Turizmi / 23 Korrik 2023, 09:50

Të gjitha rrugët të çojnë në Pogradec, qyteti juglindor kthehet në oazën e preferuar të turistëve

Të gjitha rrugët të çojnë në Pogradec, qyteti

 

Klima e freskët, ushqimi, qetësia dhe çmimet më të arsyeshme se në bregdet e bëjnë çdo vit Pogradecin një destinacion të preferuar të një numri shumë të madh turistësh. Megjithatë këtë vit sezoni ka qenë një sukses më vete. Qyteti liqenor është plotësisht i rezervuar nga tani deri në javën e parë të shtatorit.

Në kulmin e sezonit turistik, qyteti i Pogradecit është zgjedhur nga mijëra turistë si destinacion për të kaluar pushimet. Klima e freskët, kulinaria dhe çmimet më të arsyeshme se në bregdet, kanë bërë që qyteti liqenor të jetë plotësisht i rezervuar deri në javën e parë të shtatorit.

Pushuesit tregojnë se kanë zgjedhur freskisë, pastërtisë dhe çmimeve të arsyeshme. Përpos stacioneve private në Pogradec, ofrohen çadra falas në plazhin publik.

“Pogradeci sivjet është shumë mirë. Liqeni është i pastër, nuk ka derdhje të ujërave të zeza. Çadrat janë falas” shprehet një nga pushuesit.

“Unë jetoj në Angli. Në verë Pogradeci ka një gjë shumë të veçantë, klima qetësia. Sidomos liqeni i Pogradecit edhe çmimet janë më të lirë në krahasim me Sarandën, Vlorën”, tha një tjetër pushues.

“U bë 20 vjet që nuk e kam parë Pogradecin. Është shumë qytet i bukur , i qetë, klima, ajri, ushqimi. Çfarë të them, më pëlqen shumë”, tha një pushues.

Sipas të dhënave nga subjektet e hotelerisë, vizitorët më të shumte që kanë rezervuar janë nga Tirana, Elbasani, Shkodra. Ndërsa turistët e huaj nga Gjermania, Kosova, Polonia, Serbia, Greqia etj.

“Pogradeci sivjet ka parametrat e duhur për zhvillimin e turizmit, por bumi është në gusht akoma nuk ka vajtur në nivelet që ka qenë në vitet e kaluar. Fillimi dhe bumi i pjesës së turistëve është gushti. Fillon nga 15 korriku e deri në fund të gushtit”, tha Dritan Hoxha, pronar i “Sherlock Irish Pub”.

Pogradeci frekuentohet për turizmin mjekësor, sportet ujore, por nuk mungon as jeta e natës.

“Ofrojmë turizëm ujor, turizëm malor, bëjmë dhe motor show, ofrojmë të gjithë llojet e sporteve për të afruar sa më shumë njerëz sidomos të grupmoshave të reja”, tha Hoxha.

Sa i përket kapaciteteve mësojmë nga bashkia se janë1800 shtretër të hotelerisë dhe rreth 1900 banesa të qytetarëve jorezident që kanë shtëpi pushimi në Pogradec. Po kështu vendasit lëshojnë dhoma plazhi me qira, por ende nuk ka të dhëna për numrin e shtretërve të tyre./ Burimi "ReportTv.al"

Horoskop