Turizmi / 19 Korrik 2023, 12:22

Harrojini çadrat dhe shezlongët falas pas orës 19.00, ministrja Kumbaro tregon të vërtetën e postimit që bëri bujë në rrjete sociale

Harrojini çadrat dhe shezlongët falas pas orës 19.00, ministrja

Pak ditë më parë në rrjete sociale, por edhe website të ndryshme qarkulloi lajmi se çadrat dhe shezlongët do të ishin falas për të gjithë pushuesit, duke ndjekur kësisoj shembullin e Malit të Zi. Gjithçka nisi nga një foto e ministres së Turizmit dhe Mjedisit, zonjës Mirela Kumbaro, e cila me anë të një postimi në Instagram në të cilin shkruhej: "Mirëmëngjes nga Himara, ku modeli i plazhit publik me çadra dhe shezllone të reja pa pagesë pas orës 19, bëhet realitet për pushuesit".

E ftuar ditën e sotme në emisionin "Wake up" ajo tregoi se nuk ka postuar kurrë një njoftim të tillë në rrjetet e saj sociale dhe që bëhet fjalë për një fotomontazh. "Ky është një fotomontazh që nuk ka ekzistuar kurrë, që nuk e kam postuar kurrë, që nuk e kam thënë kurrë dhe më vjen shumë keq të marrim kohë dhe hapësirë për t’u marrë me një shpifje të radhës. Shumë faleminderit që ma dhatë këtë mundësi, unë thjesht e injorova në fundjavën kur qarkulloi. Është thjesht një montazh i rremë që nuk ka ekzistuar kurrë. Fotografia që shohim është marrë nga faqja ime e Instagramit, nuk është fare e Himarës.

Është plazh publik në Sarandë, Bashkia e Sarandës gjej mundësinë ta falënderoj dhe një herë, ishte e para që nisi modelin e një plazhi publik, të organizuar nga bashkia me çadra e shezlonge të vendosura nga bashkia, pa pagesë për pushuesit të cilët duan të rinë në një plazh publik dhe jo në një plazh të menaxhuar."-u shpreh ajo.

Ministrja Kumbaro gjithashtu ka komentuar edhe bumin e madh që ka pësuar turizmi në Shqipëri vit pas viti, ku po tërheq gjithnjë e më shumë turistë të huaj. Ajo shprehet se evolucioni i turizmit në Shqipëri vjen si rezultat i një pune të përmuajshme dhe përvitshme nga faktorët socialë, ekonomikë, të qeverisë, dhe sektorit privat. Po aq e rëndësishme sipas saj është promocioni dhe rrjetet sociale.

Horoskop