Personazh / 23 Tetor 2023, 15:14

Historia e panjohur e Spiro Priftit, mjekut brilant që themeloi "Spitalin Ushtarak" që vdiq duke eksperimentuar kurën e diabetit në trupin e tij

Historia e panjohur e Spiro Priftit, mjekut brilant që themeloi

Ndërkohë që diplomohej me “Medaljen e Artë” për Mjekësi nga vet mbreti i Italisë, Viktor Emanueli III, Spiro Prifti ofertën për t’u punësuar në klinikat me emër të vendit fqinj, duke zgjedhur ushtrimin e profesionit në vendlindjen e tij. Mjeku i ri shqiptar do ta niste së pari punën me themelimin e kurseve të para për infermierë dhe pasi do të krijonte përvojën e nevojshme në këtë fushë, do të përzgjidhej për të shërbyer si mjek në oborrin mbretëror. Ndërkaq, do të ishte ndër të parët në grupin e bluzave të bardha të vendit tonë që do të themelonin Spitalin Ushtarak, madje do të kryente për ca kohë edhe detyrën e drejtuesit kryesor të tij. Mjeku nga Kavaja do të bëhej i njohur në opinionin shqiptar për kontributin e jashtëzakonshëm në kurimin e sëmundjeve të malaries, fruthit, kollës së mirë dhe një sërë sëmundjesh infektive, që gjatë asaj periudhe ishin bërë masive e të rrezikshme.

NJË SHANS PËR SHKOLLIM NË ITALI, NJË MUNDËSI PËR TË SHKËLQYER MES TË TJERËVE

Mësimi i gjuhëve të huaja që kur ishte i vogël dhe përfundimi me medalje i shkollës së mesme, i jepnin Spiros mundësinë dhe shansin për të zgjedhur degën e preferuar në studimet universitare. Nga kujtimet e të nipit, Stefan Priftit, vihet në dukje se krerët e Bashkisë së Kavajës, që e kishin ndjekur me vëmendje ecurinë e djalit të Anastasit, vendosën t’i ofrojnë një të drejtë studimi jashtë shtetit, në fushën e mjekësisë, ku pjesa kryesore e bursës do të shlyhej nga financa bashkiake. Në këto kushte e gjeti Spiron ftesa për të vazhduar studimet në Itali. Vëllai i tij i madh, Theodhori, do të kujtonte vite më pas momentet kur Spiroja u nis për studime, kur Anastasi, i ati, e përcolli për në Itali, me merakun dhe këshillën e vetme që të bëhej mjek i talentuar e t’u shërbente njerëzve në profesionin aq fisnik e të nderuar.

Dhe premtimi që do t’i jepte ato çaste të atit do ta ndiqte prapa gjatë gjithë periudhës së studimeve, madje studenti nga Kavaja do të kalonte përtej këtij objektivi. Kësisoj, fillimi i studimeve për mjekësi, kimi-farmaceutikë në Napoli të Italisë shënoi për studentin nga Kavaja një sfidë që duhej ta kapërcente në mënyrë të padiskutueshme. Asokohe, në vendin fqinj studionin me dhjetëra shqiptarë të tjerë. Spiroja, gjatë viteve të studimit në Itali tregoi se ishte i një kategorie njerëzish që ishin të prerë për të qenë më të mirët. Megjithatë, të riut nga Shqipëria i kishte mbetur diçka e parealizuar, diçka që nuk kishte të bënte me rezultatet e shkëlqyera të studimeve.

Ishte pikërisht një premtim që ai kishte bërë para nisjes në Itali, i cili e shtynte për të arritur rezultatet maksimale dhe për t’u kthyer për të shërbyer me devotshmëri në vendin e tij, në shërbim të njerëzve. Këtë dëshirë ai e kishte transformuar në premtim në momentin e nisjes dhe si të tillë, ai do ta kujtonte në tërë vitet e shkollës. Ai i përfundoi studimet dhe rezultatet e tij nuk kaluan pa u vënë re. Spiroja nuk ishte një i ri që kishte mbaruar me rezultate të mira në Universitetin e Napolit, dega e Mjekësisë, por studenti më i mirë që kishte arritur rezultatet më të larta gjatë gjithë viteve të fakultetit.

“Mes studentëve të huaj në Itali, Spiro Prifti kishte marrë vlerësimet më pozitive. Emri i tij u bë një nga emrat e personazheve të bujshme në shtypin e kohës në Itali, për rezultatet e shkëlqyera që arriti në të gjitha lëndët”, nënvizon një nga studiuesit më në zë të mjekësisë shqiptare, profesor Flamur Tartari, i cili kujton, se edhe pse i ofruan vende në klinikat më të njohura të Italisë, ai nuk pranoi, vetëm për të përmbushur premtimin e dhënë, për t’u shërbyer vëllezërve të një gjaku. Do të futej kështu në zhurmën mediatike të kohës Spiro Papanastasi nga Kavaja dhe mjekësia shqiptare, që atëherë i numëronte me gishtat e njërës dorë mjekët e vet, si një rast i rrallë, por edhe si një moment pa precedent që bëri jehonë në listën e kontribuuesve.

Spiro Prifti u kthye në atdhe me shumë ëndrra e përkushtim, për t’u ofruar njerëzve shërbimin e domosdoshëm në emër të jetës. U kthye në nxitim e sipër, madje pa marrë as dokumentacionin zyrtar që ka të bëjë me burokracitë e rastit. Nuk priti bile të marrë pjesë as në ceremoninë, ku vetë Viktor Emanueli III do t’i jepte medaljen e artë…

SHPËRFILLJE BALLKANIKE, KORREKTËSI PERËNDIMORE! “MEDALJA E ARIT” VJEN NË NJË PAKO TË ÇUDITSHME

Ndërkohë që do të kërkohej nga shumë klinika evropiane, Spiro do të zgjidhte Shqipërinë e varfër për t’i shërbyer. Fillimisht, nisi punë në qendrën mjekësore, që atë periudhë mendohej të bëhej Spitali Ushtarak. Megjithëse mendonte se kishte mbaruar studimet dhe njëkohësisht edhe detyrimet ndaj institucioneve italiane, këta të fundit nuk mendonin si ai. Spiroja kishte mbaruar me rezultate të shkëlqyera dhe kishte marrë diplomën, dokument i cili i ishte dukur plotësisht i mjaftueshëm për të ushtruar profesionin.

Për të kjo kishte mjaftuar që të kthehej më shpejtësi në Shqipëri e të vinte në përdorim atë njohuri e eksperiencë që kishte akumuluar në vite. Ndërkaq, përfundimet shumë të mira me të cilat Spiro Prifti kishte përmbushur studimet universitare, kishin tërhequr vëmendjen e krejt autoriteteve të fakultetit, por edhe të institucioneve të larta shtetërore, që i çmonin me preokupim të veçantë ata që shkëlqenin ndër të tjerë. Ai ishte shpallur studenti më i mirë nga të gjithë studentët e huajt që kualifikoheshin në Itali, dhe si i tillë kishte merituar Medaljen e Artë, medalje të cilën, sipas protokollit zyrtar, e jepte mbreti i Italisë, Viktor Emanueli III. Kjo për mjekun shqiptar të diplomuar rishtaz, ashtu sikundër edhe për të tjerët, do të thoshte shumë. Po Spiro Prifti mendonte se koha nuk priste dhe nxitoi të kthehej në atdhe, për t’iu përveshur profesionit që e donte shumë. Gjithsesi, modestia dhe shpërfillja nuk do të mjaftonin që ai të ngelej pa e marrë atë që i takonte. Madje, ndodhia nuk kishte si të mbetej në periferinë e opinionit të kohës…

Ishte viti 1930, kur në postën e Kavajës do të vinte një pako disi e çuditshme nga forma. Familjarët e ruajnë edhe sot atë. Ishte një pako në formën e tubit, prej kartoni të verdhë, e cila mbante mbi vete disa pulla e vula të postës italiane. Me të ishte mbështjellë medalja që i akordohej Spiros nga vetë Viktor Emanueli III. Në emër të mbretit të Italisë, Spiro Prifti nderohej me titullin me vlerë akademike Doktor në Kimi-Farmaceutikë, titull jo për ushtrim profesioni, por për nderim dhe evidentim vlerash. Ishte hera e parë që një titull akademik si ky vinte me postë, në një paketë ku sipër shkruhej rëndom emri i marrësit, Spiro Papanastasi – Kavajë.

Por, mjeku i celebruar me titullin akademik nga vet mbreti i Italisë nuk do t’i kushtonte shumë kohë këtij evenimenti, gjithsesi jo të parëndësishëm, po do t’i përvishej punës për t’i shtuar atij të tjera suksese jo vetëm në fushën e studimeve profesionale, por sidomos në humanizmin e pakursyer në shërbim të jetës së njerëzve. Ndërkohë do t’i vijonte studimet pasuniversitare të mëtejshme në Arabi. Në arritjet e spikatura që do të shënonte më tej në studimet në fushën e mjekësisë dhe të farmaceutikës, do t’i jepte dorë sidomos zotërimi i gjuhëve të huaja anglisht, frëngjisht, italisht, greqisht dhe arabisht.

FATIT NUK I MUNGON KURRË IRONIA. MJEKU QË NUK SHËROI DOT PACIENTIN E FUNDIT, VETVETEN

Në dokumentet që ruajnë familjarët, por edhe studiuesit e mjekësisë, dëshmohet se Spiro, përveç ushtrimit të profesionit të mjekut, hapi edhe kurse për farmaceutikë, të cilat i shtriu edhe përtej Shqipërisë, në Follorinë e Selanik të Greqisë. Eshtë kjo arsyeja që ai njihet edhe si krijuesi i parë i shërbimit farmaceutik në vendin tonë, por edhe i zgjerimit të rrjetit të farmacive në Greqi. Edhe sot e kësaj dite në Greqi ekzistojnë disa farmaci që mbajnë mbishkrimin “Danis”, emrin e një të afërmit të Spiros, me të cilin hapi asokohe disa të tilla.

Në ato vite, Spiroja do të punonte në oborrin mbretëror dhe në shkollën mbretërore do të jepte leksione si profesor mjekësie. Gjithashtu, ai në ato vite do të njihej jo vetëm si mjek i zoti e i palodhur, por edhe si një njeri i thjeshtë e që gjente gjithmonë kohë për t’i kushtuar edhe brezit të ri. Jo vetëm në Tiranë, por edhe në Durrës e Kavajë ai do të shkonte vazhdimisht në shkollat e mesme dhe do të zhvillonte biseda e orë mësimi me nxënësit.

Mjekësia ishte pasioni i jetës për Spiron dhe si e tillë, e shtynte të kërkonte gjithnjë rezultate të reja e që të gjente zgjidhje kur ato mungonin. Ai, duke pasur një pasion të tillë, i kushtonte shumë kohë kërkimeve në fushën e mjekësisë popullore, kryesisht të bimëve mjekësore. Në të gjitha vizitat që ai kreu në Greqi nuk përdori asnjëherë makinën që i kishte dhuruar oborri. Në Korçë, pas udhëtimit me makinë nga Tirana, ai merrte kalin e tij dhe me të udhëtonte derisa arrinte në Selanik te të afërmit. Këto nuk ishin udhëtime për të kaluar kohën, apo për të parë bukuritë natyrore. Spiroja kishte kohë që punonte në grumbullimin e bimëve mjekësore dhe studionte efektet e tyre, duke u bazuar edhe te përvoja popullore. Rezultati i këtyre kërkimeve solli edhe publikimin e librit “Këshilla mjekësore popullore të bimësisë”.

Megjithatë, dorëshkrimi, i cili kishte volumin kryesor të punës dhe që përmbante vëzhgimet e Spiros ndaj pacientëve, sëmundjeve, bimëve dhe ilaçeve, nuk u botua kurrë. “Ai ishte një regjistër i madh, i mbushur me shkrim dore dhe titullohej ‘Bota e mikrobeve’. Ne e kemi pasur në shtëpi për shumë kohë. Mbaj mend se ia dhamë një mikut të xhaxhait për ta lexuar, por ky i fundit vdiq, ndërsa fëmijët nuk dinin të jepnin një përgjigje në lidhje me librin. Pra, e tërë ajo punë që ai kishte bërë në vite humbi”, thotë Stefan Prifti, djali i Theodhorit, vëllait të Spiros.

“Në ditët e fundit të jetës, Spiroja, në pamundësi për ta botuar ua la familjarëve që të merreshin me botimin e tij. Ka nevojë për disa korrigjime, pasi e kam shkruar me dorë dhe nuk kam bërë korrigjimet e fundit”, u tha ai vëllezërve dhe babait ato ditë kur e kishte marrë vesh se nuk mund të bënte më asgjë për të shpëtuar jetën e tij.

Spiroja, pas vitesh në shërbim të mjekësisë e të njerëzve, arriti që të lehtësonte nga vuajtjet e të shëronte mjaft njerëz, por fatkeqësisht nuk arriti t’i vinte në ndihmë vetes. Ai u prek nga sëmundja e diabetit dhe kjo sëmundje u bë shtysa që ai të fillonte një punë studimore në arritjen e krijimit të një ilaçi, i cili do ta zhdukte përfundimisht këtë sëmundje dhe ta shëronte pacientin një herë e mirë. Kërkimet e tij u finalizuan në provën e një ilaçi te vetvetja. Ishte viti 1939 dhe Spiroja kishte bërë provën e ilaçit te vetja, për të cilin mendonte se do jepte rezultat kundër diabetit.

Fatkeqësisht, rezultatet filluan të keqësojnë gjendjen e tij dhe po atë vit ai vdiq. Ai luftoi për të mundur një sëmundje, për të cilën edhe sot, pas më shumë 60 vitesh nga vdekja e tij nuk është gjetur kura përfundimtare. Në varrimin e tij do të merrnin pjesë që nga njerëzit e thjeshtë, që e donin dhe e respektonin doktor Spiron, e deri te mbreti Zog. Ishte nderimi i fundit për një njeri që diti të mbajë një premtim, atë të shërbimit ndaj njerëzve./ Marrë në web

Horoskop