Me sa këmbehet monedha e huaj sot, 11.12.2024
Në këmbimin e sotëm valutor një euro këmbehet me 98.26 lekë. 1 dollar amerikan këmbehet me 93.27 lekë. Poundi britanik 1...
Nga Ben Blushi
Unë e takova Viktorian në 15 qershor, në një nga rrugët kryesore të Kievit. Isha duke fotografuar gra, vajza, fëmijë dhe burra të shpenguar që ecnin të qetë në qytet, kur një vajzë me shami hyri në rrezen e aparatit tim.
Në përgjithësi vajzat e mbuluara muslimane, nuk pranojnë të pozojnë, madje acarohen nëse arrin t’u “vjedhësh” ndonjë foto kur nuk e kanë mendjen. Besimi islam nuk është shumë i hapur ndaj pikturës dhe fotografisë. Herën e fundit që fotografova disa nga vajzat e mbuluara të Tiranës, gjatë mëngjesit të Bajramit, mora disa revolta të vogla që mu dukën si llastime dhe prandaj nuk më shqetësuan.
Fotografinë, pikturën, artet në përgjithësi, Islami i konsideron blasfemi apo idhujtari ndaj një njeriu të caktuar dhe i ndalon me arsyetimin se përveç Allahut, besimtarëve nuk u lejohet të adhurojnë asnjë qenie tjetër.
Kjo normë e ashpër ka penalizuar edhe vetë Muhamedin, njeriun që ka rregulluar çështjet e Islamit dhe ka përcaktuar rregullat për të gjithë ndjekësit e tij në shekuj. Sot nuk ka pothuajse fare portrete të Profetit Muhamed dhe njerëzimi nuk ka arritur dot të formojë një perceptim të imazhit të këtij burri, siç ka ndodhur me Jezu Krishtin, që është vizatuar, pikturuar dhe inskenuar në film, miliona herë, që nga Rilindja Evropiane e deri sot.
Madje kush guxon të vizatojë Muhamedin, mund të përfundojë keq, siç edhe ka ndodhur vitet e fundit nga Parisi në Danimarkë, pa folur këtu për rastin e shkrimtarit Salman Ruzhdi që u sulmua me thikë në New Jork, para disa javësh.Pa u zgjatur në këtë argument, ku gjithnjë rrezikoj të blasfemoj, me aq sa kam lexuar për jetën e tij, jam i bindur se vetë Muhamedi do kishte patur shumë qejf të fotografohej apo të vizatohej. Në përgjithësi ai ishte më liberal se shumica e muslimanëve të sotshëm.
Por kthehemi te Viktoria. Siç thashë, isha në bulevardin kryesor të Kievit, bashke me mikun tim Srdan Kosovic, kryeredaktor i gazetës më të madhe të Malit të Zi, Vijesti.
Pasi fotografova shumë vajza me cigare, muzikantë të eksituar, fëmijë që shisnin unaza në trotuar, apo burra që llastonin fëmijët e tyre, i kërkova Srdanit të ecnim dhe pak në bulevard me shpresë se mund të zbuloja ndonjë thesar tjetër me Nikkonin tim të pangopur. Srdani më tha se duhet të prisnim dhe pak, sepse ai duhet të takonte një vazë ukrainase e cila do ti sillte një porosi për një të njohurin e tij, në Malin e Zi. Pas disa minutave vajza erdhi. Ishte e mbuluar me shami. Në dorë mbante një Kuran të cilin ia dha Srdanit për ta cuar në Podgoricë. Kjo ishte porosia që kishte sjellë.
Mua më është kthyer në tekë të fotografoj vajzat dhe gratë e mbuluara me shami dhe nuk mund ti bëja ballë tundimit për të fotografuar një vajzë muslimanë në mes të luftës dhe në mes të një vendi shumë të krishterë siç është Ukraina.
I thashë Srdanit. Ai i tha vajzës. Ajo pranoi. Në fakt unë kërkova edhe pak më shumë. Të mbante Kuranin me gërma cirilike në dorë. Ajo pranoi sërish. Duke qeshur.
Sot që vendosa ta postoj, pyeta Srdanin për emrin e vajzës dhe ai më tha se quhet Viktoria.
Viktoria kishte sjellë një kopje të Kuranit në gjuhën ukrainase, të cilën imami i Kievit do t’a dhuronte një koleksionisti malazez të botimeve të Kuranit në shumë gjuhë të botës. Ky koleksionist ishte lidhur me Srdanin dhe kështu Kurani cirilik përfundoi në Malin e Zi, ku duhet të jetë akoma, pasi bëri një tranzit të shkurtër në aparatin tim fotografik. Ngaqë u bëra kurioz se si një vajzë ukrainase, me emrin Viktoria, ishte bërë muslimane, madje ishte mbuluar, pyeta sërish Srdan Kosovicin. Ai më tha se nuk e dinte dhe nuk kishte patur as mundësi, as kohë, as arsye ta pyeste, për aq pak minuta sa e kishte takuar, por mund të më jepte numrin e saj që unë ta pyesja vetë.
Po pse nuk e pyete ti, i thashë, me padurimin e një njeriu që do të shpëtojë nga një siklet. Po pse ta pyesja, tha Srdani, është njëlloj sikur të pyesësh postierin, cfarë ka ngrënë në mëngjes, apo si e ka emrin e gjyshit.
Srdan Kosovic, që duhet të jetë me origjinë të largët nga Kosova, trashëgon zakonet e kosovarëve. Ata bëjnë pak pyetje dhe prandaj nuk shkruajnë letërsi të mirë por nga ana tjetër meqë nuk pyesin kot, shpifin më pak se ne të Shqipërisë, nëpër portalet e tyre.
Por kthehemi prapë tek Viktoria. I shkrova Viktorias. Një sms në whatsapp.
Ti shkruash një vajze të panjohur për ta pyetur pse je bërë muslimane, nuk është shumë etike, madje mund të konsiderohet një cënim privacie, një sulm në kufijtë e fyerjes, por mua më duhej ky detaj dhe pasi i çova fotografinë me Kuran, që ajo e pëlqeu, gjeta një shteg për të hyrë në botën e saj të thjeshtë.
Viktoria u tregua shumë e drejtpërdrejtë dhe pas tre pyetjesh, më rrëfeu historinë e saj si muslimane.
Në vitin 2017 kishte nisur të udhëtonte nëpër botë dhe pas një vizite në Sri Lanka ku kishte njohur disa vajza muslimane, kishte nisur të lexonte Kuranin. Pas nëntë muajsh, kishte shkuar sërish në Sri Lanka dhe ishte konvertuar nga Krishtërimi në Islam. Ka shumë vajza ukrainase që janë konvertuar, e pyeta.
Para luftës kishte më shumë, tha Viktoria, pothuajse përditë një vajzë vinte në xhami për t’u kthyer në Islam.
Nuk e pyeta pse para luftës kishte më shumë konvertime se tani, por historia tregon, se kur vendet monofetare shkojnë në luftë, feja dhe kombi bëhen një.
Prandaj të braktisësh besimin e kombit duket sikur ke tradhëtuar edhe vetë kombin.
Megjithatë Viktoria e kishte gjetur Paqen brenda Luftës. Ajo është nje ukrainase muslimane. Fotografinë e saj mund ta shikoni në ambjentet e COD, deri të premten e ardhshme datë 30 shtator. Më pas e gjeni në facebook tim
Në këmbimin e sotëm valutor një euro këmbehet me 98.26 lekë. 1 dollar amerikan këmbehet me 93.27 lekë. Poundi britanik 1...
Dhoma e thesarit të Bashar al- Assad, në pallatin e tij, ndodhet në duart e rebelëve. Atje ata kanë zbuluar një foto me nën...
Shumica e njerëzve ndoshta shmangin kafeinën dhe ëmbëlsirat para gjumit, por ka shumë ushqime të tjera që potencialisht mun...