Kuzhina / 24 Shkurt 2023, 14:12

Byrek me spinaq dhe presh

Byrek me spinaq dhe presh

PËRBËRËSIT PËR BRUMIN: 700 g miell, 2 lugë çaji sheqer, 1 lugë çaji kripë, 2 lugë gjelle vaj ulliri dhe 500 ml ujë.

PËRBËRËSIT PËR MBUSHJEN: 500 g spinaq, 500 g presh, 500 g djathë i bardhë, kopër, 1 lugë çaji kripë dhe vaj ulliri.

PËRGATITJA: Fillimisht përgatisim brumin e byrekut. Në një enë përziejmë mirë miellin me sheqerin, kripën, vajin e ullirit dhe ujin (i cili duhet të jetë në temperaturë ambienti). E punojmë mirë derisa të përftojmë një brumë të butë të cilin e vendosim në një enë të mbuluar më një pecetë kuzhine dhe e lëmë të pushojë për 15–20 minuta. Ndërkohë përgatisim mbushjen duke filluar nga spinaqi të cilin e pastrojmë mirë dhe e presim hollë. Presim preshin dhe e bashkojmë me spinaqin, shtojmë më pas kripë dhe vaj ulliri. Brumin e ndajmë në 20 topa të vegjël me madhësi të njëjtë.
Fillojmë I hapim 5 të parat një nga një me ndihmën e një petëze (pec/okllai) sa madhësia e dorës, lyejmë sipërfaqen e secilës prej tyre me vaj ulliri dhe I vendosim sipër njëra tjetrës, pas kësaj I hapim përsëri me petëzën derisa të formojmë një petë të vetme të madhe të cilën e shtrojmë në fundin e tepsisë të cilën e kemi lyer më parë me vaj.
Mbi petë hedhim një pjesë të përzierjes dhe shpërndajmë gjithandej mbi të copa djathi të shkriftuar me dorë dhe vazhdojmë me të njëjtën procedurë duke hapur petët e tjera dhe duke shpërndarë nëpër to mbushjen dhe djathin (4 shtresa me petë dhe 3 shtresa me përzierjen e spinaqit)
Në fund I bashkojmë anët me kujdes dhe e pjekim në furrë të para ngrohur 200°C për 45 – 50 minuta ose sa të marrë një ngjyrë kafe të lehtë në sipërfaqe.
Pasi e nxjerrim nga furra përpiqemi ta kthejmë me kujdes me ndihmën e një tepsie tjetër me të njëjtën madhësi.
Presim 10 – 15 minuta të ftohet para se ta presim.

Horoskop