News / 14 Maj 2023, 12:18

Vesa Luma flet për herë të parë për depresionin dhe jetën e re larg skenës:''Zelanda e Re më dha qetësinë, por më mori frymëzimin''

Vesa Luma flet për herë të parë për depresionin dhe

Edhe pse vitet e fundit ka qenë larg publikut shqiptar, Vesa Luma vijon të mbetet një nga artistet më të dashura. Ajo është vazhdimisht aktive në rrjete sociale, sidomos në Instagram, ku ndan momente nga jeta e saj e përditshme në Zelandën e Re. Së fundmi ish-etheistja e njohur ka dhënë një intervistë për Mira Kazhanin ku ka folur për herë të parë për jetën në Zelandën e Re, tërheqjen nga muzika, familjen dhe depresionin,

Intervista e transkriptuar nga Tirana Post:

Mira Kazhani: Vesa Luma është e ftuara e këtij podcast-i. Vesa, mirëserdhe më në fund!

Vesa Luma: Mirë se të gjeta! Shumë e lumtur që jam me ty këtu sot.

Mira Kazhani: Si gjithmonë ti Vesa, e disiplinuar, e përpiktë, në kohë.

Vesa Luma: Kjo puna e kohës nuk e di a më ka ardhur ngaqë jemi vetë si Dema, në horoskop kështu apo më ka ardhur viteve, profesionalizmit. Po që ndihesh mirë kur je në kohë edhe i bën gjërat me radhë. Besoj që të gjitha gjërat shkojnë mirë në vazhdim.

Mira Kazhani: Nuk janë të gjitha tiparet nga horoskopi dhe nga shenjat e horoskopit. Ndonjëherë kanë të bëjnë me natyrën, familjen. Nana ndoshta?!

Vesa Luma: Nana po. Nana është ajo që na rri gjithmonë aty tek koka të jemi të saktë, të jemi të rregullt, me këmbë në tokë. Shpeshherë e kemi kritikuar. Kemi thënë mbase nuk kemi bërë gjënë e duhur, sepse sot t`i kesh mbase këto tipare, mund ta marrin më shumë për dobësi, sesa si diçka që duhet të jetë. Po në fund të fundit ajo brendësia më thotë që është një gjë që më vlen dhe do më vlejë besoj gjatë gjithë jetës.

Mira Kazhani: Edhe unë i ankohem mamit shpeshherë për shumë tipare. Të paktën brezi ynë, jemi edukuar për një botë që nuk ekziston më, për hir të së vërtetës.

Vesa Luma: Nuk do të thoja që nuk ekziston gjithandej, por këndej nga ne është pak më e vështirë. Në Zelandën e Re për shembull, aty më vlejti shumë. Aty më vlejtën të gjitha ato momente që mbase i kam kundërshtuar edhe nënës.

Mira Kazhani: Për shembull, çfarë të vlejti?

Vesa Luma: Për shembull kur ika andej e pashë që të jesh muzikante, të jesh këngëtare, të jesh një figurë e lidhur me muzikën, duhet të kesh patjetër talent dhe shkollë, përndryshe nuk do kishe mundësi pune dhe për asgjë tjetër. M`u kujtua një moment kur kam qenë fëmijë. Unë kam studiuar për flaut dhe kam qenë në shkollën e ulët të muzikës, pastaj vazhdova edhe në të mesmen profesionale dhe unë ikja nga mami gjithmonë sepse nuk doja. Isha e vogël, doja të luaja. Nana dhe babi gjithë kohës më shtynin fort. Ti ke për të shkuar. Ke për të mbaruar. Iu thosha: Nuk ka për të më vlejtur kjo asnjëherë. Nuk e di pse, ç`e dua unë flautin apo pianon. Pastaj kur ika, ishte një moment kur ishte Covidi, pandemia. E gjithë bota u stopua. Vjen një moment një shoqe, e cila ishte nga Zelanda e Re. Ajo ka një akademi të muzikës dhe më thotë: Të gjithë mësuesit e muzikës më kanë ikur nëpër vendet ku jetojnë, sepse është pandemi dhe mua më kanë ngelur studentët, kori, ka kanë ngelur të gjithë. A mund të vish nesër dhe që t`i mbash të paktën sat ë mbarojë pandemia. Dhe unë aty i thashë nanës: Si ka mundësi? Gjithë kohës kam refuzuar. Kam thënë nuk më duhet, se unë do këndoj dhe nuk më duhen këto gjërat e tjera, që janë faktikisht bazike. Doli që pas 20 viteve apo më shumë, ajo gjë më vlejti aq shumë dhe më mbajti gjatë gjithë asaj kohës së vështirë. Më mbajti në punë. Më mbajti duke ndihmuar njerëz dhe u ndjeva më mirë. Nuk e kisha mendjen shumë siç…

Mira Kazhani: Të erdhi dhe një shans dhe ti ishte gati për atë.

Vesa Luma: Më erdhi një shans shumë i mirë.

Mira Kazhani: E kishe bagazhin me vete.

Vesa Luma: Pastaj mora nënën në telefon i thashë: Ke bërë shumë mirë! Më fal që të kam kritikuar.

Mira Kazhani: Kuriozitet i madh është përse shkon një njeri deri në Zelandën e Re. Përse shkon Vesa Luma dhe Big Basta, siç e njohim të gjithë – ti i thua Geri – Zherald i thonë andej…?

Vesa Luma: Xherald. Ai s`ka qejf. Po na ka ndihmuar shumë ky emri andej.

Mira Kazhani: Pse?

Vesa Luma: Po të kesh emrin Gerald në Zelandën e Re ka shumë benefite. E them me shaka.

Mira Kazhani: Dukesh ndërkombëtar?

Vesa Luma: Po. E themi me shaka. Gerit nuk i pëlqen. Ai është mësuar ta thërrasin Geri. Pse në Zelandë? Se erdhi një moment kur… Ne kishim qenë në Australi dy vite para se të vendosnim të iknim dhe jemi mrekulluar nga ai vend. Gjithmonë e kemi parë veten si banorë të globit. Të dy edhe unë, edhe Geri, gjithmonë nuk i jemi frikësuar jetës nga zero. Kur lindi Liani e menduam pastaj si një mundësi shumë e mirë që t`ia sigurojmë edhe atij mbase një jetë më të mirë, një fëmijëri më të qetë. Jo se këtu s`e kishim, të them të drejtën. Se ne i kemi pasur të gjitha të mirat, edhe para se të iknim, por që e kemi sfiduar veten. Ka qenë shumë, shumë, shumë e vështirë. Jo gjithçka që kemi nxjerrë në rrjetet tona sociale… Se unë kam qejf të shpërndaj më shumë pozitivitet dhe jo të shpërndaj gjëra që mund ta ngarkojnë dikë. Nuk ka qenë gjithmonë aq bukur sa vendet që unë shpeshherë postoj.

Mira Kazhani: Duket si përrallë pak.

Vesa Luma: Është si përrallë. Vendi është i jashtëzakonshëm. Gjithçka ka shkuar shumë lehtë, shumë mirë.

Mira Kazhani: Pse kaq larg Vesa?

Vesa Luma: Për këtë ka qenë konsistent Geri. Sapo kishte lindur Lianin dhe e gjithë rruga kur e kthej kokën pas ka qenë, ok, hajt se po e provojmë.

Mira Kazhani: Vendimin e mori ai?

Vesa Luma: Ai ka qenë konsistent edhe i pari. Unë thashë, ok po shkoj. Ka ikur si turist në fakt.

Mira Kazhani: Ti e ndjek në mënyrë të verbër Gerin?

Vesa Luma: Jo, jo, jo. Po kur lindi Liani aty e pashë tamam çfarë është jeta dhe çfarë duhet prej jetës. Si unë, si Geri po mundohemi që edhe Lianit t`ia transmetojmë që ajo çfarë ka më shumë rëndësi është të bëjmë kujtime bashkë. Të bëjmë udhëtime. Të bëjmë eksperienca të reja. Nesër mund të shkojmë të jetojmë në… (qesh) Jo nuk do ta bëj…

Mira Kazhani: Ku?

Vesa Luma: Jo, jo. Për momentin nuk do ta bëj, por nuk e them me siguri 100% që aty do jemi. Duam kujtimet. Madje nganjëherë e bezdis edhe Gerin me fotografi. Kam qejf gjithçka ta mbaj kujtim. “Na lodhe” – pastaj vjen thotë – “E ke atë foton që kemi bërë”. Nuk ta jap atë foton, i them.

Mira Kazhani: S`duan të bëjnë foto, fotografi pastaj kërkojnë. Kështu janë burrat.

Vesa Luma: Po i dua shumë kujtimet. Për këtë i kam ngjarë babit.

Mira Kazhani: Çfarë pune bën Big Basta?

Vesa Luma: Ne jemi kthyer tani të dy për një periudhë të pacaktuar, sepse kemi lënë disa projekte pezull dhe do dëshironim shumë që t`i vazhdonim. Përveç kësaj deshëm që edhe Liani sa është i vogël të rritet me kushërinjtë dhe nipërit, mbesat, gjyshërit. Po Geri ka pasur fatin që sapo u shkëput nga një punë shumë e mirë. Punonte në post produksion. Po them fat, se jo shumë shqiptarë kanë pasur mundësinë të bëjnë një punë që e kanë qejf, në një vend të huaj, ku nuk të njeh askush. Gjëja më e mirë është fakti që Gerin e ka ndryshuar shumë në raport me familjen, në raport me mua. Të ndryshon të qenurit vetëm. Kemi pasur një jetë krejt tjetër. Nga një jetë nate, me miqtë, kishim koncerte jashtë shtetit, gjithandej dhe përnjëherë u shkëput dhe filluam të bënim një jetë normale.

Mira Kazhani: Vetëm ju të dy, me Lianin.

Vesa Luma: Vetëm ne të dy me Lianin. Kjo ka qenë gjëja më e vështirë për të dy ne. Në fillim ishte shumë e bukur. Në fillim më shijonte pafund, por gënjej nëse them që më ka shijuar gjithë kohës. Kishte momente, sidomos nëse për shembull sëmurej djali apo ndodhte diçka e tillë, kishim nevojë për atë fjalën e mirë, për njeriun që të gjendet aty. Atë nuk e kishim, sepse ishim vetëm ne të tre. Kjo na ka kalitur shumë. Na ka forcuar shumë. Nuk dua të jem patetike, se unë e di që jo vetëm ne, por shumica sidomos shqiptarët kanë pasur raste të ngjashme. Rruga jonë atje nuk krahasohet me rrugën që kanë ndjekur ndoshta… Se ne ikëm faktikisht pa zor. Deshëm ta provonim.

Mira Kazhani: Deshët një sfidë.

Vesa Luma: Deshëm një sfidë. Ishte më e vështirë se ç`e kishim menduar. Po besoj që ia kemi dalë dhe kemi mësuar shumë.

Mira Kazhani: Ti po punon tani atje?

Vesa Luma: Jo. Unë kam bërë një punë part time për shkak se dikush duhet të punonte e dikush duhet të rrinte me Lianin. Kam bërë dhe një punë për Prishtinën, nga Zelanda në një radio. Teknologjia ka arrit në përmasa të tilla që nuk është më problem. Pastaj kam realizuar disa këngë që i kam hedhur në plehra. Po që nuk është kam qenë shumë aktive se i jam përkushtuar 100% Lianit.

Mira Kazhani: Pse i ke hedhur këngët?

Vesa Luma: I kam hedhur sepse nuk kam qenë (ne themi në Prishtinë), s`kam qenë trip. Nuk kam qenë në një moment që doja atë që bëja. Kam shkruar muzikë dhe shkruaj vazhdimisht muzikë për vete. Kështu jam njohur edhe me Gerin në fakt. Se unë ngaqë i kam bërë tekstet gjithmonë vetë, ishte Geri në atë kohë që bënte tekste për të gjithë këngëtarët dhe vjen më thotë: Ku je ti që s`më ke kërkuar asnjëherë asnjë tekst? A je mendjemadhe? I thashë: Jo, po i bëj vetë. Kështu që shkruaja këngë, por isha në një moment jo shumë të mirë emocional.

Mira Kazhani: Pse mendon që nuk ke pasur frymëzim?

Vesa Luma: S`kam pasur fare frymëzim. Mbase mbase për herë të parë në jetë… Gjithmonë e kam gjetur frymëzimin diku, por për herë të parë nuk e gjeja.

Mira Kazhani: Kur ndodhi kjo?

Vesa Luma: Kjo ka ndodhur vitin e fundit edhe në vitin e pandemisë. Në vitin e pandemisë, ia lashë pandemisë. Thashë s`jam në terezi.

Mira Kazhani: Në përgjithësi, të gjithë ishim pa frymëzim. Madje edhe ai kreu i OBSH-së ishte pa frymëzim, edhe gjithë liderët ishin pa frymëzim.

Vesa Luma: Ai edhe dukej pa frymëzim… (qesh) Sidomos këtë vitin e fundit shkruaja diçka dhe mendoja se ishte shumë e keqe. Madje as nuk kam dëgjuar muzikë fare në asnjë moment. Çdo gjë që dëgjoja më dukej shumë farzoletë, njëpërdorimshe, nëse mund të shprehem kështu. Kisha nevojë të dëgjoja diçka më të fortë.

Mira Kazhani: Nuk të prekte asgjë?

Vesa Luma: Fare. Inspirimi ishte në minus 100. Mundohesha dilja ose për palestër, ose për diçka që të paktën të më vinte frymëzimi, por nuk erdhi. Edhe ka shkuar gjithë viti. Aty e kuptova që gjërat e mira mbase vijnë avash-avash dhe s`kemi nevojë të ngutemi në këtë frymën e tregut. Unë të paktën kam qejf që çdo gjë që bëj, t`ia bëj hyzmetin.

Mira Kazhani: Më pëlqen kjo vetëdija që nuk kam pasur frymëzim. Edhe shkrimtarët apo artistët e mëdhenj nuk është se i kanë të gjitha kryevepra dhe të gjitha hite. Plus që ka faza kur njeriut nuk i shkëlqen asnjë yll. Pastaj papritur mund të vijnë të gjitha përnjëherë. Kushedi sesi… Ja, në kërkim të një jete të qetë, nuk frymëzohesh pastaj.

Këtu boritë, sherrnajat…

Vesa Luma: Këtu patjetër që do vijë frymëzimi… Do shkruaj një këngë se nuk më pëlqen kjo. Atje ishte gjithçka në rregull. Ishte aq qetë sa do thotë dikush, çfarë do ti më shumë? Do dhe të rrish e qetë, do edhe të frymëzohesh. Po për mua muzika është gjithçka.

Mira Kazhani: Ky është momenti i artë t`i qetësosh egon Gerit tënd të dashur, Big Bastës tonë, t`i kërkosh një tekst. Më pëlqejnë shumë tekstet e Big Bastës.

Vesa Luma: Ka bërë ai disa tekste.

Mira Kazhani: Është tekstshkrues shumë i mirë.

Vesa Luma: Është i jashtëzakonshëm dhe ka një talent që e ka të lindur dhe është diçka që ia kam thënë dhe vazhdoj t`ia them. Vazhdojmë kohë pas kohe e mbajmë njëri-tjetrin me gajret, me pozitivitet.

Mira Kazhani: Kur dhe ku shkruan ai dhe ku dalloni ju?

Vesa Luma: Ai shkruan në tualet. Ai i bën në banjë tekstet e tij. (qesh) E bëra thotë. Çfarë bëre? Bëra tekstin, thotë. I vijnë natyrshëm atij.

Mira Kazhani: Më ke gëzuar që i ndiqje podcastet nga Zelanda.

Vesa Luma: Shumë. Të kam thënë jo që i kam ndjekur, por i kemi ndjekur bashkë me Gerin, edhe me shqiptarët andej në Zelandën e Re, që janë shumë të mirë. Diçka që më ka pëlqyer shumë është që ke sjellë një frymë komplet tjetër nga ajo që ne jemi mësuar. Kisha nevojë të dëgjoja rrëfime të tilla. Kisha nevojë të dëgjoja diçka shumë intime, shumë të pastër, të cilën mendoj që vetëm ti mund ta sjellësh ashtu siç e sjell.

Mira Kazhani: Faleminderit! Unë sinqerisht nuk të pyeta që të më bëje një kompliment. (qesh)

Vesa Luma: Unë desha ta bëja, por mirë që ma the dhe doja ta përmbyllja në fakt me këtë gjë. Besoj që jemi në një fazë kur të gjitha këto farzoleta siç i quaja unë, ka ardhur koha që të shohim më shumë nga njerëzit. Të nxjerrim më të mirën e njerëzve. Jo gjithmonë atë që shohim, paraqitjen e parë, fasadën. Po të shohim atë zemrën, ato gjërat e mira që kanë bërë shumë artistë, shumë fytyra, mjekë, njerëz që ti ke pasur në podcastin tënd dhe jam kënaqur pafund.

Mira Kazhani: Unë kënaqem më shumë nga të gjithë kam përshtypjen, se i takoj dhe marr nga energjia dhe historia e gjithë të ftuarve. Po jam edhe shumë e qartë Vesa, ka vend kjo botë për të gjitha. Kështu që secili duhet të ndjekë rrugën e vet. Ka komunitet shqiptarësh të madh apo modest, por të mirë në Zelandën e Re?

Vesa Luma: Nuk është komunitet i madh. Është komunitet shumë i vogël. Diku rreth mbase 700-800. Në fillim kur kemi shkuar ngaqë kemi qenë gjithë kohës me shqiptarë, me njerëz që na ndalonin na takonin. Thashë, sa mirë që erdhëm këtu se s`dua të takoj hiç. Këtu s`më njeh njeri. Po ishte një moment që unë u takova nga nevoja. Kisha nevojë për disa gjëra…

Mira Kazhani: Nevoja të tuat. Nuk ka nevojë t`i specifikosh.

Vesa Luma: Po… dhe më ndihmuan shumë. Nga aty fillova u lidha. Fillova të dal me disa shqiptarë që ishin kryesisht të Prishtinës. Kishte edhe të Pejës, Mitrovicës, Gjakovës, por që kur dola më erdhi keq për veten si kisha mundur të mendoja që nuk doja të takoja asnjëherë. Se në fakt komuniteti të ndihmon shumë. E di si është kjo punë? Kur e di që ke një shqiptar aty, vjen ndjenja sikur e ke dikë të familjes. Këtë gjë nuk e kam kuptuar dhe mbase kohë pas kohe, kur s`kam qenë duke jetuar jashtë vetë, e kam paragjykuar. Sa herë vinin, iu thosha: Pse po vini në Kosovë, në Shqipëri? Pse nuk shkoni… keni afër Fixhin, keni afër këtë, atë… Pse doni t`i harxhoni lekët këtej? I kam paragjykuar në këtë aspekt. Tani e kuptoj sa duhen, sa jemi të afërt, sa të duhen të paktën si mbështetje morale. Për asnjë gjë tjetër. Vetëm si mbështetje morale.

Mira Kazhani: Më pëlqen këndvështrimi dhe që e shtjellove Vesa këtë, se ne na duket ndonjëherë sikur duam t`i ikim njëri-tjetrit dhe duke i ikur njëri-tjetrit, duke i ikur shqiptari-shqiptarit apo duke i ikur Shqipërisë, e kemi shpëtuar veten. Po në fakt ne njëri-tjetrin kemi.

Vesa Luma: Është shumë e vërtetë. Dy tre herë e kam kuptuar këtë fakt.

Mira Kazhani: Nuk e di nëse ke dëshirë të flasësh, por para disa kohësh, më je dukur nga postimet që po jetoje disa ankthe.

Vesa Luma: Po është shumë e vërtetë!

Mira Kazhani: Kishte të bënte me një situatë atje, por nuk e di tamam tamam.

Vesa Luma: Që ta çdramatizoj pak muhabetin, po më thoshte një grua: Ç`i keni këto ankthe? Ku e kemi ditur ne çfarë janë ankthet? Na jeni bërë me këto ankthe… Çdo njeri që takoj… Dhe mua më vjen faktikisht mirë se sot më duket se është ngritur më shumë vetëdija për ankthet, që sidomos rinia po i kalon pas pandemisë, ose janë vetëdijësuar më shumë pas pandemisë. Diçka mund të ketë ndodhur. Por unë po. Nëse e marr që nga fillimi i fëmijërisë së vështirë, luftës në Kosovë ku kemi qenë ne.

Mira Kazhani: Ti ke qenë adoleshente lufte?

Vesa Luma: Po, kam qenë 13 vjeçe, 14. Luftës në Prishtinë që kemi qenë gjithë kohës aty. Paslufta që ka periudha post-traumatike. Humbja e babait pastaj. Fillova një jetë krejt tjetër, jetën artistike. Në Tiranë erdha.

Mira Kazhani: U bëre e famshme.

Vesa Luma: Po u bëra dhe në atë moment kur unë mendova që e mora malin, u ngrita në qiell, erdhi nana më çoi poshtë për 10 minuta.

Mira Kazhani: Çfarë bëri?

Vesa Luma: Më tha: Ku je nis ti? Çfarë ka lidhje që je e famshme? Çfarë lidhje ka?

Mira Kazhani: Do lash enët (qesh).

Vesa Luma: Aty, do lash enët siç ke bërë gjithmonë. Unë për një moment aty rashë në tokë, sepse nuk më zgjati shumë ai deliri, si ndoshta mund t`i ketë zgjat dikujt. Po më vjen mirë që e ka bërë, sepse çdo gjë ka një arsye të vetëm. Të gjitha këto që i kam kaluar, duke përfshirë edhe djalin dhe mosndihmesën dhe të bërit gjërat vetë në jetë, komplet e re, erdhi në një moment kur unë thjesht e shihja që duhet ta stimuloja veten, ta mbaja me pozitivitet. Jam munduar shumë, jashtë mase. Gjithashtu me ndihmën e familjes që t`i marr gjërat më lehtshëm. Është jetë. Ndodhin gjëra të mira, ndodhin edhe gjëra të këqija, por e rëndësishme është ta marrim me pozitivitet atë që kalojmë, sepse ndryshe nuk ia vlen t`i dorëzohemi ngarkesës së momentit apo të keqes që neve mund të na duket që po na ndodh. Mendojmë që ka gjithmonë keq e më keq. Por Zelanda ma ka përforcuar shumë më shumë. Në janar të vitit të kaluar kur isha në karantinë dhe duhej të mbyllesha bashkë me djalin për disa ditë në një hotel, e mendova njëherë që do ta kaloj sepse do jenë 7 ditë dhe do dalim. Po ndodhi që ata nuk ishin shumë të përgatitur për gjithë atë procedurë dhe përfunduam të mbyllur 18 ditë vetëm me Lianin në një dhomë hoteli, pa dritare hapur. Pa dalë në korridor. Me Covid. Se qëlloi që ne e morëm 3 ditë pas Covidin. Siç duket e kemi marrë në avion. Pastaj na ndërruan hotelin. Në momentin që na çuan në një hotel tjetër që donin të më ndanin me djalin, ajo procedura e tyre, ata njerëzit që rrinin na ruanin me armë. Ajo ishte mbase një produrë normale për ta, po për mua shumë e pakuptueshme dhe traumatike. Sidomos për një person që ka kaluar edhe luftën. Po që nuk kishe çfarë të bëje. Ishe ngujuar në një vend ku as nuk mund të ktheheshe mbrapsht, po as nuk dilje. Përveç faktit që na çuan në fund të botës. Ne vazhduam në avion për në një qytet në fund fare ku s`kishte gati asgjë tjetër. Ato dënimet që merrnim kohë pas kohe për të mos dalë të merrnim ajër, të gjitha këto kanë qenë një gjë që mua janë dukur mbase më e vështirë se vetë lufta që kam kaluar.

Mira Kazhani: Para pak ditësh emergjenca dhe gjithçka u mbyll. Nuk ka më pandemi. OBSH e futi në sirtar, është futur në dosje. Nuk prita që të vije të më tregoje këtu Zelandën e Përrallave. Prita një Vesa që do tregonte historitë e veta.

Vesa Luma: Patjetër. Prandaj me shumë kënaqësi pata qejf të vija. E thashë edhe më herët, më duket sikur edhe publiku ka nevojë të dëgjojë më shumë gjëra që nuk shihen. Jashtë asaj të bukurës.

Mira Kazhani: Gjëra që nuk shihen as në Instagram.

Vesa Luma: Po fiks. Dhe është shumë e nevojshme që të kuptohet që jo gjithçka është lule.

Mira Kazhani: Unë ta them sinqerisht, nuk do isha kurrë në gjendje që të ikja aq larg. Ndoshta edhe që të iki nga Shqipëria. Unë nuk besoj që do iki nga Shqipëria. Po çfarë nuk ndodh. Kurrë mos thuaj kurrë.

Vesa Luma: Nuk e di. Mbase do e gjesh dikë që do të marrë me vete. (qesh) Siç ika unë.

Mira Kazhani: Jo, jo. Edhe po e gjeta do vijë ai tek unë.

Vesa Luma: Nuk i dihet, se kështu kam thënë dhe unë. Po e pashë veten në avion. Me një fëmijë as 1 vjeç. Kur arrita atje thashë, Zot ku kam ardh! Dy makina. Nga një jetë tepër aktive, me makina gjithandej. Sa del nga shtëpia ke makina, ke zhurmë, lokale dhe arrij në shtëpi, shoh, kalon një makinë. Kalojnë ca minuta, një makinë tjetër. Ishte një shok kulturor. Thashë: Ku kam ardhur?! Ç`është ky vend?!

Mira Kazhani: Ky vend është përrallë, por jo përralla ime.

Vesa Luma: Një eksperiencë që duhej ta kaloja unë.

Mira Kazhani: Edhe t`ia kalosh shumë bukur! Të shpresojmë që ndoshta ndonjëherë do të vijmë në Zelandën e Re.

Vesa Luma: Jeni të mirëpritur të vini kur të doni. Unë e di një gjë të sigurt, që është vendi më i bukur që kam parë ndonjëherë në jetën time, me njerëzit më të mirë që kam takuar ndonjëherë. Sa jemi të gatshëm të përballojmë dhe të adaptohemi është pjesë e jona, varet nga personaliteti. Po që është një vend ideal për jetesë. Nga ana tjetër, zemra më rreh për Kosovë edhe për Shqipëri. Gjithmonë do të jem në ajër. Do të jem mes këtyre tri jetëve paralele që siç duket e kam të shkruar t`i bëj.

Mira Kazhani: Edhe t`i shijosh! Faleminderit shumë Vesa Luma!

Vesa Luma: Ishte kënaqësi shumë e madhe! Faleminderit dhe ju uroj të gjitha të mirat dhe uroj që të zgjatë sa më shumë ky podcast që të kemi neve mundësi të shohim njerëz, fryma të reja, sinqeritet më shumë.

Mira Kazhani: Bëjnë podcast shumë në Zelandën e Re? Ka ndonjë si puna ime atje?

Vesa Luma: Ka. Podcastet janë gjithçka sot në Zelandën e Re.

Mira Kazhani: Të gjithë kanë nga një podcast në Amerikë për shembull, si kanë austriakët pianon.

Vesa Luma: Podcastet janë gjithçka, por mendoj që kjo që ke bërë ti është një gjë që na është dashur të gjithëve ne.

Horoskop