Shendeti mendor 19 Janar 2023

Altruistë apo egoistë? Studimi i fundit tregon si ndikon kjo zonë e trurit të njeriut te qëndrimet tona

Shendeti mendor

Altruistë apo egoistë? Studiuesit nga Universiteti Shtetëror i Milanos dhe nga Instituti Italian i Teknologjisë, kanë zbuluar se kjo varet nga faktorët socialë dhe të sjelljes, por edhe nga mekanizmat e trurit që prekin një zonë të caktuar të trurit tonë, amigdalën.

Studimi, i botuar në “Nature Neuroscience”, analizoi shkaqet që çojnë në qëndrime altruiste ose egoiste në botën e kafshëve, me synim ofrimin e njohurive gjithnjë e më të detajuara mbi mekanizmin që qëndron në themel të këtyre sjelljeve, për t’i kuptuar më mirë të gjitha ato gjendje patologjike, neuropsikiatrike apo neurodegjenerative, në të cilën sjellja sociale nuk është funksionale.

Për shembull rastet e një mungese të theksuar të ndjeshmërisë apo një sjellje anti-sociale të tepruar. Studimi u bë i mundur edhe nga fakti se për rreth 10 vite janë bërë studime tek kafshët mbi aspekte që lidhen me sferën emocionale dhe afektive. Historikisht ishte menduar se këto lloj funksionesh njohëse dhe sociale, ishin disi të rezervuara për njeriun dhe jo për gjitarët e tjerë

“Studimi nisi rreth 5 vite më parë. Ne pyetëm veten nëse minjtë ishin në gjendje të kryenin veprime që më pas mund të çonin në përfitime për bashkëmoshatarët e tyre, duke bërë një përpjekje më të madhe për të ndarë një shpërblim me partnerin e tyre. Duke analizuar sjelljen, ne e përdorëm këtë test për të studiuar neurobiologjinë që qëndron në themelin e këtyre zgjedhjeve” – shpjegon studiuesi dhe neuroshkencëtari ‪Diego Scheggia‬.

Studiuesit vunë re se përkatësia në të njëjtin kontekst shoqëror kishte një ndikim, po ashtu edhe dominimi shoqëror. Kafshët ashtu si njerëzit kanë një hierarki sociale brenda grupit të tyre, dhe ato në rangjet më dominuese priren të ndajnë shpërblimet në një mënyrë mëpreferenciale.

Hapi tjetër ishte të analizohej, nga pikëpamja neurobiologjike, cilat ishin qarqet e lidhura me këtë lloj sjelljeje në tru, duke zbuluar se amigdala bazolaterale tregon një aktivitet më të lartë neuronal tek kafshët më altruiste. Këto analiza shumë të sakta janë të mundshme falë kemogjenetikës, që i jep mundësi studiuesve të aktivizojnë dhe çaktivizojnë qarqet të caktuara të trurit, për të kuptuar se cilat janë të përfshira në një proces të caktuar.

Kur çaktivizoheshin këto qeliza specifike, studiuesit panë se humbi predispozita për të qenë altruistë. Por truri nuk funksionon në një lloj ndarje të pandikueshme. Ndaj studiuesit analizuan lidhjet midis amigdalës bazolaterale dhe korteksit paraballor, ky i fundi i përfshirë në shumë procese njohëse.

Dhe ata vunë re të njëjtën sjellje:kur çaktivizoheshin qelizat, gati të gjitha kafshët u bënë më egoiste. “Funksionimi i këtyre mekanizmave të zbuluara tek minjtë, mund të jetë i ngjashëm tek njerëzit. Korteksi paraballor dhe amigdala, nuk janë rajone të zgjedhura rastësisht. Ne e dimë që amigdala është e përfshirë në funksione të lidhura me shoqërizimin edhe tek njerëzit.

Edhe korteksi paraballor ka një rol kontrollues dominues mbi shumë funksione njohëse në sferën sociale”- thotë Scheggia‬.

Ai thekson se rezultatet e këtij studimi mund të aplikohen mbi modele jofunksionale dhe patologjike, të cilat do të jenë të dobishme në studimin e sëmundjeve neuropsikiatrike. “Aktualisht po përdorim modele të sëmundjeve neurodegjenerative si Alzheimeri për të kuptuar, dhe në të ardhmen për të identifikuar praninë e një objektivi të mundshëm, duke vepruar kësisoj drejtpërdrejt në ato deficite sociale që manifestohen në shumë gjendje neuropsikiatrike”- shtoi ai.

Por ky studim nuk ka rëndësi vetëm për sëmundjet neurodegjenerative. “Ne po studiojmë shumë nga faktorët gjenetikë që favorizojmë disa patologji, dhe po shohim se si këto modele egoizmi dhe altruizmi mund të ndryshojnë në sëmundjet gjenetike që i predispozojnë disa njerëz për t’u prekur nga sëmundje si skizofrenia dhe autizmi”- thotë Francesco Papaleo, shef i laboratorit të “Genetics of Cognition” në Institutin Italian të Teknologjisë që mori pjesë në studim.

“Ideja është që këto qarqe nuk funksionojnë mirë si tek fëmijët, dhe për këtë arsye subjekti nuk është në gjendje të zhvillojë disa aftësi social-konjitive. Qëllimi ynë është të kuptojmë se cilat nëntipe qelizore nuk janë formuar në mënyrën e duhur, duke ndërhyrë në fillim për të qenë në gjendje që t’i korrigjojmë ato”- shton ai.

Por a ka një predispozitë gjenetike ndaj altruizmit dhe egoizmit? “Kjo është e vështirë të thuhet, por nuk mund të përjashtojmë që ka diçka të lindur tek secili prej nesh, që mund të konsiderohet si një lloj predispozicioni. Për shembull, ne kemi parë që kafshët në fund të testit shprehnin preferenca që priren të jenë altruiste, janë gjithashtu ato që kanë një interes më të madh për t’u shoqëruar me të tjerët”- thotë Skexha.

Pra ka disa predispozita gjenetike që na bëjnë pak a shumë të ndjeshëm ndaj të tjerëve. “Autizmi dhe skizofrenia kanë një ndikim të madh gjenetik, prandaj ekziston një predispozitë për ndryshime në sferën socio-konjitive. Gjithsesi, nuk ka një gjen specifik të altruizmit apo egoizmit”- përfundon Papaleo. Burimi/Bota.al

ARTIKUJ TE NGJASHEM

  • Javor
  • Mujor
  • Vjetor