Mirëqenie / 19 Mars 2023, 13:16

Çfarë është ndërrimi i gjakut, a reagojnë vërtetë trupi dhe mendja e njeriut kur ndryshojnë stinët?

Çfarë është ndërrimi i gjakut, a reagojnë

Pranvera ka ardhur, por jo gjithmonë trupi reagon pozitivisht ndaj ndryshimeve të temperaturës. Lodhje, dhimbje koke, apati, gjendje dobësie, mungesë oreksi, të gjitha këto i atribuohen asaj që në gjuhën e popullit quhet “periudha e ndryshimit të gjakut". Shenjat e mësipërme janë më të theksuara në persona që vuajnë nga sëmundje të ndryshme, organizmi i të cilëve jo gjithnjë i përballon aq lehtë.

Sistemi që preket më shumë është ai kardiovaskular. Mekanizmi është shumë i thjeshtë, pasi të gjithë e dinë se nga të ftohtit trupi i njeriut tkurret. Për pasojë dhe enët e gjakut. Duke pasur një seksion më të ngushtë në vazat e gjakut, ndodh rritja e tensionit mbi vlerën normale. Aty ku vazat e trurit ose të zemrës janë të ngushtuara ose të dobëta ndodhin infarktet. Po ashtu duke u rritur tensioni, vazat e gjakut çahen. Prandaj këshillohet që ata që vuajnë nga sëmundje të sistemit kardiovaskular të bëjnë një vizitë që në fillim të stinës.

Ardhja e stinës së pranverës shënon edhe fillimin e sëmundjeve alergjike. Nuk janë të paktë ata që rrinë me shami në dorë për të përballuar alergjitë e stinës. Fillon poleni i disa luleve, i cili sjell lindjen e disa sëmundjeve alergjike, të cilat duhet të marrin mjekim si të gjitha sëmundjet e tjera. Nuk janë të paktë njerëzit që preken nga alergjitë e ndryshme që në fillim të marsit. Grupi i sëmundjeve të lëkurës është një tjetër shqetësim që vjen si pasojë e ndryshimit të stinëve.