mbi të gjitha këshillat e nevojshme që duhet të ndjekim për të shmangur rreziqet dhe për të kaluar pushime sa më të qeta.

Doktoresha, cilat janë shenjat e para të infarktit?

Shenjat e para të infarktit janë: dhimbja e gjoksit, mbajtja e frymës , rrahjet e shpejta të zemrës mpirja e krahut, vështirësi në aktivitetin minimal, nëse do duan të ecin e kanë të pamundur sepse fillon një dhimbje shtrënguese në gjoks që shpesh herë shprehet duke e mbajtur gjoksin me dorë, djersë etj.

Këto janë shenja tipike por mund të ketë edhe shenja jo tipike . Pacientët diabetikë , ose të moshuarit të cilët nuk e ndjejnë këtë dhimbje të madhe mund të ndjejnë vetëm këputje të thellë përnjëherë ose mund të ndjejnë dhimbje stomaku, të vjella, shenja këto jo tipike të infarktit por me të cilat paraqiten në urgjencë apo në shërbimin tonë.

Cila është rëndësia e kontrollit mjekësor gjatë kësaj periudhe, veçanërisht për pacientët që kanë një patologji të njohur apo marrin trajtim?

Në këtë periudhë të nxehtë, kush është duke marrë një terapi mjekësore, për çdo lloj diagnoze, mirë është që para pushimeve të bëjë një kontroll mjekësor për të parë gjendjen e tij nëse ka diçka që duhet të rregullohet në terapi. Pacientët kardiakë duhet në mënyrë absolute që të bëjnë kontrolle mjekësore sepse medikamentet ndryshojnë dozën. Përshembull, siç janë diuretikët ku ndryshohet doza se mund t’iu jap humbje të lëngjeve (dehidrim), çrregullim të elektroliteve që sjell dhe shumë aritmi, etj., pra është shumë i rëndësishem kontrolli përpara pushimeve.

Cilat janë ato këshilla që rekomandoni dhe që nuk duhen neglizhuar?

Është e rëndësishme që të shmangni orët e pikut, pra të mos dalin pas orës 11 të paradites dhe kufizimi sa më shumë i veseve: alkoolit, duhanit, ngrënies e yndyrave, pirja e tepërt e kafes apo edhe i lëndëve narkotike. Pacientët që janë me diabet duhet të kenë parasysh mbajtjen stabël të glicemisë sepse tensioni, diabeti , yndyra në gjak janë ngushtësisht të lidhura me njëra tjetrën dhe shumëfishojnë rrezikun. Është shumë e rëndësishme gjithashtu që trupi të ambientohet  me ndryshimin e temperaturës qoftë dhe ajo që qëndrojmë në orët e pikut por edhe hyrja graduale në ujë.

Nëse neglizhojmë shenjat e para dhe nuk kryejmë një vizitë mjekësore çfarë mund të ndodhë? A jemi të rrezikuar që ky infarkt të ndodhë sërish?

Infarkti i miokardit mbart me vete dhe rrezik primar vdekjen e papritur. Çdo pacient që ka papritur dhimbje të fortë gjoksi duhet të trajtohet  drejt urgjencës për të parë nëse është infarkt apo  thjesht një dhimbje gjoksi që ka nevojë për terapi. Nëse është infarkt patjetër që infarkti ka një protokoll strikt që ndiqet  dhe është një ndjekje spitalore jo ambulatore. Por një pacient që ka kaluar një infarkt sigurisht që është i rrezikuar për të kaluar përsëri infarkt për vdekje të papritur dhe për shumë probleme kardiovaskulare, qoftë gjendje hipotermie, të fikëti etj.  Një pacient i cili  ka kaluar një infarkt më parë ka një rrezik të lartë sëmundshmërie dhe hospitalizimi në jetën e tij. Duhet të jetë më i ndjekur me mjekun, më i vëmendshëm ndaj shenjave, më i kujdesshëm gjatë temperaturave të larta apo abuzimeve  të tjera.

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor