Kuzhina / 17 Dhjetor 2023, 14:58

Biskotat ideale për të shoqëruar çajin, receta e shijshme nga Living

Biskotat ideale për të shoqëruar çajin, receta e shijshme

NGA: LINDA FISHTA/Fotografia ARMAND HABAZAJ

Koha e përgatitjes - 30 minuta bashkë me pjekjen
PËRBËRËSIT: 120 g miell orizi, 30 g miell misri i bluar imët, 80 g gjalpë i butë në temperaturë ambienti, 100 g arra të qëruara, të grira në thërrime ose lajthi, 50 g bajame të qëruara, 40 g mjaltë, 1 vezë, 70 g sheqer kaf, 1 limon organik, 1 lugë e vogël sodë për ëmbëlsira, një majë thike kripë.

PËRGATITJA: Grijmë në mikser arrat me një lugë miell orizi, derisa të bëhen thërrime. Në një tas, përziejmë me lugë druri miellin e orizit që na ka mbetur, me miellin e misrit, sodën që e hedhim me sitë, arrat e grira, sheqerin, gjalpin, mjaltin, vezën të rrahur më parë me pirun, lëkurën e grirë të limonit dhe një majë thike kripë. I përziejmë më pas me dorë, derisa të përftojmë një brumë që nuk ngjit. E mbështjellim me plastmasë kuzhine dhe e lëmë në frigorifer për 30 minuta. Pas kësaj kohe nxjerrim brumin nga frigoriferi dhe me dorë bëjmë topa të vegjël sa një kokërr arre. I vendosim në tavë me letër furre dhe me duar të lagura i shtypim, për t’i bërë më të sheshta. Sipër u vendosim nga një bajame sipas dëshirës. I pjekim për rreth 15 minuta në furrën e ngrohur më parë në 180° C ose derisa të shohim që kanë marrë ngjyrë të artë. Kur janë të nxehta, janë shumë delikate, prandaj, kur të jenë ftohur, i heqim nga tava me ndihmën e një aksesori të sheshtë.

Horoskop