Mirëqenie / 17 Maj 2023, 13:01

Rasti i rrallë i Dajanës që ka lindur me 3 veshka, flet mjekja nefrologe: "Është një devijacion i lindur, ja kur duhet të tregoni kujdes"

Rasti i rrallë i Dajanës që ka lindur me 3 veshka, flet mjekja

Dajana Alija është një eksperte marketingu, e cila ka një histori të veçantë jete. Gjatë një vizite rutinë te mjeku ajo zbuloi se nuk ka vetem dy veshka në trup, por dhe një të mbivendosur. E ftuar në emisionin e “ABC e Mëngjesit”, Dajana ka treguar si është të jetosh me një veshkë të tretë dhe si e pritën prindërit në momentin që ua tha.

Rasti i rrallë i Dajanës që ka lindur me 3 veshka, flet mjekja

“Unë kam një veshkë duplex. E kam marrë vesh para 4 vitesh. Isha duke bërë një eko abdominale rutinë dhe doktori ma tha shkarazi që kam një veshkë duplex. Unë mbeta e shtangur. Ai më tha që s’ka problem, është thjesht një veshkë dyshe, nuk të përbën ndonjë problem, thjesht është diçka e rrallë që kanë njerëzit. Mami mendoi direkt se ishte një gjë shumë e keqe dhe më tha të shkoja te një mjek tjetër. Bëra një eko tjetër dhe u konfirmua që është një veshkë duplex. Mjekja e qetësoi mamin. Pak kohë më pas edhe babi zbuloi që kishte një veshkë të tillë. Ai ishte shumë i lumtur dhe i emocionuar.”, u shpreh ajo.

Sakaq, mjekja nefrologe, Marsida Duli shpjegoi si është e mundur kjo gjë dhe sa kujdes duhet pasur për të jetuar gjatë jetës.

“Rasti i vajzës është një rast me veshkë duplex, pra kemi dy veshka. Nuk kemi tre në numër, nuk është tamam mbivendosje. Por në rastin konkret kemi të bëjmë me një veshkë, e cila ka dy sisteme kolektore dhe më pas dy ureterë të ndryshëm. Ky është një deviacion i lindur, i cili në të shumtën e rasteve nuk komplikohet, por do një monitorim të saktë për të vetmin fakt që mund të komplikohet gjatë jetës, që do të thotë çdo deviacion nga norma, patjetër ka dhe pasojat e veta”, tha ajo./Burimi "ABC News"

Horoskop