Modë / 8 Janar 2024, 15:44

“Arti” i të bërit “SHOPPING”

Disa këshilla se si të bëni blerje të bukura, por mbi të gjitha: Të zgjuara.

Nga Kostandin Feshti

“Arti” i të bërit “SHOPPING”

Kur bëhet fjalë për të bërë “shopping”, flasim lidhur me veshjet e garderobat tona, të gjithë e konsiderojmë si një aktivitet të “kohës së lirë”. Një veprim i kryer në një moment dedikimi ndaj vetes, kur ti do të llastohesh pak duke blerë për qejf apo duke kuruar një blerje të nevojshme, por mbi të gjitha duke shijuar ditën e kohën që je duke shpenzuar. Në ditët që po jetojmë sot, ekonomia është bërë një temë sensitive për të gjithë, asgjë më nuk është 100% e garantuar, ndaj dhe blerjet duket sikur janë kthyer në një “eveniment” më shumë se sa një aktivitet fundjave, prandaj është e nevojshme që ato të jenë “të zgjuara”.

Çfarë kuptojmë ne me këtë term? Atëherë:

Sipas definicionit tonë të krijuar nga eksperienca ( ky një definicion universal në këtë pikë ), një blerje “e zgjuar” është pikërisht një produkt, i cili do të konsiderohet një investim në garderobën tuaj, në raport me çmimin dhe herët që ky produkt do të vishet/përdoret nga ju. Në anglisht i referohen “cost per wear”, pra çmimi i pjestuar me herët që do të vishet jep çmimin “e reduktuar” që na rezulton në koston me të cilën ju e keni blerë vërtetë. Një copëz veshjeje, e cila nuk përdoret më shumë se 3 herë dhe ruan përafërsisht çmimin me të cilin është blerë, nuk konsiderohet relativisht e zgjuar ( mund të jetë e bukur, por jo e zgjuar ).

- Personalisht mendoj se nëse një produkt nuk mund të kombinohet në 5 veshje të ndryshme, atëherë nuk ia vlen ( në atë moment ) të blihet. Ky në fakt është një numër të cilin e rekomandojnë dhe profesionistët e industrisë për t’u patur në mendje në momentin që jemi duke bërë shopping e shohim diçka që na pëlqen në impakt të parë, por që mund të konsiderohet një shpenzim i tepërt më vonë.

- Gjithashtu, një praktikë fare e mirë është dhe “kërkimi”. Ai i bërë fizikisht, në rrjete sociale, në YouTube etj; duke hulumtuar produktin dhe përshtypjet e njerëzve që tashmw e kanw blerw. Është alternativa më e mirë e të të kuptuarit më shumë se çfarë ti do me të vërtetë dhe se çfarë ai produkt të ofron. Fotot shpesh të gënjejnë, blogger-et mund të jenë të paguara ( siç ndodh zakonisht ) për ta reklamuar, ndaj një video e bërë nga një individ si një palë e tretë ose një vështrim “live” i produktit para se të vendosësh ta marrësh, të vjen gjithmonë në ndihmë.

Alternativat, të cilat fare mirë mund të variojnw nga një kërkim i mirë-bërë, janë po aq të dobishme për ju sa metodat e lartpërmendura. Gjithmonë, kundrejt diçkaje që ne duam do të ekzistojnë produkte “simotra”, që do të diferencojnë në çmim parimisht, e më pas në detaje të tjera, që mund të të shtyjnë afër ose larg blerjes së produktit fillestar që ti dëshiroje. Në 2024-ën nuk ka më një produkt, të cilit nuk i bashkëngjit dot një objekt tjetër të përngjashëm, e nganjëherë, ky varianti i dytë të nxjerr më të fituar.

“Arti” i të bërit “SHOPPING”

Imazhet: Pinterest

Ndaj, obsesioni pas një varianti të vetëm shpesh të pengon të kuptosh se ka dhe shumë modele të tjera, të cilët në fund të ditës mund të të ofrojnë ty me më pak kosto të njëjtën cilësi dhe një dukje po aq të bukur sa modeli që keni patur në mendje që në fillim.

Konkluzion ky, i cili na çon tek këshilla e radhës ( më e rëndësishmja për mendimin tim ).

- Qëndrimi sa më larg logove nuk dëmton askënd. “Logomania” vazhdon të jetojë mes nesh shëndosh e mirë, paçka se është një nga “trendet” më të konsumuar të të gjitha kohërave. Njerëzit kanë një dëshirë relativisht të madhe që, shpesh, kur bëjnë blerje, sidomos të shtrenjta, të zgjedhin produkte të cilat identifikohen menjëherë me brand-in, qoftë nga logoja masive apo nga modeli tipik i produktit. Sigurisht, ka firma mode të cilat kanë pjesëzat e tyre klasike që çdokush do donte t’i kishte, copëza të brand-it, të cilat ose e di se të kujt dizajneri janë, ose jo. Këto janë pjesëza interesante, që mbartin një farë “historie” më vete, ama ka dhe nga ato produkte që bëhen enkas vetëm për marketing, për të bërë bujë, për mirë apo për keq, mjaftueshëm është që po bëjnë zhurmë. Stili në fund të ditës nuk varet nga çmimi apo logot e veshjes tuaj, ndaj mos e bëni veten të ndihet keq nëse nuk keni mundësi të shpenzoni shumë apo zgjidhni të mos. Ka gjithashtu një mori brandesh të vogla, të cilat ndoshta nuk janë aq të njohura sa gjigantët e modës me dekada, por me përkushtimin e dashurinë e tyre për industrinë vazhdojnë e sjellin tek ne produkte cilësore, me dizajne inovative e në dukje tepër unike. Krenarë të themi që krijues të tillë kemi dhe në vendin tonë, ashtu si dhe një numër të madh në Kosovë.

Por, për ju që shpenzoni e i keni qejf logot e mëdha, kush jemi ne t’iu ndalojmë nga kjo kënaqësi ( qesh ).

“Arti” i të bërit “SHOPPING”

Imazhet: Pinterest

- E meqë jemi tek “lojërat e marketingut”: MOS BINI PRE E TYRE! Në foto janë treguar dy çanta deri diku identike, shpesh të prodhuara me të njëjtat materiale, por që njëra ka një kosto relativisht të kuptueshme për një çantë “luksi”, ndërsa për të patur tjetrën duhet të aplikosh në një listë pritjeje, të kesh një portofol blerjeje me brandin e të lutesh për më te mirën. Kjo është thjesht një strategji. Lojë, e cila duket se njerëzit i intrigon, pasi shitjet e “Hermes” vazhdojnë rriten vit pas viti, por jo detyrimisht nga dyqanet e tyre kryesore, më shumë nga tregu i “të mirave të poseduara më parë” ( second-hand goods ), ndaj konsiderojeni këtë kur filloni të kurseni për blerjen tuaj të parë “luksoze”. Madje, të blesh sot nga një rishitës i autorizuar apo i vërtetuar si “autentik” është një nga gjërat më të mira për të bërë dhe lidhur me mbrojtjen e planetit, përpos asaj të portofolit.

E fundit për këtë artikull: “Blerjet, e mira është, të kenë një histori”. Tingëllon e çudtishme, po është e vërtetë. Nuk ka gjëra më me vlerë në garderobën tuaj ( përveç sendeve të trashëguara nga familja ) se sa pjesëzat “limited edition”. Ato produkte që janë bërë enkas për përvjetorin e brand-it. Ato produkte të cilat janë një bashkëpunim i shtëpisë së modës me një artist ose më një “rival” të industrisë, ose pjesë e një koleksioni tepër të vjetër, por të mirëmbajtura. Janë produkte, të cilat, përpos se janë një temë bisede fantastike, aq dhe janë produkte që e ruajnë vlerën e tyre në rast se vjen një moment e ju do të donit t’i shisnit ato në tregun e “re-sale”.

Dhe mos harroni: Uljet nuk janë kurrë një ide e keqe.

Shopping të mbarë!/Living

Horoskop