Specialistët Living / 8 Gusht 2022, 10:55

"Sa marrin antidepresivë duke kuruar pasojën dhe jo shkakun? Duhet vetëm pak vullnet të ndalemi..."

"Sa marrin antidepresivë duke kuruar pasojën dhe jo shkakun?

“Sonaaaa!”

Një mesazh në celular më zgjoi nga një nanuritje e ëmbël ndanë detit.

Çdo premtim që i kisha bërë vetes se do zhytesha në stakim absolut nga puna, lajmet e ngjarjet e Tiranës nuk e mbajta dot.

As nuk heshtova zilet, as nuk e lashë celularin në dhomë, të fikur, të pakarikuar…e pamundur. Ankthi dhe stresi nuk kishin planifikuar pushimet në një kohë me mua.

Ndaj edhe gjumin e kotjen i kisha pupël.

Lexoj vrik mesazhin e mikes së ngushtë: Sona uaaa cfare kam perjetuar dje. Por duhet treguar nga afer. Nje vajze 39 vjecare afrohet afer nesh dhe na ben pyetje per tu futur ne muhabet. Gjate bisedes doli qe ishte ne depresion te thelle dhe kishte nevoje te fliste me njerez. Me pas kur e pashe ne kete situate u afrova edhe une, se ne fillim po rrija ne ate boten time. Pasi e morem i folem per ta motivuar. Donte vetem dashuri, na puthte duart, qante po dhe e mbante veten.

Mesazhin e kam vendosur copy paste. Mikesha vijoi të më shpjegonte se ishin duke u larguar për t’u kthyer në Tiranë, por ndenjën edhe ca kohë për të, derisa e lanë disi më të qetë, duke i lënë nr cel për çdo rast, këshillën për të kontaktuar një mjek, psikiatër a psikolog. Arsyeja e gjendjes sipas vetë 39 vjeçares: një raport i vështirë, zhvlerësues, shtypës me një nga meshkujt e familjes. Mund të ketë qenë i ati, vëllai, bashkëshorti… nuk hyra më thellë. Sepse ngeca tek përcaktimi, depresioni. Madje ngeca më shumë se ç’do kisha ndalur të themi pardje. Sepse mbrëmë më la pa gjumë Florindi me Ornelën, çifti i shqiptarëve dyshuar të vetvrarë duke u hedhur nga kati i 6të i banesës ku jetonin edhe me dy fëmijë të vegjël.

Aludohet për gjendje depresive të Florindit, një djalë për të cilin nuk rreshtin statuse e dedikime në media sociale nga të njohur të përbashkët, që i çmoj shumë.

Dhe bëra një bilanc të shkurtër me veten teksa kujtoja edhe këshillën e osteopatit për sa më shumë not, ecje zbathur në rërë e bar dhe meditim përgjatë pushimeve.

“Sepse çdo dhimbje në qafë, shpinë, kokë, çdo ekstrasistol e aciditet stomaku në trupin tënd e kanë origjinën nga pamundësia e një prej sistemeve nervore me detyrën të të qetësojë, të ulë ritmin, të të ngadalësojë revanshin e përmbushjes ditore. Ndaj ndihmoje duke e inkurajuar dhe sinjalizuar çdo sistemi tjetër ta respektojë”.

Ndërsa kujtoja këshillat me radhë, pjesa tjetër, ajo e harlisura “lufto ose vrapo” bënte bilencin e rrethit të ngushtë miqësor me gjendje ankthi gjeneralizues, depresion, ocd, sulme paniku, dhimbje që nuk u gjendet origjina, analiza të një trupi të shëndetshëm në letër, por të këputur, pa energji.

Sa prej tyre marrin antidepresivë, qetësues, duke tentuar të qetësojnë pasojën, por duke mos kuruar shkakun. Sa prej tyre nuk flasin, sa nuk gjejnë adresën e saktë për trajtim, sa prej tyre nuk janë të ndërgjegjshëm se janë të sëmurë emocionalisht, sa të tjerë kanë turp, i lëndon stigmatizimi dhe parapëlqejnë të tendosin muskuj e sajojnë grimasa për t’u dukur të qetë e mirë?

Mua mu pre në mes nanurisja dhe bëri mirë mikesha që më shkroi. Fati i gruas 39 vjeçare, mendova, që i ka gjetur rastësisht në një qytet piktoresk dhe ka ndjerë energjinë pozitive që bulëzon në aurën e familjes së mikes sime. U çova, mora bregun me këmbët në ujë, zhurmën e dallgëve si kufje në vesh, kapa me shikim horizontin në atë vizën e përsosur blu dhe nisa një betejë të brendshme për të larguar çdo mendim, çdo ide, kujtim a ngjarje nga koka. E vështirë, betejë e egër, por që duhet bërë butë, për t’u tokëzuar e ndërgjegjësuar se luftrat, krizat e mëdha e personale nuk do sosin kurrë, ama duhet sot, tani, këtu me u marr seriozisht me “pandeminë” më vrastare, atë që shkatërron shëndetin mendor.

Dhe për fat sot shkenca, spiritualizmi dhe besimi kanë mbërritur në përfundimin konsensual se mendja e trupi ynë kanë mjaftueshëm mekanizma për të shëndoshur cenet në përbërjen e vet.

Kur Times vendosi para tre vjetësh në kopertinën e vet foto antidepresivësh dhe shifra alarmante të përdorimit të mjekimeve, që lehtësojnë disi, por prodhojnë varësi e efekte të forta anësore, zhurma qe e madhe. Vetë Times u shpreh se kemi kapur temën që prek të gjithë, pa përjashtim. Sepse stili i jetës në vitet 2000 është shkaktari kryesor i kësaj çartjeje kolektive mes ankthit, depresionit, panikut. Dhe krejt jashtë çdo parashikimi seksionet e komenteve u dyndën me dëshmi aq të ngjashme sa njerëzit nisën të pyesin të tmerruar: “Mos jemi nën eksperiment?”. Fill më pas nisi pamdemia covid-19 dhe më vonë u kuptua pse pati aq ndikim në shëndetin mendor, sepse covid-i sulmonte pjesët më të brishta e të dobta të sistemit. E ai nervor ka degraduar fuqishëm për shumë e shumë arsye, disa të ndërlikuara. Ama zgjidhja mbetet e thjeshtë.
Duhet vetëm pak vullnet të ndalemi, të marrim frymë thellë me stomak e të kërkojmë ndihmën e duhur. Pa frikë, turp a të rrëmbyer gjithçkaje. Çdo gjë me radhë.

Nisim kështu: deri në 4 frymëmarrje, deri në 2 mbajtje fryme dhe deri 6 nxjerrje. Për 5 minuta.

Ushtrim në fakt që do bërë edhe para se t’i shfaqemi tjetrit e botës në jetë reale dhe rrjetet sociale. Truri do na jetë mirënjohës. Edhe ndihmën do ta kemi më të lehtë për ta gjetur. Edhe dalldia jashtë do ta gjejë mbyllur “qepenin” cerebral për të na sulmuar.

Horoskop