Familja / 22 Nëntor 2022, 14:30

Keni ndërmend të merrni një akuarium me peshq në shtëpi? Këto gabime duhet t'i shmangni patjetër

Keni ndërmend të merrni një akuarium me peshq në

Ka shumë njerëz që në shtëpi duan të mbajnë qen apo mace, por ka edhe nga ata që pëlqejnë të kenë një akuarium të vogël me peshq shumëngjyrësh. Në rast se mendoni të mbani një peshk me ngjyra në një akuarium të vogël të rrumbullakët, gaboni rëndë. Gabimi i parë i njerëzve në mbajtjen e peshqve në akuarium është përzgjedhja e një akuariumi tepër të vogël, në mënyrë që ta kenë më të lehtë për ta mirëmbajtur, por ndodh e kundërta: sa më i madh të jetë akuariumi, aq më e lehtë është të mirëmbahet.

Peshku i kuq që merret zakonisht është peshk i ujërave të ftohta, disi rustik e që mund të jetojë deri në 20 vjet në kushte të mira, por ka nevojë për hapësirë dhe oksigjen. Kjo gjë vlen për shumicën e specieve të peshqve.

Nevojat e peshqve duhet të jenë mbi gjithçka tjetër

Akuariumet në formë drejtkëndëshi që mbajnë të paktën rreth 100 litra ujë, në rast se keni shumë specie peshqish dhe që kanë një sipërfaqe të madhe uji në kontakt me ajrin, janë akuariumet që rekomandohen më shumë. Në përgjithësi, mjafton që të ndërrohet nga 10 deri në 20% të ujit çdo javë (ndonjëherë çdo dy javë me disa specie, gjë për të cilën është mirë të informoheni kur të blini peshqit) dhe gjithçka është në rregull. Është mirë të zgjidhni peshq që vijnë nga e njëjta zonë sepse në këtë mënyrë jeni të siguruar që ata kanë të njëjtat nevoja (për kripën, temperaturën e ujit, etj.).
Përsa i përket materialit, vetëm speciet e peshqve tropikalë kanë nevojë për ngrohje në mënyrë që uji të mbahet në temperaturë nga 26 deri në 28°C, ndërsa një filtër, një pompë ajri dhe ndriçimi janë të domosdoshme për të gjithë peshqit. Pompa e ajrit dhe filtri i ujit duhet të mbahen vazhdimisht në funksionim. Në rast se nuk ndodheni për disa ditë në shtëpi, dikush duhet të kontrollojë nëse ka probleme me energjinë elektrike. Mos harroni zallin, gurët, dekorin dhe bimët, të cilat duhet të jenë në përputhje me nevojat e peshqve e që ndihmojnë për mirë-oksigjenimin e akuariumit e u krijojnë peshqve vende për t’u fshehur. Disa bimë kanë nevojë për pleh dhe prerje, kështu që ju duhet të luani edhe rolin e “kopshtarit” në mënyrë që peshqit tuaj të kenë kushte sa më të mira gjatë gjithë vitit.

Tre gabime që nuk duhen bërë

Nuk duhet të pastroni gjithçka në të njëjtën kohë: ujin, dekorin, filtrat, etj. Për shembull, filtri i ujit, i cili duhet të pastrohet rreth një herë në muaj, nuk duhet të pastrohet në të njëjtën kohë me ndërrimin e ujit sepse peshqit, të cilët janë shumë të ndjeshëm ndaj ndryshimeve të mjedisit ku jetojnë, do ta kishin të vështirë ta duronin. Po për këtë arsye, merruni me dekorin dhe bimët midis dy veprimeve të pastrimit.
Nuk duhet të spërkatni dhomën ku mbahet akuariumi me produkte kundër pleshtave të qenit apo maces, pa e mbrojtur akuariumin. Produktet që përdoren për të eliminuar larvat e pleshtave në ambient janë toksike për peshqit.
Nuk duhet të vini gurët e porsa mbledhur në det direkt në akuarium: ata në fillim duhet të fshihen dhe sidomos të siguroheni që janë të përshtatshëm për ambientin ku jetojnë peshqit.

Horoskop