Nga Gentian Minga
Shefja e kuzhinës, Tiffany Derry flet për rrënjët, familjen e madhe, ushqimin e freskët, të drejtat e njeriut dhe përvojën unike gjatë vizitës së saj në Shqipëri, organizuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë në kuadër të 100-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike mes SHBA-së dhe Shqipërisë. Të qenit grua, nevoja për të punuar në një moshë të re, paragjykimi i të ardhurit nga një zonë jo fort e zhvilluar, lidhja e fortë me rrënjët, por edhe koncepti i ushqimit nga-ferma-në-tavolinë.
Ne shqiptarët e njohim mirë ngarkesën emocionale e shpirtërore të fjalës “rrënjët”! Prandaj nuk është e vështirë të kuptohesh me shefen e kuzhinës, Tiffany Derry kur ajo flet për to. Tiffany është “vajza nga jugu”, e cila pushtoi kulinarinë amerikane, por jo pa iu dashur të luftojë më parë fort për këtë. Ky është realiteti për këdo vjen nga një vend vështirësish. E vetmja mënyrë që të çmosh të kaluarën. Dhe origjinën. Aq e vërtetë është kjo sa shefe Tiffany e ka futur fjalën “rrënjë” edhe në emrin e restorantit të saj prestigjioz në Teksas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës: Roots Southern Table.
Por nuk ka qenë gjithmonë kështu. Për një kohë të gjatë, Tiffany nuk ndihej veçanërisht krenare për kuzhinën e origjinës, prandaj gatuante gjithçka përveç saj. “Gjatë viteve të para të karrierës, njerëzit mbanin një qëndrim të tillë ndaj kuzhinës së jugut sikur ajo të ishte për t’u konsumuar vetëm në shtëpi, jo në restorante. Të qenit afro-amerikane dhe të gatuarit e kuzhinës jugore nuk ishte kombinimi më i mirë. “Jo”, do të të thoshin. “Nuk je një shefe e vërtetë!” M’u desh kohë të arrija në pikën që ta mendoja kuzhinën e origjinës të denjë për restorant. M’u desh të rritesha, të fitoja më shumë vetbesim dhe përvojë”, kujton Tiffany.
Teksa krenaria për kuzhinën e jugut rritej brenda saj, Tiffany u hodh në krahët e kuzhinës italiane, kineze, etj. Shefja me origjinë nga Luisiana do të gatuante gjithçka tjetër përveç recetave të fëmijërisë. Guximi për t’i ndryshuar gjërat (dhe ndërgjegjësimi!) do të vinte vetëm në të tridhjetat. Deri atëherë nuk kishte guxuar kurrë të fuste mish pule në meny, fjala bie, sepse nuk donte që njerëzit të mendonin se kjo ishte gjithçka që mund të bënte. Iu deshëm plot shtatë vite përpara se të krijonte konceptin e të dilte me menynë e restorantit Roots Southern Table.
“Mendoja, shkruaja meny, vrisja mendjen se çfarë të bëja. Por kisha gjithë kohën dyshime. Isha në kërkim të investitorëve, por në një pikë vendosa që restorantin ta hapja vet, sepse askush nuk e kuptonte vizionin tim”, kujton. “Roots Southern Table e krijova bashkë me një mik dhe... ia dolëm! Gazeta me emër si New York Times apo Wallstreet Journal kanë shkruar fjalët më të mira për të.”
Sot Tiffany mund të jetë vetvetja. Më në fund! Mund të gatuajë si një jugore e vërtetë. Në nder të gjyshes e mamasë. Dashurinë për ushqimin dhe pasionin për gatimin e ka marrë pikërisht prej tyre. Gjyshja e Tiffany-së i priste gjithmonë miqtë me ushqim. “Ushqimi është ajo që e mban familjen të bashkuar”, thoshte. Për familjen e saj, stili i të ushqyerit nga-ferma-në-tryezë nuk ishte modë, por një mënyrë jetese; të ushqehesh sipas stinëve, të konservosh dhe ruash frutat e perimet e freskëta, në mënyrë që kurrë asgjë të mos shkojë dëm. Një filozofi e qendrueshme. Kështu mendon një jugor i vërtetë. Pula e skuqur është shpirti i çdo ngjarjeje të veçantë dhe karavidhja e zierë kryefjala e stinës së verës. Por ajo për të cilën është më tepër krenare Tiffany mbetet Gumbo, një recetë që e ka marrë nga e ëma. Këtë recetë e ndau edhe me nxënësit e shkollës së “Hoteleri-Turizmit” gjatë vizitës në Tiranë.
Tiffany, një personalitet televiziv, yll i një reality show të madh në kanalin publik PBS, The Great American Recipe dhe shefja e një prej 50 restoranteve më të mira në SHBA (sipas renditjes së New York Times), e viziton për herë të parë (por jo të fundit!) vendin tonë. (Premton se do të kthehet në verë, që të shikojë edhe “bregdetin tonë të mrekullueshëm.”) Gjëja që i pëlqeu më shumë gjatë kësaj vizite ishte freskia e ushqimit. “Mbresëlënëse”, thekson. “Në shumë vende të botës, ushqimi është privilegj, por nuk duhet të jetë kështu.”
Gjithkush duhet të ketë akses ndaj ushqimit të shëndetshëm. Dhe në Shqipëri kjo nuk është e vështirë. Këtu gjen ushqim të shëndetshëm. Edhe të shijshëm. Të veçantë gjithashtu. Tiffany është mahnitur, për shembull, nga përdorimi i kosit në gatim. Nuk e kishte menduar ndonjëherë diçka të tillë. “Kur provova tavën e kosit mbeta pa fjalë. Përgatituni të shikoni diçka nga ato që mësova në Shqipëri edhe në recetat e mia në të ardhmen, në restorant ose në programin tim televiziv”, premton duke qeshur.
Edhe pse kaloi pak ditë në Tiranë ka krijuar tashmë kujtime këtu. Një nga momentet që veçon është vizita në Berat ku mblodhi ullinj, me të cilët më pas bëri vaj në fabrikë. “Do të marrë edhe një shishe me vete”, qesh. “Do ta ruaj për raste speciale.” Shije Shqipërie në Teksas.
Duhet thënë se Tiffany është mësuar me konceptin e ruajtes e konservimit. Sepse në fermën e familjes dikur prodhohej aq shumë gjatë sezonit, sa lindi nevoja për t’i ruajtur këto produkte për në dimër. Ndaj nuk është diçka e papritur dëshira e saj për të hedhur një treg një linjë produktesh të konservuara apo të të ashtuquajturave seasonings. Përveç shijes, sigurisht, e bukura e kësaj linje produktesh është vet emri: “SHEf”. Me “s” dhe jo “c”, për she-f në vend të che-f. “Sepse këtë linjë ia kushtoj grave. Është e rëndësishme që ato të kenë një vend në industrinë kulinare”, thekson krenare.
Jo gjithmonë gratë në kuzhinë janë parë me sy të mirë. Tiffany e di këtë prej përvojës. Kur ishte vetëm 15 vjeçe shkoi të punonte në një restorant, por nuk e lanë të futej në kuzhinë, thjesht pse ishte vajzë. Punoi disa vite si kamariere e në raste të veçanta, kur restoranti kishte mungesa ose ngarkesë, e thërrisinin në kuzhinë. “Deri atëherë isha rritur në një familje kur vajzat e gratë nuk veçoheshin, kisha jetuar në një fluskë për një kohë të gjatë. Kjo ishte përballja e parë me një padrejtësi të kësaj natyre. E dija se ekzistonin paragjykime për ngjyrën e lëkurës, por diferencim midis grave e burrave? Këtë nuk e kisha ditur deri në atë moment, pasi vajzat e gratë janë trajtuar gjithmonë në mënyrë të barabartë në familjen tonë të madhe jugore.”
Pasi biseda është zhvendosur te barazia gjinore, Tiffany flet për një nga pasionet e saj më të mëdha pas gatimit: promovimi i të drejtave të njeriut; të drejtat e grave nuk janë e vetmja fushë ku shefja e Roots Southern Table kontribuon. “Është detyrë ta përdor zërin tim që gjithkush në botë të ketë akses. Në restorant kemi bërë (e do të vazhdojmë të bëjmë) shumë për të drejtat e njeriut, në bashkëpunim me organizata të ndryshme. Kemi organizuar darka speciale ku kemi folur, për shembull, rreth problemeve të shëndetit mendor. Një mënyrë e përsosur për të folur për këtë temë tabu, sepse ti vjen, konsumon diçka, flet me miqtë dhe mëson më shumë, por pa atë ndjesinë e trysnisë...”
Kafesë sonë të shpejtë i vjen fundi; 30 minuta duken si 3 kur je në shoqërinë e një njeriu plot energji, jetë (e mbi të gjitha histori) si Tiffany. Me shaka (por shakaja është gjysma e së vërtetës) i premtojmë njëri-tjetrit se do të shihemi sërish për ta vazhduar këtë bisedë. Ndoshta kur ajo të rikthehet në verë për të eksperimentuar ndonjë recetë me fiq deti në Qeparo. Ose kur të shkoj unë në Teksas dhe të jem i ftuar për një Gumbo at Tiffany’s!