Modë / 22 Janar 2024, 17:41

Tendencat për meshkujt sipas “Javës së Modës 2024”

Të gjitha ato që “duhen bërë” e ato që “jo”.

Nga Kostandin Feshti

Tendencat për meshkujt sipas “Javës së Modës

Valentino  Hermes Paul Smith

Java e modës “Vjeshtë/Dimër – 2024” dedikuar meshkujve, solli një mori
“butaforizmash”. Veshje aspak të konsiderueshme për përditshmërinë,
madje tepër larg darkave dhe eventeve. Një larmishmëri printesh e
ngjyrash androgjene, të cilat dukeshin gati një huazim total nga pasarelat e
vajzave “Pranverë/Verë – 2024”, e prerje aspak komplimentuese, por që të
rinjtë e industrisë do t’i kategorizonin “guxuese”. Ata që, personalisht, më
erdhën më pranë idesë së një produkti cilwsor, të mirëmenduar, “fashionable”, por me thyerje moderne ( siç duhet të jetë nje blerje mijëra-
euroshe në fakt ) ishin pikërisht “Valentino”, “Hermes” dhe “Paul Smith”.

Një ndërthurje tërheqëse e elegances e pjesëzave klasike të garderobës
me ngjyrat e materialet “trend” të momentit. Një lojë e bukur dedikuar
djemve e zotërinjve, të cilët duan të duken “chic”, por në të njëjtën kohë në
sinkron me modën e atë që ajo po ofron. “Gucci” gjithashtu mund të ishte
fare mirë pjesë e këtij grupimi, duke rikthyer “qetësinë” në koleksionin e tij,
nën drejtimin kreativ të Sabato De Sarno-s ( i cili, nga shumë “blogger”, u
ndesh për ndryshimin kolosal nga koleksionet “e zhurmshme” të
Alessandro Michele-s ). Këto koleksione risollën dhe njëherë vëmendjen
drejt dëshirës për të investuar në disa produkte kyçe që përbëjnë
koleksionin bazë të garderobave tona, gjë që, në një kohë trendesh e
gumëzhime të pashijë, më duket një “risi” aspak e re, por tepër e
nevojshme.

Tendencat për meshkujt sipas “Javës së Modës

Gucci
“Gjithashtu, një miksim tepër “cool” i klasikes me atë “modernitetit”
karakterizues, stilin “e rrugës” që përbën “Amiri”-n në vetvete, Mike Amiri,
drejtori kreativ i shtëpisë, e solli në mënyrën e duhur dhe në pasarelën e tij
në Paris. Materiale të ndryshme të kombinuara së bashku, por të qepura
në struktura fine, me ngjyra sa guxuese, aq dhe të qeta, e me printe nga
ato me forma të ndryshme, deri tek ato me materiale “kundërshtuese” të
bëra bashkë në një patern të vetëm.”

Tendencat për meshkujt sipas “Javës së Modës

Amiri
Por, jo të gjithë dizenjatorët e drejtorët kreativë kanë patur një mendje. Gjë
që në vetvete është diçka shumë e mirë, pasi vetëm në këtë mënyrë mund
të diversifikojmë brande-t e të kategorizojmë stilet, demografinë e klientelës
dhe frymën përkatëse, e mbi të gjitha të kemi dhe larmishmërinë që na shtyn të shkruajmë artikuj të tillë, të cilët nxisin diskutime mbi të bukurën,
“trendet”, atë që “duhet bërë” e atë që “jo”, përsa i përket veshjes dhe
dukjes tonë.

Shtëpitë e modës si “Loewe”, “Rick Owens” apo qoftë dhe “DIOR”, kësaj
rradhe ishin në një ligë të tyren. Në një univers paralel, i cili rrugën më të
rrahur ka Mars-Jupiter-Mars, të paktën “Rick Owens”. Sa për “Loewe”-n e
“Dior”-in, problemi nuk qëndron detyrimisht me koleksionin si i tërë, por me
dëshirën për të imponuar një pamje të caktuar, në kategorinë e gabuar.
Paçka se po flasim shumë për zhdukjen e “gjinive” në modë, dhe vetë
modelët, me krijimet e dy gjigantëve, respektivisht, spanjoll e francez,
dukeshin “në siklet”. Nisur që nga “pupat e balerinëve”, një trend i atashuar
me kohë gjinisë femërore, tek shajet masivë me motive tepër të lehta, por
në dukje teatrale, trikot “oversize” gati si fustane të gjatë, e deri tek
këmishat me fjongo të ekzagjeruara e pardesytë fluoreshente me print
krokodili, në ngjyrë koral.

Asnjë gabim në teori, por në një moment ku moda vetë po rikthen stile më
shumë se sa po krijon të reja, a është vërtetë e nevojshme t’i hedhim sytë
nga shekulli i 17-të?! Pasi në dukjen e parë, frymëzimi i vetëm që të vjen
në mendje është Luigji i 14-të. Geta të bardha, copa të derdhura me
elementë sateni dhe PUPAT. Një imazh i pashmangshëm, por, i cili duhet
kuptuar që krijohet për një grupim të caktuar njerëzish: Guru të modës,
këngëtarë, aktorë, performues etj.

Tendencat për meshkujt sipas “Javës së Modës

Dior

“Këmishat me fjongo të egzagjeruara e pardesytë fluoreshente me
print krokodili, në ngjyrë koral.”

“Loewe” nga ana tjetër ndoshta nuk të kujton Luigjin, por definitivisht vitet e
arta të Andy Warhol-it, Prince-it e Mick Jagger-it. Periudha kur “Studio54”
ishte i vetmi vend ku njerëzit dinin e donin të festonin, aty ku alkooli,
duhani, dëshirat e fshehura seksuale dhe kërcimi deri në mëngjes, ishin
“rregulla” të vendosura në mënyrë strikte, të mbështjella në printe, ngjyra e
shkëlqim.

Një rikthim i modës mashkullore të viteve ‘60, ‘70, e cila sigurisht që është
e paharrueshme me të drejtën e saj, por ndoshta jo aq estetike sa për t’u
rikthyer disa dekada më vonë, pa çka se elementë të caktuar janë përdorur
pa-ndalim.

Tendencat për meshkujt sipas “Javës së Modës

Loewe
Dhe sa për “Rick Owens”, strategjia që përdor mendoj se është
fenomenale. Nxjerr në pasarelë një numër kombinimesh që ti thua “çfarë,
s’do guxoja kurrë”, por kur sheh në dyqan, gjen një masivitet produktesh të
thjeshta, minimaliste, me silueta nga më të ndrysmet, të cilat, ose mund t’i
marrësh disa numra më të mëdhenj, si modelët në Paris, ose t’i marrësh në
masën tënde per t’i përdorur në përditshmëri, në çdo moment që do të
dukesh “cool” e të veçohesh nga turma. Krijimet e tij e kanë këtë efekt, këtë
duhet ta pranojmë. Pa çka se:

Çizmet “tullumbac” ( në ngjashmëri të frikshme me atletet e “Balmain” dhe
takat e “Loewe” ) nuk duhet ta shohin dritën e Diellit. Vetëm nëse je Dua
Lipa dhe ke një pjesëmarrje në “Coachella”, ndryshe jo.

Tendencat për meshkujt sipas “Javës së Modës

Rick Owens
Në fund të ditës moda është aty për të ndihmuar njerëzit të shprehen në
një moment që fjalët ndoshta harrojnë të vijnë në ndihmë, por për një
goditje sa më të arrirë, duhet ndarë dhe çasti i saj, momenti dhe eventi. “Si
është vendi, bëhet Kuvendi”!

Horoskop