Kuriozitete 16 Nëntor 2022

Tani që Toka ka 8 miliardë njerëz, a duhet të konsumojmë më pak?

Kuriozitete

Popullsia e botës i ka kaluar sërish shifrat rekord, gjë që vazhdon të rëndojë burimet natyrore. Problemi faktik është konsumi tej masës, thonë ekspertët. Si mund ta ndajmë botën ashtu siç duhet? Këtë mes nëntori numri i njerëzve mbi Tokë do e ketë kaluar shifrën rekord prej tetë miliardë vetësh, duke shënuar një rritje me një miliard tjetër brenda pak më shumë se një dhjetëvjeçari.

“Rritja e popullsisë së botësështë një histori suksesi që ia vlen të tregohet,” thotë Sara Hertog, eksperte për popullsinë tek Kombet e Bashkuara (KB) në Nju Jork. Që prej vitit 1950, mesatarja e jetëgjatësisë është rritur me 25 vjet. Njëkohësisht ka rënë niveli i lindjeve, shoqëruar me akses më të mirë tek kujdesi shëndetësor dhe planifikimi familjar, si dhe me mundësi më të mëdha arsimimi për vajzat dhe gratë.Por ky sukses ka çmimin e vet: çdo njeri i vetëm që i shtohet botës rëndon më shumë burimet e limituata biologjike të planetit. Në një raport aktual të OKB, rritja e popullsisë cilësohet si një nga arsyet kryesore për shkatërrimin e mjedisit dhe shtimin e emisioneve të dioksidit të karbonit.

“Humbja e shumëllojshmërisë biologjike, ndryshimi i klimës, ndotja e ambientit, prerja e pyjeve, sasia e kufizuar e ujit dhe ushqimit, janë të gjitha probleme që ashpërsohen edhe më shumë nga rritja e madhe dhe e vazhdueshme e popullsisë”, thotë Population Matters, një organizatë joqeveritare me qendër në Mbretërinë e Bashkuar.

Vendet më të pasura të botës konsumojnë më shumë

Është shumë e lehtë që t’ia vesh fajin rritjes së madhe të popullsisë, sidomos në vendet në zhvillim në Jugun e globit, thotë ekspertja për popullsinë Hertog, në bisedë me Deutsche Welle-n. Është “gabim” të presësh që ngadalësimi i rritjes së popullsisë të jetë zgjidhja e vetme për të përballuar rreziqet para të cilave ndodhet baza jonë e jetës.

“Më vendimtare se sa rritja e popullsisë janë të ardhurat në rritje, të cilat nxisin shtimin e konsumit dhe ndotjen e mjedisit që shkaktohet prej tij,” shpjegon Hertog. Ajo kujton se vendet më të pasura të botës harrxojnë për frymë sasinë më të madhe të burimeve, edhe po qe se rritja e popullsisë ngadalësohet ose bën mbrapaktheu. Vendet në zhvillim në Afrikë, në jug të Saharasë dhe në pjesë të Azisë, vende me të ardhura të ulëta që pritet të kenë zhvillim të madh në dhjetëvjeçarët e ardhshëm, janë përgjegjëse vetëm për një pjesë të vogël të emisioneve të dioksidit të karbonit dhe konsumimit të burimeve.

Nëse njerëzit e botës do të jetonin sot siç jetojnë qytetarët e SHBA-së, atëherë ne do të na duheshin për çdo vit burimet e pesë globeve, thotë organizata ambientaliste Global Footprint Network. Kurse banorët e Nigerisë përdorin vetëm 70 përqind të burimeve natyrore ekzistuese, dhe India me 1,3 miliardë banorët e saj harrxhon vetëm 80 përqind të burimeve.

‘Ne kemi jetuar jashtë mundësive tona’

Ekspertët kërkojnë me ngulm që të kërkojmë zgjidhje të tjera, sepse popullsia e botës vazhdon të rritet: Kombet e Bashkuara vlerësojnë se deri në vitin 2050 popullsia e botës do të arrijë në 9,7 miliardë vetë, kurse deri në vitin 2100 mund të arrijë në 11 miliardë.

Bota ka burime të mjaftueshme për të ushqyer tetë miliardë vetë, thotë Vanessa Pérez-Cirera, drejtuese e sektorit për ekonominë ndërkombëtare në institutin World Resources Institute. Ajo mund të ushqejë edhe tetë miliardë të tjerë, me kusht që format aktuale të shfrytëzimit të tokës të riorganizohen nga e para dhe të përshtaten, thotë Pérez-Cirera.

“Burimet i kemi, por duhen përpjekje të mëdha ekonomike dhe gjeopolitike për t’i dërguar burimet aty ku nevojiten,” thotë Pérez-Cirera në një intervistë me Deutsche Welle-n, zhvilluar në kuadër të konferencës për klimën që mbahet në Egjipt.Puna është si i ndajmë burimet me njeri-tjetrin, thotë Sylvia Lorek, profesore për ekonominë e konsumit në Universitetin e Helsinkit dhe drejtore e institutit studimor gjerman për një Europë me zhvillim të qendrueshëm (Sustainable Europe Research Institute). Për këtë ne duhet të shtrojmë në pyetje modelin aktual të konsumit, sidomos në Veriun e Globit.

“Ne kemi jetuar prej kohësh përtej mundësive tona,” thotë Lorek për Deutsche Welle-n. Profesorja mendon se ne nuk do të jemi në gjendje të ruajmë për një kohë të gjatë mënyrën aktuale të jetesës.

Sa më shumë njerëz të kërkojnë të jetojnë sipas stilit perëndimor të jetesës me konsum të lartë, aq më e vështirë do të jetë për Tokën që të rigjenerojë burimet e domosdoshme biologjike të jetës, florën, faunën, ujin dhe tokën e pastër. Për të plotësuar nevojat e popullsisë së botës, ne na duhen aktualisht çdo vit pa pushim 175 përqind e burimeve ekologjike të botës, vlerëson Global Footprint Networks.

Ne duhet të mësojmë të jetojmë mirë duke konsumuar më pak

Lorek thekson po ashtu se një pjesë e madhe e konsumit të tepruar nuk është zgjedhje e bërë vetë, por vjen nga mënyra si është ndërtuar shoqëria dhe nga vlerat që na përcillen. Në media, reklama, filma dhe televizion njerëzve u krijohet përshtypja se “mirëqënia financiare është gjëja më e rëndësishme në jetë”.

Vitet e kaluara Lorek dhe studiuese dhe studiues të tjerë kanë vëzhguar se si njerëzit që shijojnë një standard relativisht komfort jetese mund të mësojnë “të jetojnë duke pasur më pak”, pa hequr dorë nga cilësia e jetës. Gjatë këtyre vëzhgimeve ata janë përqëndruar në tri fusha, të cilat janë përgjegjëse për pjesën më të madhe të emisioneve të dioksidit të karbonit dhe harxhimit të burimeve: mënyrën si hamë, si jetojmë dhe si lëvizim.

Këshillat që ata japin tingëllojnë të njohura për të gjithë ata që ndjekin debatin për klimën: më pak konsum prodhimesh shtazore dhe ushqim me bazë më të madhe bimore, si dhe më pak udhëtime ajrore dhe transport individual me mjete të motorizuara. Po ashtu duhet bërë ristrukturimi i qyteteve. Çështja kryesore këtu është të ngrihen ndërtesa me energji eficiente dhe ndërtesa që të ofrojnë mundësi të tjera për vilat njëfamiljarëshe dhe ekonomitë shtëpiake me një anëtar, sepse këto harxhojnë më shumë sipërfaqe për frymë dhe më shumë energji duke shkaktuar shtimin e emisioneve të dioksidit të karbonit për këtë mënyrë shoqërore jetese.

Ekuilibrat e reja globale ‘të vendosen së bashku si shoqëri’

Por vetëm shifrat dhe faktet që flasin vetë nuk mjaftojnë për të bindur vendimmarrësit politikë dhe shoqërinë për ndryshimet që duhen bërë patjetër në mënyrën tonë të jetesës, thotë profesorja. “Të bësh vetëm atë që thotë shkenca, është njësoj sikur të jetosh në “diktaturë ekologjike”, mendon Lorek.  Ne duhet “të ngremë së bashku si shoqëri një mënyrë të ekuilibruar jetese”, vetëm kështu mund të vendoset më shumë drejtësi në konsumin e burimeve midis kombeve të varfëra dhe atyre të pasura.

Kështu mund të arrihet që të sigurohet që çdo njeri të ketë një minimum cilësie jetese dhe të hiqet njëkohësisht mundësia, që vetëm pak njerëz të konsumojnë sasinë më të madhe të burimeve të limituara të botës. Sepse kjo, do të ishte “e rrezikshme për kohezionin shoqëror”, thotë i bindur Lorke.

Pérez-Cirera thotë, se nuk është puna se të gjithë duhet të kenë një stil jetese, por e rëndësishme është të tregosh se standardi “shpresëdhënës dhe tërheqës” i jetës është i mundshëm, edhe po t’i vësh kufi konsumit të tepruar.

“Unë mendoj se pretendimet duhet të ndryshojnë”, thotë ajo. “Nuk është aspak realiste, të japim mesazhin se çdo gjë që vlerësojmë tani do të kemi mundësi ta shijojmë edhe në të ardhmen”. Por vendimmarrësit politikë duhet ta kuptojnë se zhvillimi ekonomik është i mundshëm, por përqendrimi nuk duhet bërë tek sasia por tek cilësia. “Ne duhet të tregojmë patjetër se mund të bësh jetë të pëlqyeshme edhe me më pak gjëra.”/DW

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor