Shendeti mendor 15 Gusht 2022

Flet psikologia Enilda Duro: "Depresioni pas lindjes, ja si ndikon realiteti socio-ekonomik te nënat e reja"

Shendeti mendor

Sjellja në jetë e një fëmije përshkruhet si një nga ndjesitë më të bukura që mund të përjetojë një grua. Por, mëmësia është gjithashtu një përgjegjësi e madhe, që mundet të sjellë ndjesi të përziera të tilla si ankthi e deri në depresion. Po, depresioni pas lindjes ekziston, duhet pranuar dhe duhet kërkuar ndihmë për ta trajtuar. Për të kuptuar më tepër mbi depresionin pas lindjes gazeta "Shëndeti" bisedoi më psikologen Enilda Duro e cila ndau me ne shumë informacione të nevojshme dhe sigurisht eksperiencën e saj ndër vite dhe rastet më të vështira që ka hasur.

Znj. Duro, çfarë është depresioni pas lindjes ?

Depresioni pas lindjes është një ndjenjë lëndimi, e pashpresë, një ndjenjë e cila lidhet me të menduarin rreth vdekjes apo mungesën e motivimit për tu kujdesur për fëmijën . Është një depresion i cili shfaqet te femrat të cilat  sapo kanë lindur një fëmijë. Ky depresion ka tendencën të shfaqet në katër javët e para pas lindjes së fëmijës  dhe mund të zgjasë për muaj të tërë deri në një vit, por kjo varet nga mënyra se si do trajtohet te femra e cila përjeton simptomat e depresionit post partum apo depresionit pas lindjes .

Cilat janë shkaqet apo faktorët që ndikojnë?

Shkaqet se pse ndodh depresoni pas lindjes janë disa:

Ekonomike; mungesa e mbështetjes nga familjarët, dhuna psikologjike, emocionale dhe fizike e shkaktuar nga bashkëshorti apo partneri

Shtatzëni e pa planifikuar; mund të jetë një faktor riskues për depresionin pas lindjes, pasi femra nuk e ka përgatitur veten e saj psikologjikisht, emocionalisht apo dhe fizikisht për tu bërë nënë. Në këtë situatë, ardhja në jetë e një fëmije e gjen të papërgatitur për të menaxhuar ndryshimet në të gjitha drejtimet e jetës së saj.

Sipas studimeve, faktorë të tjerë mund të jenë edhe:

niveli i ulët i edukimit apo arsimimit,
mjedisi stresues
mungesa e autonomisë së femrës dhe të tjerë faktorë të cilët lidhen me mjedisin rrethanor apo me cilësinë e jetës së femrës e cila është bërë nënë.
Cilat janë shenjat që tregojnë që një nënë e re, po kalon në një situatë të rënduar psikologjike dhe depresioni?

Së pari, femra nis të ndihet melankolike, të humbi shpresën për jetën, të ndihet vazhdimisht e trishtuar dhe të mendojë rreth vdekjes, të jetë e papërqëndruar, e pamotivuar të mos kujdeset për fëmijën , të ketë mungesë dëshire apo një frikë racionale për tu marrë me fëmijën dhe të izolohet e të mbyllet në vetvete. Ajo mund të shfaqë dhe shenja të acarimit psiko-motor, të nervozizmit, mungesës së përqendrimit apo deri agresivitetit verbal dhe atij fizik.

Si trajtohet?

Në trajtimin e depresionit ka një rol bazik psikologu. Psikoterapia është shumë e rëndësishme. Realizimi i disa seancave me psikologun e ndihmon shumë femrën ta njohë këtë lloj diagnoze, ta pranojë, të përshtatet me të dhe  të përballet me simptomat në mënyrë që ta menaxhojë, pasi patjetër që është i trajtueshëm dhe i rikuperueshëm. Gjithashtu në disa raste sporadike mund të ketë nevojë dhe për trajtim medikamentoz, por për çdo trajtim nëna duhet të konsultohet me një mjek specialist, pasi nënat që ushqejnë fëmijën me gji duhet të kenë më tepër kujdes. Medikamentet e shëndetit mendor janë pak të forta, ndaj duhet të jenë me një dozë të caktuar dhe me një formulë të caktuar të dhëna nga mjeku psikiatër në mënyrë që të mos ketë një efekt të caktuar te fëmija.

Gjithashtu, është e rëndësishme që femra të përfshihet në aktivitete sociale. Një femër që lind fëmijën ndoshta nuk ka kohë të ketë kontakte sociale, por qoftë edhe disa minuta në ditë të ketë mundësi të dalë dhe të takohet me njerëz është shumë e rëndësishme për menaxhimin e situatës së tillë emocionale . Aktivitetet sportive brenda mundësisë janë shumë të sugjeruera për ta menaxhuar këtë depresion.

Pse depresioni pas lindjes prek vetëm disa femra?

Depresioni post partum apo pas lindjes sipas studimeve të bëra nga Organizata Botërore e Shëndetësisë prek 20-40% të femrave. Pothuajse  të gjitha femrat kanë një ndjesi melankolie dhe ndryshimi hormonal dhe emocional pasi lindin por një pjesë e tyre shkon deri në depresion pas lindjes. Ka dhe diagnoza të tjera, siç mund të jetë psikoza e lehonisë, e cila prek vetëm 3% të femrave dhe është një tjetër diagnozë e rëndë dhe e vështirë për tu menaxhuar.

A mund të bëjmë diçka për ta parandaluar ?

Patjetër që mund të bëhet diçka për ta parandaluar. Informimi është shumë i rëndësishëm, informimi për ndryshimet që vijnë në trup, në gjendjen emocionale dhe psikologjike të femrës pasi bëhet  nënë, mbështetja nga familja, ndihma nga partneri, ndihma nga familjarët, aktivitetet e shumta sociale , janë shumë të rëndësishme për ta parandaluar këtë lloj shqetësimi i cili prek një pjesë të caktuar të femrave.

Si është ecuria e këtyre rasteve ndër vite?

Në bazë të eksperiencës klinike prej më shumë se 12 vitesh, vëmë re një shtim të rasteve të femrave që preken nga simptoma të depresionit post-partum, kjo për shkak të faktorëve të ndryshëm. Nuk di të ketë studime në vendin tonë se pse janë shtuar këto raste, por në bazë të eksperiencës personale klinike mund të rendisim: faktorët ekonomikë, një lloj krize apo transformimi që po përjetojnë familjet shqiptare vitet e fundit, ku kanë ndikuar dhe ndodhitë, si: tërmeti apo pandemia, të cilat kanë ndikuar patjetër në lidhje me një frike racionale  të femrave shtatzënë dhe vëmë re një rritje të këtyre rasteve.

A ndodh që depresioni të çojë në ndërmarrjen e iniciativave fatale për jetën e e njeriut?

Po, ka patur dhe raste ku depresioni pas lindjes mund të jetë bërë shkak për ngjarje fatale. Ka patur raste kur  nëna ka tentuar të dëmtojë veten apo qoftë dhe të kryejë vetëvrasje. Por, gjithashtu në bazë të eksperiencës klinike kam patur personalisht dhe raste ku  nëna ka tentuar t’i bëjë keq fëmijës dhe vetes. Prandaj, është shumë e rëndësishme momenti ku vihet re qoftë dhe nga vetë femra që ka lindur por dhe nga partneri apo familjarët, simptomat e para të depresionit post partum. Menjëherë duhet të kërkojë ndihmë dhe të nisë trajtimi profesional dhe mbështetës me femrën që sapo ka lindur, në mënyrë që të mos kalohet në një fazë më të agravuar ku simptomat e depresionit post partum  mund të bëhen rriskues për nënën apo për fëmijën./BURIMI "GAZETA SHËNDETI"

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor