Mirëqenie / 8 Mars 2023, 12:53

Nga hidratimi i fytyrës tek kujdesi për trupin; 10 këshilla që duhet të ndiqni për një lëkurë të dehidratuar

Nga hidratimi i fytyrës tek kujdesi për trupin; 10 këshilla

Nga: Denada Nako 


Si mund të kujdesemi specifikisht për lëkurën e dehidratuar, në mënyrë që të plotësojmë ashtu siç duhet kërkesat e saj për pastrimin, hidratimin dhe mbrojtjen perfekte?

1. HIDRATIMI është çelësi i të pasurit një lëkurë të shëndetshme të fytyrës çdo ditë, në çdo stinë. Moti ekstremisht i ftohtë ose i nxehtë mund të shkaktojë dehidratim të theksuar, të çdo tipi lëkure, prandaj duhet të përdorim hidratuesin e përshtatshëm, në mënyrë që të kompensojmë atë mungesë të theksuar të molekulave të ujit në shtresat e lëkurës sonë. Për lëkurat e thata të dehidratuara, rekomandohet hidratuesi në trajtë kremoze ose balmi, për lëkurat mikse të dehidratuara përdoret hidratuesi në trajtën e emulsionit.

2. PASTRIMI i lëkurës së fytyrës është një nga proçeset kryesore të rutinës ditore të lëkurës. Sidomos në dimër, duhet që të gjithë të kemi kujdes në përzgjedhjen e pastruesit. Ai nuk duhet të përmbajë sapun, sepse lëkura mund të dehidratohet edhe më shumë akoma, e gjithashtu nuk duhet të përmbajë paraben e konservues te tjerë. Për lëkurat e thata, të dehidratuara, rekomandohet larësi në trajtë kremoze, qumështi ose shkume, por me përbërës emolientë. Për lëkurat normale-mikse, të dehidratuara ndërkohë, zakonisht rekomandohet një larës xheli ose shkume, lehtësisht i tretshëm në ujë, jo-irritues, por mjaftueshëm i thellë, në mënyrë që të përshkojë poret e lëkurës dhe ti pastrojë ato në mënyrë efikase.

3. Duhet të shmanget përdorimi i pecetave të lagura për pastrimin make up nga lëkura. Kjo për arsye se kanë një përmbajtje të lartë alkooli, i cili e dehidraton lëkurën në mënyrë të menjëhershme. Në vend të tyre përdorni pastrues në trajtë ujë micelar, vajor ose qumësht.

4. MBROJTJA nga DIELLI është një nga proçeset më të rëndësishme në çdo stinë, sidomos për ditët në të cilat mbizotëron moti i ftohtë, i thatë, e gjithashtu i nxehtë, me diell. Rekomandohet përdorimi i mbrojtësit nga dielli me faktor 30+ ose 50+, në formë kremi për lëkurat e thata dhe në formë emulsioni për ato normale-mikse. Kujdes! Edhe në ditët me shi, apo me vranësira, kremi mbrojtës duhet të përdoret njëlloj si çdo ditë tjetër, sepse rrezet UV janë padukshme, dhe janë pikërisht ato që dëmtojnë lëkurën tonë. Mos harroni riaplikimin çdo 2-3 orë gjatë ditës.

5. Mos harroni të hidratoni lëkurën e BUZËVE dhe të DUARVE tuaja, sepse janë ato të cilat kanë kontaktin e parë me faktorët atmosferikë të jashtëm. Rekomandohet balm për buzët, i pasur me vitamin E, A dhe përbërës hidratues të lartë si psh aloe vera, gjalpë karite, gjalpë shea, gjalpë kakao, ekstraktet e mjaltit, etj. Ndërkohë për duart, përveç përmbajtjes së lartë në glicerinë, vitaminë A, vitaminë E dhe substanca të tjera hidratuese të larta, për moshat mbi 35 vjeç këshillojmë të përdoren kremrat edhe me përbërës të mirë anti-age.

6. Aplikimi i MASKAVE hidratuese dhe i atyre detoks. Të paktën 1-2 herë në javë lëkura e dehidratuar dhe jo vetëm, ka nevojë me patjetër për aplikimin e maskave të ndryshme me përbërës hidratues dhe antioksidues. Rekomandojmë maskat me përmbajtje acidi hialuronik, vitaminë C, ceramide, etj.

7. Kujdes me përdorimin e RETINOLIT. Vërtetë kemi thënë që retinoidet është më e rekomandueshme të përdoren gjatë stinës së ftohtë, por si gjithmonë çdo e mirë, e ka një të keqe. Duhet hidratim! Fjala kyç është vetëm hidratimi! Kujtoni metodën sandwich, që do të thotë hidratues/retinol/hidratues. Nëse retinolin e keni në trajtë kremi, përpara aplikimit të tij, do të ishte ideal një serum me acid hialuronik.

8. Kujdes në përzgjedhjen e larësit të trupit për lëkurë të thatë/të dehidratuar. Rekomandohen pastrues në trajtë xheli/vajorë, me përmbajtje biolipidesh, glicerinë, alantoinë, etj.

9. Proçesi i larjes së fytyrës rekomandohet të bëhet me ujë as shumë të ftohtë dhe as shumë të nxehtë. Rekomandohet ujë i vakët, në mënyrë që pastrimi të mos krijojë dehidratim dhe të mos dëmtojë barrierën mbrojtëse të lëkurës.

10. Kujdes gjithashtu në përzgjedhjen e hidratuesit të trupit për personat me lëkurë të thatë e të dehidratuar. Rekomandohen hidratues në trajtë balmi me përbërës hidratues të thellë dhe emolientë, si glicerinë, vitaminë E, lipide, ekstrakte vajore, etj.

Horoskop