Familja / 5 Dhjetor 2022, 20:19

"Bëjini banjë për 30 minuta, nxirreni para pasqyrës dhe..." të gjitha mamatë e reja duhet të lexojnë këto këshilla të Lira Gjikës

"Bëjini banjë për 30 minuta, nxirreni para pasqyrës

Mjekja pediatre Lira Gjika, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale ka dhënë disa këshilla për të gjitha nënat e reja që të kenë një jetë sa më të shëndetshme si për vete edhe për beben. Ajo këshillon se nëna duhet të jetë e qetë në mënyrë që edhe fëmija të jetë i tillë, ndërsa thekson se duhen hequr disa vese të nënave të vjetra. Po ashtu ajo thotë se banja e fëmijës duhet të zgjasë të paktën 30 minuta, nëna duhet t’i flasë gjithë kohës fëmijës dhe duhet t’i bëjë aktivitet fizik.

Postimi i plotë i Lira Gjikës:

Në këshillimoret e fëmijëve në Danimarkë, nënave me fëmijë të porsalindur u rekomandohet një formulë e thjeshtë për të edukuar fëmijën e sapoardhur në jetë. Në këtë formulë të thjeshtë është përmbledhur se si duhet të veprojnë me fëmijën e tyre që të rritet sa më i shëndetshëm e i qetë dhe njëkohësisht nëna të mos ndihet e lodhur dhe fajtore se nuk di të rrisë fëmijën e saj. Kjo formulë është E.A.S.Y. këto germa janë gërmat e para të katër fjalëve:

1. Eat (ngrënie) ushqimi i fëmijës

2. Activity- aktivitete për fëmijën

3. Sleep- respektimi i orëve të gjumit

4. You time- kohë për vete nëna. Nëna duhet të gjejë kohë për veten e saj.

Këto këshilla e ndihmojnë nënën, që të organizojë ditën si për fëmijën dhe veten. Një nënë e qetë natyrisht që arrin të qetësojë edhe fëmijën e saj. Një nënë që pret nga të tjerët që t'i qetësojnë fëmijën, natyrisht që do të jetë ankthioze dhe siç dihet, ankthi i nënës i kalon automatikisht fëmijës duke mos e lejuar atë të jetë i qetë. Në praktikën tonë për mirërritjen e fëmijës në muajt e parë të jetës, nëna gati përjashtohet me "forcë" nga mamaja e saj dhe nga vjehra. Në vend që ta ndihmojnë të zhvillojë mëmësinë, i thonë ti nuk di.

Për aktivitete fizike as që bëhet fjalë, madje nuk e lejojnë nënën as të nxjerë shëtitje fëmijën në ditët e para të jetës. I vetmi aktivitet fizik përveç veshjes dhe ushqyerjes është banja edhe ajo është shumë e shkurtër, pasi kultivohet frika se fëmija mund të ftohet e sëmuret. Mirë do të ishte që banja të zgjaste të paktën 30 minuta në fillim të jetës së fëmijës.

Një gjë tjetër, që është shumë e rëndësishme dhe me vlerë për fëmijën dhe shëndetin e tij, është aktiviteti fizik me lojëra të vogla që në fillimet e jetës. Për shembull pasi nëna e ushqen fëmijën, mund t’i flasë e tregojë fytyrën e tij në pasqyrë, t’i emërtojë gojën, hundën, sytë, veshët, flokët e tjerë. T'i tregojë që është një ditë më i madh. Gjithashtu prindërit të përpiqen të braktisin mendësinë e vjetër, që fëmija është i vogël dhe nuk merr vesh, por ta shohin si njeri dhe njeriu me njeriun komunikon nëpërmjet fjalës, kështu duhet bërë edhe me fëmijën.

Horoskop