Modë / 9 Prill 2023, 15:07

Manikyri i zi tek meshkujt, magnet vëmendjeje apo shprehje e individualitetit

Manikyri i zi tek meshkujt, magnet vëmendjeje apo shprehje e

Ndonëse manikyri i zi nuk është një trend i ri, shihet se kudo në botë që nga viti i kaluar, numri i djemve që lyejnë thonjtë vazhdon të rritet, sidomos në gjeneratën Z. Në Shqipëri mund të përmendim artistin Robert Aliaj i cili shquhet për stilin e tij të veçantë dhe jo konvencional si dhe djalin e tij, Krist Aliaj, një ndër banorët më të përfolur në "Big Brother VIP 2". Në vendin tonë, ndryshe nga vendet e tjera të botës, lyerja e thonjve tek burrat vazhdon të shihet si diçka e pazakontë me qëllim tërheqjen e vëmendjes dhe krijimin e një figure të ndryshme nga e zakonshmja. Kështu që natyrshëm na lind pyetja: “Përse burrat zgjedhin pikërisht manikyrin e zi?”

Për të identifikuar arsyet, fillimisht duam të ndalemi tek simbolika që manikyri i zi ka. Zakonisht ngjyra e zezë personifikon forcën, besimin në vete dhe fuqinë. Në këtë mënyrë, kjo ngjyrë shihet tradicionalisht si një ngjyrë “mashkullore”, ndaj dhe ndoshta nuk duhet të habitemi kaq shumë. Burrat gjatë gjithë epokave kanë përdorur gjithashtu grim dhe kanë veshur taka, ndaj dhe normat dhe stereotipet gjinore dalëngadalë po bien poshtë.

Kur filluan meshkujt për herë të parë të përdornin manikyrin?

Manikyri i zi tek meshkujt nuk është një fenomen i ri dhe ka pasur shumë arsye gjatë shekujve pse zgjedhin t'i lyejnë thonjtë me ngjyrë të zezë. Ata ishin të parët që përqafuan këtë stil zbukurimi dhe burrat e parë që nisën të lyenin thonjtë e tyre me ngjyrë të zezë ishin luftëtarët. Luftëtarët e lashtë “Inca” zbukuroheshin në këtë mënyrë përpara se të shkonin në betejë dhe madje bënin dhe art në thonj.

Përveç rastit të mësipërm e kemi parë këtë shprehje të identitetit edhe gjatë periudhave të tjera të historisë. Shumë këngëtarë, muzikantë, artistë dhe të famshëm meshkuj lyenin thonjtë me ngjyrë të zezë. Gjatë fundit të viteve '70 dhe '80, shumë yje të muzikës “Rock” dhe “Punk” e kishin këtë pamje. Ata konsideroheshin rebelë të cilët luftonin për kauza të rëndësishme dhe kishin një pamje tejet mashkullore.

Sot shumë djem e burra e përdorin manikyrin e zi për t'u rebeluar ndaj normave shoqërore, për të treguar se ndjekin modën, për shkak të stilit të tyre jo të zakonshëm, por edhe për të shfaqur identitetin e tyre seksual. Ndër të famshmit që ndër vite kanë përdorur manikyrin e zi mund të përmendim Johny Depp, Kurt Cobain, David Bowie, Seal dhe Jared Leto ndër të tjerë. Po juve, si ju duket manikyri i zi tek burrat? 

Horoskop