Kuzhina / 23 Dhjetor 2023, 17:18

Lulet, të bukura dhe të shijshme, si t’i përfshijmë në gatime

Lulet, të bukura dhe të shijshme, si t’i përfshijmë

Fotografia, Armand Habazaj 

Plot ngjyra, delikate dhe me aromë, lulet mund të jenë edhe përbërësit idealë për një pjatë të shijshme. Me aromë të butë, të ëmbël, deri në të fortë e dominuese, ato ofrojnë një spektakël të vërtetë për menutë e kuzhinës.
Imagjinoni lule ngjyrë portokalli mbi një sallatë jeshile, violat e bukura mbi një kek të shijshëm, një tufë me lule të skuqura kungulli në pjatë ose lulet e mullagave në kuba akulli.
Ndonjë ditë, sallata me pulë mund t’ju shërbehet brenda një tulipani. Lulet vijnë në tryezë në lloj-lloj mënyrash, të bukura, të shijshme dhe sfiduese edhe pas shumë vitesh të lëna pas dore, ato rrikthehen fort. Janë përdorur në kuzhinë që në Romën e lashtë, në Kinë, në Lindjen e Mesme po ashtu edhe në kulturën indiane të gatimit. Gatimi i luleve arriti kulmin në epokën Viktoriane, gjatë periudhës së mbretëreshës Viktoria. Sot, shumë restorante, shefa kuzhine dhe adhurues të gatimit përdorin lulet për t’u dhënë bukuri krijimeve të tyre. Sekreti i përdorimit të luleve është krijimi i një pjate të thjeshtë, pa përzierje aromash pa vlerë, të cilat mund të fashisin shijen delikate të tyre.


Kujdes!

Jo të gjitha lulet janë të ngrënshme, kështu që ato duhet t’i njihni përpara se t’i përdorni. Disa lule janë të pakëndëshme, ndërsa disa lloje të veçanta janë helmuese.
Lulet që shiten nuk rekomandohet të përdoren për shkak të rrezikut të pesticideve që ato përmbajnë apo solucioneve mbrojtëse që mund të jenë përdorur mbi to. Kërkoni lule të rritura organikisht në kopshte apo ballkonet tuaja.
Kur t’i përfshini në gatime bëjeni në sasi të vogla dhe jo disa lloje njëherësh por vetëm një.
Mos hani lule të rritura anës rrugës sepse janë të ndotura.
Pastrojini lulet nga pistilat dhe bishtat. Pjalmi mund të shkaktojë alergji dhe mund t’u prishë shijen.

Horoskop