Mirëqenie / 24 Mars 2023, 11:08

10 arsyet që ndikojnë në rënien e flokëve; Ja se si mund të parandaloni këtë problem

10 arsyet që ndikojnë në rënien e flokëve; Ja se si

Nga: Denada Nako

Sot dëshiroj t'ju flas për një nga temat kryesore të përditshmërisë sonë në lidhje me kujdesin vetjak: konkretisht me kujdesin ndaj flokëve; e do të doja që ta nisja me problemin kryesor, rënien e tyre. Rënia e flokëve në fakt, mund të shkaktohet/ndikohet nga faktorë të ndryshëm. Disa nga kryesorët e më të zakonshmit janë:

1. Disbalanca hormonale.

2. Stresi.

3. Anemia.

4. Hipotiroidizmi ose hipertiroidizmi.

5. Humbja drastike e peshës trupore.

 6. Mosha.

 7. Trashëgimia.

8. Shtatzënia dhe laktacioni.

9. Gjendje të ndryshme të flokëve, si yndyra, zbokthi, dehidratimi i theksuar, etj.

10. Mungesa e disa vitaminave kryesore në organizëm.

Në varësi të këtyre faktorëve, duhet të bëhet edhe trajtimi i caktuar kundër rënies. Por çfarë duhet të bëjmë si fillim kur shikojmë se rënia ka filluar të bëhet shumë e ndjeshme?

Këshillat e profesionistëve duhet të jenë të parat që të na vijnë në ndihmë, kështu që në vend që të ndjekim çdo gjë që shfaqet çdo ditë në rrjetet sociale, duhet të orientohemi tek mjeku ose farmacisti. Shampot, locionet, serumet, kapsulat dhe ampulat janë ato produkte, të cilat duke u përdorur në mënyrë të kujdesshme dhe në varësi të llojit të flokut e sidomos të shkallës së rënies së tij, ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në reduktimin e kësaj të fundit. Njerëzit zakonisht kanë 100.000 deri në 150.000 fije floku. Zakonisht mesatarja e rënies së tyre është 50- 100 fije në ditë, por kjo gjë natyrisht ndryshon në varësi të shkakut të rënies. Trajtimi i rënies së flokëve zakonisht bëhet në mënyrë lokale dhe sistematike, por si vlerë të shtuar të këtyre dy trajtimeve, dua të përmend edhe dietën e mirë/të shëndetshme të përditshme.

Një dietë e shëndetshme dhe e pasur në aminoacide, vitamina e minerale, do të jepte një ndihmë të madhe në trajtimin e gjatë të rënies së moderuar e të theksuar të flokëve. Më poshtë po ju paraqes disa elementë, të cilët nuk duhet të mungojnë në dietën tonë të përditshme nëse kemi rënie të moderuar e deri në të konsiderueshme të flokëve, dhe të tjerë elementë që patjetër duhet të jenë të pranishëm në suplementet ushqimore, si edhe në shampot, locionet, serumet ose ampulat që përdoren kundër rënies së flokëve. Suplementet ushqimore duhet që në përbërjen e tyre të kenë patjetër metioninë, cisteinë, por edhe aminoacide të tjerë si arginina, etj. Selenium dhe biotinë, të cilët ndihmojnë në mirëmbajtjen e flokëve të shëndetshëm. Zink, i cili ndihmon në ushqyerjen e mirë të flokëve (dhe të thonjve gjithashtu). Bakër, i cili ndihmon në mbrojtjen e pigmentit të flokëve. Vitaminë E, e cila ndihmon në mbrojtjen e qelizave nga stresi oksidativ. Vitamina B6, acidi folik, vitamina C, etj, të cilat gjithashtu ndihmojnë si antioksidantë. Zakonisht këto suplemente ushqimore këshillohet të konsumohen gjatë vaktit kryesor të ditës, të shoqëruar me një sasi të madhe uji (200 ml).

Por çfarë duhet të keni parasysh kur të përzgjidhni një shampo kundër rënies së flokëve? -Prekursori i cisteinës dhe vitamina B6 mbrojnë bulbin e flokut nga faktorët e jashtëm. -Zinc pyrithione ngadalëson rënien e flokëve dhe rrit dendësinë e tyre. -Acidi hialuronik parandalon dehidratimin e flokëve dhe redukton irritimet e skalpit. -Biotina, redukton rënien, ushqen dhe promovon rritjen e shëndetshme të flokëve. -Diamine piridina, forcon flokët dhe stimulon rritjen e shëndetshme të tyre. -Kafeina, stimulon mikro-qarkullimin e gjakut në skalp, duke stimuluar mbirjen dhe rritjen e tyre.

Në rënien e theksuar të flokëve, sigurisht të kushtëzuar nga faktorë shëndetësorë të rëndësishëm, trajtimi zgjerohet duke përdorur paralelisht me mjekimin sistemik, edhe mjekimi lokal me shampo, serum ose locion, si edhe me ampula që aplikohen në rrënjën e flokut, në përbërje të të cilave është minoksidili. Trajtimi me këtë të fundit duhet të bëhet nën kujdesin e mjekut. Minoksidili është një nga trajtimet më të fuqishme në lidhje me rënien masive, të theksuar të flokëve dhe veçanërisht përdoret në alopecinë androgjenike, ndërsa efekti i tij në alopecinë areata është ende i paqartë. Duhet të keni shumë kujdes në përzgjedhjen e locioneve dhe ampulave kundër rënies, nëse flokët tuaj janë të yndyrshëm, me zbokth ose shumë të thatë. Trajtimi fillon gjithmonë nga përcaktimi i llojit të flokut, vazhdon me terapinë lokale pikërisht bazuar në llojin e flokut dhe në fund bëhet trajtimi kundër rënies. Për çdo pyetje tjetër ne lidhje me këtë problem, kontaktoni me mjekun ose farmacistin tuaj.

Horoskop