News / 11 Mars 2023, 08:34

Mesila Doda kujton momentin kur i morën patentën të birit dhe ka një këshillë për të gjithë prindërit: "Mos i llastoni fëmijët me makina të fuqishme, është një armë që vret"

Mesila Doda kujton momentin kur i morën patentën të birit dhe ka

Tre persona humbën jetën dhe 4 të tjerë mbetën të plagosur si pasojë e një aksidenti tragjik që ndodhi mesditën e së enjtes te mbikalimi i TEG-ut. 20-vjeçari Klevis Ruçaj po udhëtonte me mbi 260 km/orë në momentin që theu barrierat dhe përfundoi mbi një tjetër makinë duke gjetur vdekjen e menjëhershme së bashku me Erisilda Abedini, 22 vjeçe dhe Sikela Përroji, 23 vjeçe.

Ngjarja e rëndë që shokoi opinionin publik ka sjellë edhe një herë në vëmendje çështjen e sigurisë rrugore dhe rritjes së masave disiplinore për shoferët problematikë. Deputetja Mesila Doda ka ndarë me ndjekësit e saj në rrjetet sociale një rast kur të birit i është hequr patenta pasi kishte udhëtuar me shpejtësi tej normave të lejuara. Doda shkruan se as ajo dhe as bashkëshorti i saj nuk bërë asgjë që t’i rimerrnin patentën djalit të tyre dhe ka një këshillë për të gjithë prindërit.

REAGIMI I PLOTË 

"Tre të rinj humbin jetën. Ne sot jemi të shokuar po nga çfarë? I hasim përditë në rrugë, kur na parakalojnë, kur fishkellejnë gomat e makinës para nesh, kur kërcasin motorin e modifikuar që të bëjnë atë zhurmën e egër që na tregon ne vdekatarëve të zakonshëm se kush është i zoti i rrugës, e nuk bëzajmë. Nuk flasim se po i the ndonjë fjalë të shohin shtrembër e thonë po ty ç'të duhet, nuk flasim se kur tentojmë të marrim policinë në telefon aty përgjigjet një violinë qaramane e viteve ‘40 e nuk di sa duhet të presësh kur ke një urgjencë të tillë që dikush të përgjigjet, ndërsa sot ndjehemi të tmerruar nga fluturimi i vdekjes së tre të rinjve.

M'u kujtua kur para disa vitesh polici në autostradën Tiranë-Durrës që i mori patentën tim biri i cili kishte qenë mbi shpejtësinë e lejuar duke shkuar për në spitalin e Durrësit ku bënte praktikën asokohe. Ne nuk bëmë asnjë përçapje që t'i shpëtonim patentën. Pas tre muajsh pa patentë e pa mundësi lëvizjeje ai ishte shumë më i kujdesshëm gjatë drejtimit të automjetit. Pyetja e vetme që të vjen në këtë rast është: "Po si nuk pati asnjë punonjës policie që të mendonte se patenta e një djali 19 vjeçar që ka shkelje të përsëritura duhet tërhequr? Të dashur prindër, që fëmijët i keni dritë syri si të gjithë ne, mos i llastoni fëmijët me makina të fuqishme e të mos njohin kufij e norma. Duajini aq shumë sa t'u tregoni kufirin e sjelljes në makinë dhe shoqëri dhe mbi të gjitha mësojuni që makina është si një armë. Vret tjetrin, po edhe veten. Zoti ju lehtësoftë dhimbjen familjeve të viktimave e të lutemi që kjo tragjedi të na bëjë të mendojmë pak më shumë e të mbrojmë jetën."

Horoskop