Shëndeti i gruas
Shkencëtarët në SHBA kanë gjetur një lidhje gjenetike mes njerëzve me prejardhje afrikane dhe një lloji agresiv të kancerit të gjirit.
Ata shpresojnë se gjetjet e tyre do të inkurajojnë më shumë njerëz me ngjyrë që të përfshihen në provat klinike në një përpjekje për të përmirësuar normat e mbijetesës për njerëzit me sëmundje.
“Kurrë nuk kam menduar se kisha ndonjë gjë për t’u shqetësuar”, thotë Laverne Fauntleroy, një afrikano-amerikane 53-vjeçare nga Nju Jorku.
Laverne kishte një mënyrë të shëndetshme jetese, hante mirë dhe bënte ushtrime fizike rregullisht, por në janar, jo shumë para ditëlindjes së saj, u diagnostikua me kancer.
“Më thanë se kisha kancer në gji”, thotë ajo.
Më pas vazhdoi: “Shumica e njerëzve që unë kam njohur me kancer nuk mbijetuan, kështu që, natyrisht, unë isha e shkatërruar dhe shumë e frikësuar.”
Laverne zbuloi se ajo kishte kancer të gjirit (TNBC). Është një lloj më pak i zakonshëm i sëmundjes, por rritet shpejt, ka më shumë gjasa të përhapet dhe ka më shumë mundësi të rikthehet.
Për shkak se i mungojnë tre lloje të receptorëve që gjenden në format e tjera të kancerit të gjirit, ilaçet që funksionojnë për ta nuk kanë ndikim në TNBC.
Është më e zakonshme tek gratë nën 40 vjeç dhe prek në mënyrë disproporcionale gratë me ngjyrë.
Një studim i publikuar në revistën JAMA Oncology zbuloi se gratë me ngjyrë të diagnostikuara me TNBC kanë 28% më shumë gjasa të vdesin prej tij sesa gratë e bardha me të njëjtën diagnozë.
Tani një studim i ri ka konfirmuar lidhjen gjenetike midis prejardhjes afrikane dhe TNBC.
Lisa Neëman, nga Ëeill Cornell Medicine, ka qenë pjesë e një projekti ndërkombëtar që studion kancerin e gjirit tek gratë në rajone të ndryshme të Afrikës për 20 vjet.
Puna e saj ka treguar se TNBC është veçanërisht e zakonshme tek gratë nga vendet në Afrikën perëndimore nën-Sahariane, si Gana.
Ajo thotë se arsyeja mund të jetë se gjenetika e grave nga kjo zonë është formuar gjatë brezave duke luftuar sëmundjet vdekjeprurëse infektive si malaria.