News / 21 Shtator 2023, 15:30

Shtohen rastet me Covid-19 që prej muajit shtator, flasin mjekët: "Infektimet u rritën nga turistët, nuk ka hospitalizime"

Shtohen rastet me Covid-19 që prej muajit shtator, flasin mjekët:

Prej fillimit të muajit shtator, sipas mjekëve të shërbimit ambulator dhe klinikave private, në vend janë shtuar rastet e të prekurve me Covid-19. Mjekët e shërbimit ambulator, si të familjes dhe pediatër, pohuan se për të dyja kategoritë e të prekurve me Covid-19, simptomat zgjasin nga 4 deri në 5 ditë. Situata po përballohet vetëm nga shërbimi ambulator dhe nuk ka raste hospitalizimi.

Ata nënvizojnë se shtimi i rasteve të të prekurve me Covid-19 është ndikuar nga fluksi i lartë i turistëve dhe emigrantëve gjatë muajve të verës. Drejtues të rrjetit të laboratorëve “Intermedica” pohuan për “Monitor” se prej së hënës së parë të muajit shtator janë shtuar rastet pozitive me Covid -19 të konfirmuar pas testimeve.

Sipas tyre, ndryshe nga periudha e muajve të verës, ku nuk ka pasur raste pozitive, në muajin shtator, numri i testimeve me rezultate pozitive arrin 5 deri maksimumi 10 raste në ditë. Edhe mjekja e familjes në Qendrën Shëndetësore të Kamzës, Elizabeta Musta, tha për “Monitor” se prej fillimit të muajit shtator janë shtuar rastet pozitive të të prekurve me Covid-19, me dy forma atë të prekjes së rrugëve të sipërme respiratore dhe me simptoma gastroenterite. Simptomat te të rriturit sipas saj zgjasin 4 deri në 5 ditë.

Mjekja Musta nënvizon se situata nuk shfaqet e rënduar dhe se deri tani, asnjë nga rastet e konfirmuara nëpërmjet testimit rapid nuk i është nevojitur hospitalizimi.

Shtim të rasteve me Covid-19, sipas mjekëve pediatër, prej datës 20 gusht ka pasur edhe te fëmijët. Mjekja pediatre, Sonila Brati, pranë Qendrës Shëndetësore nr.2 pohon për “Monitor” se përveç shtimit të rasteve me virozë, prej fundit të muajit gusht ka pasur rritje të rasteve te fëmijët e infektuar me Covid-19.

Sipas mjekes, nuk ka pasur raste me Covid-19 te fëmijët gjatë muajve të verës, ndryshe nga virozat të cilat janë shfaqur në numër të lartë. Doktoreshë Brati shton se situata nuk shfaqet e rënduar dhe asnjë nga fëmijët e prekur nuk ka pasur nevojë për shtrim në spital.

“Fëmijët e prekur me Covid-19 të konfirmuar nëpërmjet testit të shpejtë apo edhe analizave të tjera kur është e nevojshme, shfaqin simptoma që nga temperatura e lartë 39 deri 40 gradë, lodhje dhe dobësi të theksuar. Por 3 deri në 5 ditë pas shfaqjes së simptomave fëmijët negativizohen dhe nuk është e nevojshme shtrimi i tyre në spital”, pohon ajo.

Ndërsa edukatorë nga çerdhet shtetërore pohojnë se në këtë periudhë është konstatuar një mungesë deri në 35% të fëmijëve në çerdhe, për shkak të virozave të stinës. Sipas tyre deri tani në çerdhe nuk janë paraqitur fëmijë të sëmurë me Covid-19.

Mjekët pohojnë se gjatë muajve të verës nuk janë përballur me pacientë të infektuar me Covid-19, përveç muajit Maj 2023 ku pati një shtim të prezencës së rasteve me infektim.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka nisur përditësimet 4-javore me të dhënat e të infektuarave nga Covid-19 në botë. Krahasuar me muajt e mëparshme të 2023, trendi i infektimeve globale është në rritje, ndërsa numri i vdekjeve në rënie. Në 28 ditët e fundit (periudha nga 31 korrik deri më 27 gusht 2023), OBSH raporton se ka pasur mbi 1,4 milionë raste të reja me Covid-19 dhe mbi 1,800 vdekje. Krahasuar me 28 ditët e mëparshme infektimet u rritën 38%, ndërsa numri i vdekjeve u përgjysmua. Të dhënat e përditësuara do të publikohen nga OBSH më 28 Tetor.

Sipas OBSH që në nisje të pandemisë dhe deri më 27 gushti 2023, janë mbi 770 milionë raste të konfirmuara me Covid -19 dhe mbi 6,9 milionë në të gjithë botën./Burimi "MONITOR"

Horoskop