
(Video) Taylor Swift gëlltiti një insekt gjatë koncertit dhe momenti bëhet viral!
Taylor Swift ka nisur turin e koncerteve të saj, në të cilët nuk ka munguar publiku i zjarrtë që qëndron me orë të...
Sa më shumë kalon koha, aq më shumë bindemi se jeta që shohim në Instagram e TikTok në fakt nuk ka asnjë ngjashmëri me jetën reale, atë pas ekranit të telefonit ku influencuesit nuk na përndjekin.
Tashmë është e padiskutueshme se influencuesit janë një ndër shtyllat kryesore të strategjisë së marketingut duke përdorur platformat më të suksesshme të momentit. Në llogaritë e tyre shohim sesi ata promovojnë jetën ideale që nga veshjet e trajtimet e bukurisë, deri tek udhëtimet luksoze anëembanë botës. Kjo mënyrë jetese është e paarritshme për konsumatorin mesatar i cili bën çmos të bëhet pjesë e kësaj përralle të mbushur me bashkëpunime me kompani prestigjioze dhe pamje të kuruar deri në perfeksion.
Mesa duket njerëzve më në fund iu mbush kupa me ta dhe po ngrihen që të de-influencojnë! Nëse influencuesit rekomandojnë produkte për të blerë, de-influencuesit japin rekomandimet e tyre kundër këtyre produkteve.
Çdokush mund të bëhet një de-influencues. Rëndësi ka të keni dëshirë të ndani eksperiencën tuaj pa flitra me audiencën, sado e vogël qoftë ajo. De-influencimi nisi si trend fillimisht në platformën e TikTok-ut, e cila shihet si rrjeti social me të cilin përdoruesit e gjeneratës Z ndihen më shumë vetvetja. Hashtagg-et #deinfluencing dhe #deinfluencergang kanë arritur pothuajse 300 milionë shikime në këtë platformë dhe ky numër pritet të rritet dita-ditës.
Alyssa Stephanie është një nga përdorueset e TikTok-ut që është bërë pjesë e trendit të de-influencimit. Në videon që tani ka mbi 6 milionë shikime ajo shprehet: "Më pëlqen trendi i de-influencimit. Këto janë të gjitha gjërat që unë ju këshilloj të mos blini.” Sipas saj Dyson Airwrap dhe vajërat e shtrenjtë të flokëve nuk ia vlejnë të blihen dhe menjëherë pas kësaj ajo i sugjeron audiencës të blejë një tjetër tharëse flokësh më ekonomike nga Amazon vetëm për 30 dollarë.
Pra, a është ky fundi i profesionit të influencuesit tradicional dhe a do të ndryshojë rrënjësisht bota e rrjeteve sociale? Sipas nesh përgjigja është JO.
Na vjen keq të themi se trendi i të de-influencuarit është...influencues.
Dhe nga rasti i mësipërm, mund të kuptojmë se në thelb influencimi dhe de-influencimi mbeten e njëjta gjë. Edhe kur vlerësimi që de-influencuesit i bëjnë produkteve është negativ, ata sërish janë duke ndikuar në audiencë dhe po shërbejnë si udhërrëfyes në vendimet që konsumatorët marrin. Kështu, mund të themi se de-influencimi nuk po shënon fundin e industrisë së marketingut të paguar, por thjesht po e tjetërson atë.
Çfarë mund të mësojmë nga de-influencimi?
De-influencimi po i ndihmon influencuesit të rivlerësojnë strategjitë e tyre duke u siguruar se janë duke bashkëpunuar me kompani etike që prodhojnë produkte cilësore dhe që nuk shkaktojnë dëme në natyrë. Markat gjithashtu duhet të rishikojnë strategjitë e tyre të marketingut.
Ky fenomen synon të krijojë një valë të re e cila thekson mungesën e besimit të krijuar tek influencuesit tradicionalë dhe hedhin poshtë konceptin se çdo produkt që del në rrjetet sociale është i domosdoshëm. Në këtë mënyrë, audienca do që të “dënojë” konsumin e shfrenuar. Vetëm kështu, konsumatorët mund të reflektojnë mbi logjikën që qëndron pas blerjeve dhe përdorimin e dëmshëm të rrjeteve sociale.
Taylor Swift ka nisur turin e koncerteve të saj, në të cilët nuk ka munguar publiku i zjarrtë që qëndron me orë të...
Çdo vit, mijëra jetë humbin në aksidentet rrugore për shkak të shpejtësisë, konsumit të tepërt të alk...
Alergjia nga dielli përfshin njollat e lëkurës pas ekspozimit për një kohë të gjatë në diell. Këto skuqje li...