Konfirmohen dy emrat e prezantueseve të "Kënga Magjike" 2024
Kënga Magjike ka nisur duke prezantuar javë pas jave në emisionin "E diela shqiptare" të gjithë artistët që do të kualif...
Nga: Kostandin Feshti
Nga “Gjuaje si Beckham” ( “Bend it like Beckham”, 2002 ), në “Rrëfehu si Beckham”… (Dokumentari must see i muajit )
Dokumentari i fenomenit të futbollit që mbërtheu 3.8 milionë shikues në fundjavën e tij të debutimit me 4 episode.
Këtë artikull për një nga dokumentarët më në zë të këtyre 3 viteve, i cili mund të kualifikohet në kategorinë e “mini-serialeve”, dua ta nis siç e starton Victoria (Adams) Beckham prezencën e saj në këtë produkt audio-viziv duke thënë se: “Unë nuk shoh futboll, nuk e kam patur qejf ndonjëherë futbollin, nuk e kam qejf as sot”. Thënë kjo, nuk mund të pretendoj se emrin “David Beckham” e dëgjova për herë të parë tetorin e 2023-shit. Kjo ndoshta falë dëshirës së madhe të David për të qenë më shumë sesa thjesht një futbollist, mendim lidhur me karrierën e tij, të cilin e shpalos qartë gjatë 2 episodeve të para. E njëjta gjë nuk mund të thuhet për shokët e tij të skuadrës ( me të cilët ka një marrëdhënie mbresëlënëse ), të cilët i njeh vetëm një njohës i mirë i futbollit, aq më tepër i “Manchester United”, skuadrës që i dha formë Beckham-it.
Epidodi i parë nis me David-in, të veshur me një kostum bletari në oborrin e shtëpisë së tij me përmasa gjigante (jo vetëm shtëpia, por dhe oborri gjithashtu)në Oxfordshire, ku me sa duket, banore janë dhe bletët, nga të cilat David shihet se prodhon një mjaltë të tijin, të cilin Victoria do e quante “David’s Sticky Stuff”. Pa nisur tamam episodin e parë, ti arrin të dallosh nuancën që ky “rrëfim” do të ketë. I qetë, i realizuar bukur vizualisht, e mbi të gjitha, real. Që nga batutat apo mënyra e sinqertë e të folurit për ngjarjet, dallohet menjëherë marrëdhënia e tij me Victorian, regjisorin Fisher Stevens e me veten gjithashtu, por dhe me persona të tjerë të rëndësishëm në jetën e tij si “Menaxheri” Ferguson, bashkë-lojtarët, kolegët etj.
Ep. 1 të njeh me fëmijërinë e tij, se si futbolli jo vetëm ishte pasioni më i madh që David kishte, por dhe qëllimi kryesor i jetës, i mbështetur dhe nga i ati, një i pasionuar i futbollit, veçanërisht pas skuadrës së “Manchester United”.
Po ta analizosh thellë dokumentarin, në çdo episod, për të mos thënë në çdo fragment, ti sheh një realitet, një ndodhi, me të cilën lidhesh, merr një mesazh. Prindi që kërkon të shohë të realizuar te fëmija i tij një ëndërr që ndoshta s’mundi ta realizojë vetë. Një fëmijë, i cili ushqehet e rritet me disiplinë e rregulla strikte për t’u bërë më i miri. Një nënë që do ta shohë fëmijën e saj në majë, por në të njëjtën kohë dhe të lumtur. Sheh dhe një djalë, që përpos talentit që 4 vjeç, do të kuptojë se ka më tepër në jetë se sa thjesht pasioni i tij. Fare mirë mund të ndalemi pak dhe t’i themi vetes: “Wow, qenkam dhe unë si Beckham”. Por, nuk mbetet me kaq.
Kur ty të kalojnë minutat e episodit si sekonda e vjen momenti në të cilin David bie në kontakt me Sir Alex Ferguson ( menaxheri i tij në “Manchester United” deri në momentin e largimit të futbollistit ) që 12 vjeç, kupton se si pavarësisht talentit që ti si individ mund të posedosh, është tepër e rëndësishme të gjendesh në vendin e duhur, në kohën e duhur e të takosh njeriun/njerëzit e duhur. Besimi që sir. Alex Ferguson pati te David që i vogël nuk ishte një rastësi. Madje, marrëdhënia e tyre evoluoi shumë shpejt me David-in që e shihte “Menaxherin” si një figurë atësore, motoja e të cilit ishte: “Young people deserve a chance”-(Njerëzit e rinj e meritojnë një mundësi). Ashtu ishte dhe vetë lojtari. Një djalë i ri, i cili ndeshjen e parë e zhvilloi vetëm 17 vjeç. Një ndeshje në të cilën shoku i tij i skudrës, Eric Cantona shprehet në dokumentar se vuri re që: “Ky djalë ka talent”. Konstatim, i cili më shumë se sa një opinion, do të kuptohej shumë shpejt se ishte një fakt.
Gjithsesi, “Fast forward”, episodi i 1-rë dhe episodi i 2-të të njohin me një anë të David-it, të cilën nuk do mund ta shihnim nëse ai nuk do të kishte dashur kurrë. Të njohin me skuadrën e tij të zemrës, me miqtë e tij më të mirë, ata që e ndihmuan të rritej e të bëhej lojtari “i djathtë”. Emra si Gary Neville, Eric Cantona, Ole Gunnar Solskjær, Roy Keane, pa të cilët ai nuk do t’ia kishte dalë mbanë aq lehtë.
Dokumentari na shtjellon qartë se mentaliteti me të cilin Ferguson i trajnonte dhe menaxhonte këta djem ishte tepër i thjeshtë për t’u kuptuar: “Ne jemi një FAMILJE. E familja është gjithmonë aty për ty!”. Kjo tregohet shumë bukur më vonë gjatë episodeve, në momentet kur David përshkruan abuzimin, depresionin dhe ankthin që përjetoi pas ndeshjes së famshme midis Anglisë dhe Argjentinës, gjatë të cilës mori një karton të kuq duke u skualifikuar nga ndeshja. Një idhull anglez, etalon i lojës perfekte në fushë, u shndërrua brenda një nate në lojtarin më të urryer të vendit. Njerëz, të cilët e idealizonin dhe e admironin aq shumë, u kthyen në persona që nisën të kërcënonin atë e Victoria-n, familjet e tyre, atakime të njëpasnjëshme nga shtypi, paparacët e publikimet e ndryshme vendase. Por ajo që i vuri kapakun, siç tregohet dhe në dokumentar, është mënyra se si trajneri i Anglisë, Glenn Hoddle, vendosi ta “menaxhonte” situatën, duke e hedhur David-in “nën rrotat e autobusit” (siç dhe David shprehet në episodin e 2-të të “Beckham”).
E falë miqve të tij të skuadrës ai arriti të menaxhojë situatën në mënyrën më të mirë të mundshme, duke luajtur ashtu siç ai dinte të bënte më mirë. Madje, një fragment që më ka mbetur në mendje është ai në të cilin David thotë: “Ata [ audienca ] nisën të këndonin një këngë të turpshme për Victoria-n, por me çdo ofendim që bënin, për mua, për familjen time, thjesht më shtynin të luaja më fort e të bëja gola”.
Way to go David, that’s the spirit! (Bravo David, kjo është fryma që duhet!)
Por, “Beckham” nuk fokusohet vetëm te karriera e lojtarit. Se si ai u rimëkëmb e bashkë me skuadrën arritën të realizonin një fitore “TREBLE”, e pak-precedentë më parë, se si ishte ai që i katapultoi lojtarët e futbollit në statusin “Rock Star”, si pasojë e partneritetit me brand-e të ndryshme e prezencës mediatike. Zgjedhja e tij si kapiten i Anglisë në “Kupën e Botës” apo dhe largimi i tij nga Manchester United për të kaluar te “Real Madrid”, më pas vajtja në Amerikë ( me një përfundim relativisht shumë të suksesshëm), e rikthimi në Europë. David i shtjellon me detaje këto sekuenca të rëndësishme jete. Përgjegjësitë mbi supe si një futbollist me këmbë të arta, përplasjet në prapaskenat e lojërave, që herë u bënë publike në atë kohë, e herë të tjera jo, por tanimë, falë këtij “rrëfimi”, po.
“Beckham” fokusohet shumë gjithashtu në rolin e anglezit si bashkëshort, baba, djalë e shok. Pa dorashka, tregohen me imtësi momente intime të “Posh dhe Becks” ( Posh Spice – Victoria Beckham, “Spice Girls” ). Puthja e tyre e parë brenda një BMW-je, në një parking makinash. Mendimi i nënës së tij për marrëdhënien me këngëtaren e famshme apo dhe mospëlqimi i Victorias nga ana e sir. Alex Ferguson. Momenti kur Victoria, një natë para një prej ndeshjeve të tij më të rëndësishme e njofton se do të bëhet baba. Debatet si rrjedhojë e lëvizjeve të shumta nga një vend në tjetrin e deri te kriza ( të cilën të dy e pohojnë si të tillë në dokumentar ) e nisur në Spanjë, gjatë kohës së Beckham-it si lojtar për “Real Madrid”-in. Një periudhë të cilën Victoria shprehet se nuk e shijoi aspak, gjatë të cilës publikoheshin pa fund thashetheme e histori për çiftin në media. “Tradhti martesore”, “Divorc”, “Një grua fodulle e pakënaqur nga Spanja” ishin disa nga titujt me të cilët çifti zgjohej e ngrysej çdo ditë gjatë kohës së tyre në Madrid. Por…Duhet të shihni dokumentarin nëse doni të zbuloni a pranon David të paturin e një marrëdhënieje jashtëmartesore apo kanë qënë thjesht trillime mediatike.
Sa për Victoria-n, më duhet të përmend se prezenca e saj në këtë mini-serial dedikuar bashkëshortit të saj, ishte mëse e nevojshme dhe tepër e mirëmenduar. Reale, e sinqertë lidhur me ndjenjat e mendimet e saj për situatat dhe etapat e kaluara. E kuruar deri në detaj, por pa reklamuar një glamour të panevojshëm. Duhet thënë, se përpos një idhulli futbolli, në këtë dokumentar kemi dhe një ikonë popi, e cila për familjen dh zgjedhjet e saj në jetë mund të ketë akoma më shumë për të treguar nga ç’rrëfeu në “Beckham”. Rrëfim të cilin në fund të dokumentarit ajo e quan “terapi”.
Për mendimin tim, ky produksion është një “Must-See”. Mund mos ta kesh qejf futbollin, mund të mos duash t’ia dish aspak për “njerëzit e famshëm” apo botën e “showbiz”, ama merr mesazhe. Kupton se për të arritur atë që do, duhet punë e disiplinë, paçka se talentin mund ta kesh që në gjenezën tënde. Kupton se sa rëndësi kanë njerëzit me të cilët rrethohesh, se si pa ata që janë të mirë e të vërtetë me ty nuk mund të shkosh larg. Dhe mbi të gjitha, arrin në konkluzionin se PO, familja ka një peshë aq të madhe në jetën tënde, të cilën arrin ta kuptosh vetëm në momente ku pikërisht këtë jetë e vendos nën një lupë retrospektiviteti goxha të madhe.
Ama, para se këtë analizë të nevojshme ta bëni për jetën tuaj, shihni atë të Beckham-it.
Kënga Magjike ka nisur duke prezantuar javë pas jave në emisionin "E diela shqiptare" të gjithë artistët që do të kualif...
Sapo ka mbërritur koleksioni i ri i fustaneve të nusërisë së Vera Wang, për vitin 2025.I quajtur "Thelbi i Verës", ky kolek...
Kur biem kokë e këmbë në dashuri ndonjëherë harrojmë të jemi racionalë, si rrjedhojë nisim të mos u kus...