Familja / 6 Dhjetor 2023, 15:47

“Për t’u patur frikë”, sociologia: Fëmijët nisin marrëdhëniet seksuale që në moshën 12-13 vjeçare

“Për t’u patur frikë”, sociologia: Fëmijët

Sociologia, Marsi Simo, ka folur sot për hiperseksualizmin , tendenca (e gabuar) ku fëmijët nxiten të sillen, flasin, veprojnë, vishen si më të rritur.

Kjo mund të shikohet edhe në marrëdhëniet seksuale që ata krijojnë në moshë të hershme. Marsi Simo thotë se fëmijët kanë filluar të eksperimentojnë që në moshën 12-13 vjeçare dhe kjo për të është vërtet e frikshme.

“Marrëdhëniet seksuale në moshë të hershme tashmë, kanë filluar të jenë mbi moshë shumë të hershme. Jo sepse, drejt atyre na çon edhe ideja e një puthje intime në një moshë fare të vogël. Dhe numri i fëmijëve pra, se fëmijë janë deri në moshën 18 vjeç, të cilët po eksperimentojnë në afërsi të tilla fizike, i është ulur mosha. Nëse kanë qenë dikur 15-16 vjeç, tani e kemi diku hendekun 12-13 vjeç. Dhe sigurisht që, kjo është për t’u patur frikë sepse janë marrëdhënie të atilla që nuk fliten dhe nuk edukohen, por veteksplorohen. Sigurisht që është për t’u patur frikë, por që duhet diskutuar në moshën e tillë, që kur fillojnë hapat e parë, që në moshën 6-7 vjeç. Sigurisht duke përforcuar në moshën 8-9 vjeç. Unë shikoj që vajzat, sidomos vajzat e vogla, në moshën 5-6-7 fillojnë të rriten më shpejtë. Fillojnë të kërkojnë gjëra, fillojnë të bëjnë pyetje ngacmuese më të vështira më sesa djemtë. Djemtë edhe pjekurinë seksuale e arrijnë pak më vonë, por mbetem pak më shumë fëmijë deri në moshën 8-9 vjeç. Kurse vajzat duhet, them unë, të kemi më shumë kujdes” – tha ajo në "Shije shtëpie". 

Ajo ka treguar gjithashtu një rast të djalit të saj 5-vjeçar, ku një vajzë e kishte puthur në buzë.


“Do ta paralelizoj edhe me një ngjarje personale këtë, por duke thënë që kohët e fundit, prindërit, çiftet e reja tregojnë shumë afërsi përpara fëmijëve, ndryshe nga prindërit tanë që nuk i shihnim duke u puthur, duke u përqafuar. Dhe kjo afërsi kopjohet si model, por jo në ato kuptime seksuale që ne mund të na shkojë ndërmend. Djali im në moshën 5 vjeç, më vjen një ditë dhe më thotë që: ‘një shoqe më kishte puthur në buzë’. Në atë moment u bëra shumë serioze dhe i thashë: ‘përse pikërisht në këtë zonë, mund të putheni në faqe’. ‘Sepse’, tha ‘po bënte rolin e mamit dhe të babit, unë isha burri ndërsa ajo ishte gruaja dhe ne po bënim sikur ishim të martuar. Edhe u puthëm në buzë sepse të rriturit puthen në buzë’. I thashë: ‘por ju nuk jeni të rritur dhe nuk ka përse ju të bëni lojëra të tilla sepse ka lojëra të tjera për fëmijë. Nuk jeni të rritur ju, kur të rriteni, atëherë do i bëni këto prej vërteti’. Dhe unë jam nënë djali. Imagjinoni për shembull, mund të ketë nëna të tjera ose baballarë të tjerë që me shumë krenari do thotë: ‘djali im në moshën 5 vjeç mori puthjen e parë. Jepi babi, shumë mirë e bëre’. E them këtë sepse shumë mesazhe që mora pas publikimit të videos ishin pikërisht këto baballarë që nxisin fëmijët e tyre djem, që t’i bëjnë këto lloj veprimesh. Në mos edhe t’i kapin vajzat sepse është shumë normale që djemtë t’i bëjnë. Edhe them që ky edukim vjen nga të dyja palët. Pra, sigurisht që ne duhet ta marrim seriozisht, duhet t’i kuptojmë, por edhe mund të japim atë idenë e tmerrit ‘çfarë ndodhi, ti nuk ke për ta prekur më ose nuk do afrohesh më’, ashtu saç është edhe ekstremiteti tjetër që sapo përmenda” – u shpreh sociologia.